– Dëshmore Haritina –

 

Shën Haritina ishte skllave e një zotërie me emër, e Klaudit, dhe jetonte në kohën e perandorit Dioklecian dhe kontit Domitius (rreth 290). Konti kishte dëgjuar të flitej për të, prandaj i shkroi zotërisë së saj t’ia dërgonte për të parë nëse ishte e krishterë. Klaudi nuk mund të mos dyshonte për ekzekutim dhe, i pikëlluar për humbjen e Haritinës, u vesh me thes dhe vajtoi hidhur.

Por Haritina e fortë në sigurinë ngazëlluese të apostujve të Zotit, e ngushëlloi me këto fjalë: “Zotëria im, gëzohu dhe mos u hidhëro, sepse do të ofrohem si një therore e pëlqyer për Perëndinë për mëkatet e mia dhe të tuat”. Ai iu përgjigj: “Shërbëtore e Perëndisë, kujtohu për mua në Mbretërinë e qiejve”, pastaj e dërgoi te konti. E nxorën para gjykatësit, por vajza rrëfeu me guxim Krishtin.

Që ta turpëronin, i qethën kokën, por me fuqi hyjnore i dolën flokë të tjerë edhe më të dendur. Ia hoqën lëkurën e kokës dhe i vunë thëngjij të ndezur. I shkuan hell në kraharor dhe ia dogjën brinjët me pishtarë, më pas, i lidhën një gur në qafë dhe e hodhën në det. Por mrekullisht shpëtoi dhe u shfaq sërish para kontit, për t’i treguar se besimi i të krishterëve është më i fortë se çdo torturë që mund të sajonin ata.

E keqtrajtuan përsëri dhe vendosën ta jepnin në një shtëpi prostitucioni; por shenjtorja iu lut Zotit ta shpëtonte nga kjo sprovë, kështu dha shpirtin e saj te Perëndia. Çka kishte mbetur prej saj e hodhën në det, por dolën në breg prapë. Klaudi i mblodhi dhe i varrosi me perëndishmëri.

* * * * *

– Dëshmore Mamelkta –

Shën Mamelkta kishte origjinë perse dhe shërbente në tempullin e Artemisës. Një natë, pa në ëndërr një engjëll që i mësonte misteret e Krishterimit. U zgjua e trembur dhe ia tregoi këtë ëndërr motrës së saj, e cila ishte e krishtere. Kjo e çoi tek episkopi i qytetit dhe atje u pagëzua. Kur paganët e morën vesh se Mamelkta kishte braktisur idhujt dhe ishte bërë e krishterë, u sulën për ta vrarë me gurë, ndërkohë që shenjtorja ishte ende e veshur me këmishën e bardhë të pagëzimit. Trupin e saj e hodhën në një gropë të thellë, por të krishterët erdhën dhe e nxorën prej andej.

Pak kohë më vonë, episkopi i vendit mori lejen nga mbreti i persëve për të shkatërruar tempullin e Artemisës dhe mbi të të ndërtohej një kishë për nder të shën Mamelktës, ku dhe do të vendosej lipsani i saj.

* * * * *

– Hierodëshmor Ermogjeni –

Vinte nga krahina e Atalias në Azinë e Vogël. Mbeti jetim dhe gjithë pasurinë e tij ua dha të vobektëve dhe u bë murg në Egjipt. Qëndroi për disa kohë në Athinë dhe në Konstandinopojë ku dhe u dorëzua prift dhe më pas episkop i ishullit Samos.

Vazo e zgjedhur e hirit, hierarku i shenjtë e mësonte popullin e zgjedhur dhe lutej me zjarr për të.

Paganët e denoncuan tek qeveritari i ishullit, i cili e torturoi dhe e futi në burg. Atje iu shfaq Krishti për ta forcuar e inkurajuar që të qëndronte i fortë deri në fund. Më vonë ia prenë kokën dhe kështu ai fitoi kurorën e martirit.

Trupi i tij u transferua në ishullin e Qipros ku kryen mrekulli të shumta. Jeta e tij nuk figuron në sinaksar. Nderohet lokalisht në Qipro, kryesisht në qytetin e vjetër të Kurionit, dhe mbi varrin e tij është ndërtuar një kishë.