– Oshënare Efrosina dhe Pafnuti, i Ati –

Shën Efrosina jetoi gjatë sundimit të Theodhosit të Ri (rreth vitit 410). Ishte bija e Pafnutit, një egjiptian tepër i pasur, i cili, pas vdekjes të së shoqes, mbeti vetëm me këtë fëmijë. Kur i erdhi ora për ta martuar, Efrosina i preu flokët pa dijeninë e të atit, veshi rroba burrash dhe u nis për në një manastir murgjish, duke u shtirur si eunuk me emrin Smaragd. Nga dëshira e madhe për t’u bashkuar me Krishtin, u dha me zell në betejat e asketizmit, kaq mirë sa për pak kohë ishte e pamundur të dyshoje se ajo pamje e dobësuar dhe ai trup i tharë ishin të një vajze të brishtë.

Shkëlqeu për 38 vjet si gur i çmuar në mes të Jerusalemit qiellor që ishte manastiri. Fillimisht qëndroi për disa kohë në shërbim të një jerondi në bindje dhe përulësi. Por djalli, i tërbuar kur shikonte një vajzë të re që jo vetëm u rezistonte gjithë sulmeve, por edhe i mposhti gjithë dobësitë e natyrës së saj, nxiti disa murgj të kishin zili për virtytin e saj dhe të skandalizonin të tjerët me bukurinë dhe nurin e natyrës së saj, që përpjekjet asketike nuk kishin arritur t’ia fshihnin. Atëherë, ajo u tërhoq në një qeli, e vetmuar, pa dalë kurrë prej saj, e tëra e drejtuar nga Perëndia dhe çdo ditë vinte re ngjitje të reja shpirtërore në zemrën e saj.

Më pas, pas 38 viteve jetë u sëmur. Të tërhequr nga fama dhe shenjtëria e saj, të shumtë ishin ata që i erdhën pranë, ndër të cilët edhe Pafnuti ende i pangushëlluar për humbjen e së bijës. E sigurt tashmë se për të kishte ardhur koha të shkonte në banesat qiellore, duke dashur t’i sillte të atit një ngushëllim në mbylljen e ditëve të saj, ajo i tregoi atij se kush ishte, e këshilloi t’i linte manastirit trashëgiminë që i kishte lënë së bijës dhe të përgatiste varrimin e saj.

Pastaj, dorëzoi shpirtin te Perëndia në një paqe të thellë. I befasuar, Pafnuti ra përtokë si i vdekur. Erdhi në vete dhe si kuptoi se ishte mëkat të vajtoje për ata që kishin ikur nga kjo jetë me dhimbje për të fituar jetën e përjetshme, lotët e tij u kthyen në gëzim. Braktisi çdo gjë që e mbante të lidhur me botën dhe u bë murg në gjurmët e së bijës, duke u bashkuar kështu me gëzimin e të zgjedhurve. U tërhoq në qelinë që kishte jetuar e bija dhe, pas dhjetë vitesh jetë të virtytshme e të pëlqyeshme për Perëndinë, fjeti edhe ai në paqe.

 

* * * *

– Oshënar Sergji në Radonezh –

Shën Sergji lindi në Rostov më 1313. Prindërit e tij, Kirili dhe Maria, në pagëzim i dhanë emrin Bartholome. Që në barkun e nënës, Perëndia lejoi të shfaqet lavdia e shërbëtorit të tij të ardhshëm. Kështu, një herë, gjatë Liturgjisë, para leximit të Ungjillit, fëmija filloi të thërriste nga barku i nënës së tij kaq fort, saqë zëri u dëgjua nga të tjerët.

Në momentin e himnit Keruvik, fëmija filloi përsëri të thërriste, gjë që e frikësoi Marinë. Kur prifti tha fjalët: “Të shenjta të shenjtëve!”, fëmija dha një klithmë për herë të tretë dhe nëna e tij filloi të qante. Ata që ishin të pranishëm në Liturgji dëshironin të shikonin fëmijën, por nëna u tha se foshnja nuk thërriste nga krahët, por prej barkut të saj.

Pas kësaj ngjarje të pazakontë, Maria gjatë gjithë shtatzënisë së saj nuk hante as mish, as qumësht, as peshk, ushqehej vetëm me bukë e ujë dhe u dha tërësisht pas lutjes.

Kur Bartholomeu ishte shtatë vjeç, e dërguan të studionte. Por në krahasim me vëllezërit e tij, Stefanin dhe Petron, që mësonin shpejt, fëmija kishte shumë vështirësi. Mësuesi e dënonte, shokët talleshin me të, prindërit e qortonin, por Bartholomeu, me gjithë dëshirën e tij të mirë, nuk arrinte dot të mësonte.

Atëherë ndodhi e njëjta ngjarje si me Saulin. Një ditë, ndërsa babai e kishte dërguar në fushë për të kërkuar kuajt, Bartholomeu pa një murg të moshuar nën një pishë, i cili lutej duke derdhur lot. Djaloshi i ri u afrua me qetësi dhe priti derisa stareci të mbaronte lutjen, më pas plaku i tha: “Çfarë kërkon biri im?”. Bartholomeu iu përgjigj: “Nuk arrij dot të mësoj, me gjithë përpjekjet e mia. Lutju Zotit për mua, atë i shenjtë, që të mund të mësoj shkronjat”.

Stareci duke thënë një lutje i dha një copë Naforë fëmijës dhe i tha: “Mos u hidhëro aspak. Që nga kjo ditë Zoti do të bëjë që ti t’i kuptosh shkronjat!”. Ndërsa stareci donte të dilte, Bartholomeu i ra ndër këmbë dhe e ftoi të vizitonte shtëpinë dhe prindërit e tij. Ai shtoi: “Prindërit e mi i duan shumë njerëzit si ti, o atë!”

Jerondi duke buzëqeshur shkoi tek prindërit e fëmijës, të cilët e pritën me shumë nderim. E lutën të hanin së bashku, më pas ai shkoi në kishëzën e shtëpisë. Edhe fëmijën e morën me vete dhe i dhanë të lexonte orët. Por Bartholomeu i turbulluar u përgjigj se nuk mund t’i lexonte. Stareci dha përsëri urdhër dhe fëmija pasi mori bekimin e tij, filloi të lexonte psaltirin saktësisht dhe dallueshëm, për çudinë e të gjithëve.

Në tavolinë, prindërit i treguan murgut se çfarë kishte ndodhur me fëmijën në kishë kur ishte ende në barkun e nënës dhe para se të ndahej nga njerëzit, stareci tha këto fjalë enigmatike: “Ky fëmijë do të bëhet banesa e Trinisë së Shenjtë dhe shumë njerëz do të udhëheqë drejt kuptimit të vullnetit të Tij”.

Pas kësaj Bartholomeu filloi të shkonte me një dëshirë të zjarrtë në kishë e të lexonte Shkrimin e Shenjtë. Ndërsa ishte 12 vjeç, filloi të kreshmonte ashpër, nuk hante të mërkurën dhe të premten dhe ditët e tjera kënaqej vetëm me bukë dhe ujë. Shumë fatkeqësi e goditën Rostovin dhe për këtë arsye prindërit e tij e braktisën atë vend dhe shkuan në Radonezh.

Atje Bartholomeu e vazhdoi sërish asketizmin e tij. Kur dy vëllezërit e tij u martuan, ai u kërkoi prindërve lejen për të shkuar në manastir. Ata i kërkuan që ta ruante këtë dëshirë derisa ata të vdisnin. Megjithatë, pas pak kohësh shkuan edhe ata në manastir e fjetën atje.

Për dyzet ditë Bartholomeu u lut mbi varrin e tyre, ushqeu të varfër, më pas i dhuroi vëllait të tij të vogël, Petro, të mirat materiale dhe vendosi të përmbushte dëshirën që kishte. Kur gruaja e Stefanit, vëllait të tij të madh, vdiq, ai hyri në manastirin e Khotovit, ku prindërit e tij u varrosën. Bartholomeu, i cili dëshironte vetminë e thellë, e bindi Stefanin të kërkonin një vend të përshtatshëm për jetën asketike.

Shkuan nëpër pyje, më pas gjetën një vend ku kishte pranë ujë, larg rrugëve të rrahura nga këmba e njeriut dhe pranë Radonezhit dhe Khotovit. Ndërtuan një qeli me një kishë të vogël.

Sa për emrin e kishës, Bartholomeut iu kujtuan fjalët e starecit, ndaj dhe tha se do të ishte mirë t’ia kushtonin Trinisë së Shenjtë. Kështu u bë, kisha u shenjtërua me bekimin e mitropolitit Theognostit.

Pasi i kërkoi igumenit Mitrofan të vinte, Bartholomeu u qeth murg në moshën 24 vjeçare me emrin Sergj (1337). Pak kohë më pas, Stefani u nis për në manastirin e Theofanisë në Moskë. Kështu që Sergji mbeti i vetëm në pyll, ku ujqërit ulërinin pranë qelisë së tij.

Gjithashtu edhe arinjtë i afroheshin vendit ku jetonte shenjti. Një herë, Sergji pa një ari, i cili nuk ishte shumë i egër, por i uritur dhe si pati mëshirë për të, i dha ushqim. Kohët kalonin dhe ariu e vizitonte shpesh shenjtin, i cili jo vetëm që e ndante ushqimin me të, por privohej nga ushqimi për ariun.

Qëndroi në këtë vend për tre vjet, derisa njerëz të zellshëm kërkuan drejtimin e tij shpirtëror. Pak nga pak u mblodhën 12 vëllezër dhe secili prej tyre ndërtoi qelinë e vet. Shërbesa e mesnatës, mëngjesorja, orët, mbrëmësoret dhe pasdarka kryheshin çdo ditë në kishë.

Për kremtimin e Liturgjisë, vëllezërit thirrën një prift jashtë manastirit, sepse nuk kishte ende prift në radhët e tyre. Më në fund, igumeni Mitrofan, i cili kishte qethur Sergjin, shkoi të jetonte bashkë me ta, por kaluan pak kohë dhe ai fjeti. Vëllezërit u mblodhën dhe shkuan të shikojnë shenjtorin e i thanë: “At, ne nuk mund të jetojmë pa igumen dhe dëshirojmë që të jesh ti ai që do ta kryejë këtë detyrë. Kështu, kur ne të vijmë të zbulojmë mëkatet tona, do të marrim udhëzime dhe faljen e tyre.

Gjithashtu Liturgjia duhet kryer që ne të marrim misteret e shenjta nga duart e tua të pastra”. Sergji, nga përulësia nuk donte të bëhej igumen, prandaj refuzoi, por disa ditë më vonë vëllazëria u mblodh përsëri dhe e lutën të pranonte barrën e igumenit. “Nuk më përket mua të kryej funksionin engjëllor; sa për mua, unë duhet të qaj për mëkatet e mia”, u përgjigj ai.

Vëllezërit vajtuan dhe i thanë: “Nëse ti nuk do të marrësh kujdesin për shpirtrat tona, ne do të detyrohemi ta braktisim këtë vend, do të gabojmë ashtu si delet e humbura dhe ti do të japësh llogari për këtë përpara Zotit”. “Preferoj më tepër të nënshtrohem, sesa të urdhëroj,” tha Sergji, por duke iu frikësuar gjykimit të Perëndisë po e lë këtë problem në vullnetin e Zotit”.

Më 1354 Sergji u dorëzua prift dhe u ngrit në rangun e igumenit nga episkopi Athanas. Ai celebronte çdo ditë Liturgjinë dhe shkonte i pari në kishë në çdo shërbesë. Prodhonte vetë qirinj dhe bukët për meshë (prosforat), duke mos lejuar askënd të merrte pjesë në këtë punë. Përgjatë tre vjetëve, numri i murgjërve nuk ndryshoi. I pari që e rriti atë ishte arkimandriti Simeon i Smolenskut, i cili preferoi t’i bindej Sergjit.

Në darkë pas Pasdarkës, përveç ndonjë rasti urgjent, asnjë nuk kishte leje të hynte në qelinë e ndonjë murgu tjetër, pasi orët e natës duhet të ruheshin për Perëndinë. Pjesën tjetër të kohës, ata qëndronin në heshtje dhe alternonin lutjen me punën e përditshme. Kur vëllezërit duhet të shkonin në qeli për të vazhduar lutjen, ai shëtiste fshehurazi dhe nëse dëgjonte ndonjë diskutim të kotë apo të qeshura, u trokiste në dritare që të heshtnin ose largohej i trishtuar.

Në mëngjes i mblidhte fajtorët dhe me anën e shëmbëlltyrave, me ton të përulur e të butë i mësonte. Përdorte ashpërsi të matur vetëm për ata që refuzonin të korrigjoheshin dhe këmbëngulnin në gabimet e tyre. E donte shume varfërinë dhe vendosi si rregull strikt që asnjëherë të mos kërkonin diçka për manastirin, cilatdo qofshin nevojat. Vetëmohimi ishte ekstrem në manastir. Në kishë përdornin thëngjill për ndriçim dhe librat ishin bërë prej lëvoreje mështekne.

Një herë, ndërsa lutej në mbrëmje për vëllezërit e tij, papritur dëgjoi një zë t’i thërriste: “Sergj!”. Pasi mbaroi një lutje, hapi dritaren dhe pa një dritë jo të zakontë që zbriste nga qielli dhe zëri vazhdoi: “Sergj! Zoti e dëgjoi lutjen për bijtë e tu, shiko sa shumë janë mbledhur rreth teje në emër të Trinisë së Shenjtë”.

Atëherë shenjti pa shumë zogj të mrekullueshëm, të cilët fluturonin në manastir dhe gjithashtu rreth tij. “Kështu”-vazhdoi zëri-“do të shtohet numri i dishepujve dhe ata do të ecin në gjurmët e tua”.

Pak kohë më pas, Patriarku Filothe, i çoi shenjtit një kryq dhe dhurata të tjera me një letër e cila shkruante:

“Me mëshirën hyjnore, kryepeshkopi i Konstandinopojës, Patriarku Ekumenik Filothe, Sergjit bir në Frymën e Shenjtë dhe bashkëmeshëtar.

Hiri, paqja dhe bekimi ynë qoftë me ju të gjithë! Ne kemi dëgjuar të flitet për jetën tënde të virtytshme, e aprovojmë dhe lavdërojmë Perëndinë, por të mungon diçka: jeta e përbashkët manastiriale (kinovi) ti e di, o at i ngjashëm me Krishtin, se profeti David, e lavdëroi jetën e përbashkët: ‘Sa gjë e bukur dhe e mirë është të banojnë bashkë vëllezërit’ (Ps. 132).

Për këtë do t’ju jap një këshillë të vlefshme: vendosni kinovin. Mëshira e Perëndisë dhe bekimi ynë qoftë me ju!”.

Shenjti me këshillën e patrikut dhe me bekimin e Mitropolitit Aleksi, organizoi jetën e përbashkët në manastir.

Ndërtoi ndërtesa të nevojshme, caktoi detyra për secilin dhe urdhëroi që gjithçka të ishte e përbashkët, duke ndaluar kështu të quheshe diçka “imja”. Numri i dishepujve u rrit dhe bollëku mbretëroi, u fut mikpritja, ushqeheshin të varfëritë dhe u dha lëmoshë tek ata që kërkonin.

Shën Sergji iu nënshtrua këshillës së Patriarkut nga bindja, megjithëse e dashuronte vetminë, ai pranoi të ishte një at dhe një edukator më tepër se administrator. Por iu desh së shpejti të pësonte disa prova mizore.

Një të shtunë teksa gjendej në altar duke celebruar Mbrëmësoren, vëllai i tij i rikthyer në manastir i kërkoi kanonarkut: “Kush ta ka dhënë këtë libër?” “Igumeni” iu përgjigj ai. “Kush është igumen këtu?” iu përgjigj Stefani me zemërim “A nuk e themelova unë i pari këtë vend?”. Dhe i tha fjalë të nxituara.

Shenjti i dëgjoi që nga altari të gjitha këto dhe kuptoi se kjo përplasje ndodhi për shkak të rregullit të ri që mbretëronte në manastir. Të pakënaqur nga kinovitizmi, disa e braktisën manastirin fshehurazi dhe të tjerë uronin të mos e kishin për igumen Sergjin.

Shenjti, i cili i la ata që donin të jetonin sipas vullnetit të tyre, nuk u kthye në qelinë e tij, por u largua nga manastiri. Murgjit më të mirë ishin të shqetësuar dhe menduan se Sergji do të rikthehej, megjithatë pritja e tyre ishte e kotë. Shenjtori u vendos në Kirjatç.

Me kërkesën e disave, shën Aleksi dërgoi një delegacion tek shën Sergji me qëllim që të kthehej në manastir ku ishte i nevojshëm, por shën Aleksi ndjeu të afronte vdekja e tij dhe mendoi ta linte si pasues Sergjin, prandaj i dhuroi kryqin e tij episkopal.

Por shenjtori e refuzoi nga përulësia duke thënë: “Të më falësh Zot, por që nga fëmijëria ime nuk kam mbajtur kurrë ar dhe tani uroj që të qëndroj në varfëri të plotë”. “E di këtë shumë i dashur, por pranoje nga bindja!” iu përgjigj Aleksi.

I kaloi kryqin rreth qafës dhe i tha se e kishte zgjedhur si pasues të tij. “Të më falësh, o bari i nderuar, por ti do të më ngarkosh me një barrë që i tejkalon fuqitë e mia. Ti nuk do të gjesh tek unë atë që kërkon, unë jam më mëkatari dhe më i keqi i të gjithëve” i tha i lumuri.

Një natë ndërsa Sergji po i këndonte Akathistin nënës së Zotit dhe i drejtonte lutje të zjarrta për manastirin, pushoi për një çast për t’i thënë dishepullit të tij Mike: “Ji vigjilent biri im, sepse do të kemi një vizitë të mrekullueshme!”. Sapo tha këto fjalë, dëgjoi një zë: “E Tërëkulluara erdhi!”.

Shpejtoi në hyrje të qelisë së tij dhe papritur një dritë jo e zakontë, më e shkëlqyer se dielli e rrethoi. Pa të Tërëshenjtën, Nënën e Perëndisë, të shoqëruar nga apostujt Pjetër e Joan e që shkëlqente me lavdi të papërshkrueshme.

Shenjti u përkul deri në tokë dhe nëna e Zotit e preku me dorën e saj dhe tha: “Mos ki frikë, i zgjedhuri im! Kam ardhur të të vizitoj, sepse kam dëgjuar lutjen tënde për dishepujt e tu dhe për këtë vend.

Që sot e tutje nuk do ta braktis manastirin tënd, si para ashtu edhe pas fjetjes sate e do ta mbroj”. Pas kësaj shenjti qëndroi pa gjumë gjithë natën dhe meditonte për mëshirën qiellore. Gjashtë muaj para fjetjes së tij ai thirri vëllazërinë, ia besoi Nikonit dhe iu dha lutjes në vetmi.

Në shtator parandjeu sëmundjen, i thirri përsëri vëllezërit për t’u dhënë mësimet e fundit. Fjeti më 25 Shtator 1391, në moshën 78 vjeçare.