– Oshënar Qirjako –

Shën Qirjakoja lindi më 448, në Korinth, në kohën e sundimit të perandorit Theodhosi i Ri. Ishte bir i Joanit, prift i Kishës së Korinthit, dhe i Evdhokisë, grua e perëndishme. Në moshën 18-vjeçare u caktua lexues nga Petroja, episkopi i qytetit dhe xhaxhai i të atit. Por zemra i digjej nga dëshira për Perëndinë, ndaj u largua fshehtazi për në Jerusalem.

Kur arriti në qytetin e shenjtë, dëgjoi të flitej për betejat e shën Efthimit (20 janar) dhe kërkoi të pranohej mes dishepujve të tij. Shën Efthimi e veshi me skimën engjëllore, por nuk e lejoi të qëndronte në lavrën e tij, nga frika se mos skandalizoheshin etërit e tjerë për moshën e tij të vogël. Kështu e dërgoi te shën Gjerasimi (4 mars), i cili banonte pranë Jordanit. Qirjakoja përparoi shumë shpejt në virtytet e shenjta asketike e në lutje dhe shën Gjerasimi e donte shumë. Ai pranoi ta merrte me vete çdo vit në shkretëtirën e Rubasë, nga mbyllja e Theofanisë deri të Dielën e Palmave. Atje shën Gjerasimit iu zbulua largimi në qiell i shpirtit të shën Efthimit dhe se do të shkonte bashkë me Qirjakon për ta varrosur.

Në vitin e nëntë të qëndrimit të tij në manastirin e shën Gjerasimit, ky i fundit fjeti në paqe më Zotin. Atëherë Qirjakoja ishte 27 vjeç, dhe u pranua në lavrën e shën Efthimit. Qëndroi për disa kohë në vetmi, duke favorizuar shndërrimin e lavrës në kinov (manastir me jetë komunitare). Por dashuria mes murgjve ishte ftohur dhe ndodhi që manastiri hyri në grindje të vazhdueshme me manastirin e shën Theoktistit që ndodhej pak më poshtë.

Qirjakoja iu shmang skandalit e turbullimit dhe shkoi të qëndronte në lavrën e shën Haritonit në Suka. Qëndroi atje për vite të tëra, duke i shërbyer vëllazërisë në mënyra të shumëllojshme. Në moshën 40-vjeçare u bë prift dhe mori gradën e ikonomit. Gjatë këtyre viteve, i lumuri nuk u zemërua asnjëherë dhe dielli nuk e pa kurrë të merrte ushqimin e tij.

Në moshën 70-vjeçare u tërhoq bashkë me një nxënës në shkretëtirën e Natufasë, duke kaluar atje tërë llojet e vuajtjeve nga dashuria për Krishtin, dhe ushqehej vetëm me qepë të egra që Perëndia u kishte hequr hidhësinë përmes lutjes së shenjtit, në mënyrë krejt të mrekullueshme. Duke parë se shumë murgj dhe besimtarë rendnin nga të gjitha anët te shenjti, disa për t’u pastruar nga frymërat e këqija, të tjerë për të dëgjuar fjalën e tij, Qirjakos, megjithëse ishte 90 vjeç, iu desh të nisej në një vend më të tërhequr, në Susakim, ku jetonte i vetëm me një luan të zbutur, që ruante kopshtin e tij të vogël.

Në atë periudhë, një epidemi vrasëse shkatërroi krahinën, prandaj etërit e lavrës së shën Haritonit erdhën dhe iu përgjëruan Qirjakos të shkonte e të jetonte me ta, që t’i mbronte me lutjet e tij. Gjatë këtij qëndrimi të dytë në Suka, luftoi me shpatën e mprehtë të fjalës dhe të shkencës shpirtërore kundër herezisë së origjenistëve, që po merrnin në qafë shumë murgj palestinezë. Kur arriti moshën 99-vjeçare, i lodhur nga turbullimet që i sillte afërsia me njerëzit, u kthye përsëri në Susakim, ku jetoi edhe tetë vjet në asketizëm të tejskajshëm, i shoqëruar nga engjëjt dhe shenjtorët. Fjeti në paqe në moshën 107-vjeçare, i mbushur me hirin e virtyteve.