.- Hierodëshmor Qipriani nga Kartagjena dhe dëshmore Justina –
Qipriani ishte nga Kartagjena dhe jetonte në Antioki nën mbretërimin e perandorit Deci rreth vitit 250. Rridhte nga një familje fisnike dhe e pasur, e cila shkëlqente veçanërisht në filozofi dhe në praktikat magjike. Në këtë epokë jetonte në Antioki një virgjëreshë e bukur, bijë e Edesios, prift idhujtar, me emrin Justa.
Ajo dëgjoi një ditë predikimin e dhjakut Praulios, i cili kishte ardhur tek populli për të shpërndarë fjalën e së vërtetës. U trondit përbrenda saj, saqë menjëherë besoi tek Krishti. Besimi dhe dashuria për Perëndinë e tjetërsuan në atë masë, sa tërhoqi në besim prindërit e saj. Të tre kërkuan pagëzimin nga peshkopi i shenjtë Optat.
Më pas Justa vendosi t’i kushtohej tërësisht Zotit dhe të jetonte në virgjëri deri në fund të jetës. Aglaidhi, një i ri pagan, u dashurua marrëzisht me të, por i dëshpëruar nga refuzimet e vajzës, iu drejtua për ndihmë Qiprianit, që nëpërmjet magjisë të bënte të lindnin pasione tek vajza. Pasi u konsultua me librat, Qipriani thirri demonët që ta ndihmonin. Por asgjë nuk mund të tundonte virgjëreshën, kaq e fuqishme ishte dashuria për Krishtin dhëndër.
Pasi pa që tre herë demonët u mundën nga hiri i Zotit që vepronte tek Justa, Qipriani njohu se besimi i të krishterëve kishte fuqi mbi artin demoniak. Ai besoi dhe kërkoi të pagëzohej nga peshkopi Anthim i asaj kohe, hoqi dorë nga shkenca që përdorte për këto raste dhe dogji publikisht librat e magjisë.
Më pas u bë episkop dhe e dorëzoi Justën në dhjakoneshë duke i dhënë emrin Justina. Gjatë persekutimeve të Decit ata u zunë robër dhe u çuan në Damask për t’u torturuar. U nxorën përpara perandorit në Nikomedi, ku me urdhër të tij iu prenë kokat.
Sipas shën Grigor Theologut, vetë Qipriani u dashurua me Justën dhe prej saj erdhi në besim.
Të dy shenjtorët i kërkojmë kundër magjive.