Në 17 kopshtet e Kishës sonë ka filluar viti i ri i përkujdesjes ditore për fëmijët e moshave 3-6 vjeç. Këto kopshte ndodhen në të gjitha dioqezat dhe ofrojnë shërbime cilësore, duke pranuar rreth 700 fëmijë. Ditën e parë, për ta nisur mbarë dhe me bekime vitin e ri 2010–2011, siç është bërë traditë, u krye Shërbesa e Ajazmës, e drejtuar nga priftërinjtë e enorive dhe me pjesëmarrjen e prindërve. Në kopshtet që mbulon Kisha, fëmijët pranohen pa dallim feje dhe përkatësi shoqërore, me parimin “i barabartë midis të barabartëve”.
 
    Sipas drejtoreshës Nafsika Melo, shërbimi që u ofrohet fëmijëve është bashkëkohor, me ambiente moderne dhe kushte cilësore edukimi, personel të kualifikuar dhe shërbim mjekësor të përhershëm. Secili prej tyre ka një kartelë personale mjekësore dhe ofrohet çdo moment kutia e ndihmës së shpejtë në një ambient të pastër dhe të shëndetshëm. Risi për këtë vit ishte rikonstruksioni i kopshtit të Korçës, ndërsa familjeve paguajnë një shumë minimale në raport me shërbimin që ofrohet dhe kujdesin e gjithanshëm, sepse Kryepiskopi Anastas i kushton rëndësi zhvillimit të tyre dhe ndihmon gjithmonë financiarisht si dhe kujdeset shpirtërisht për ta.
 
    Personeli mësimdhënës i të gjitha kopshteve është me arsimin përkatës dhe i trajnuar në seminare që zhvillohen here pas here nga lektorë të kualifikuar me temat përkatëse si shoqërore dhe profesionale. Në të gjitha kopshtet, puna vijon normalisht dhe fëmijët janë të pajisur me librat dhe materialet personale. Sikurse vitet e shkuara, kujdes i veçantë do t’i kushtohet edukimit, në mënyrë që rezultatet e larta në punë të pasqyrohen kur ata shkojnë në shkollë dhe dalin me sukses.
 
Isidor Koti