– Apostulli – Galatianëve 1:1-3, 20-2:5.

 

Pavli, apostull jo prej njerëzish, as me anë njeriu, po me anë të Jisu Krishtit, edhe të Perëndisë Atë që e ngjalli atë prej së vdekurish, edhe gjithë vëllezërit që janë bashkë me mua, kishave të Galatisë; hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia Atë dhe nga Zoti ynë Jisu Krisht.

Edhe përsa ju shkruaj juve, ja, tek po ju them përpara Perëndisë se nuk gënjej. Pastaj erdha në viset e Sirisë e të Kilikisë, edhe fytyra ime ishte e panjohur në kishat e Judesë që ishin në Krishtin, por vetëm kishin dëgjuar se ai që na përndiqte dikur, tani po ungjillëzon besimin që përpiqej të shkatërronte dikur. Edhe lavdëronin Perëndinë në mua.

Pastaj, pas katërmbëdhjetë vjetësh, përsëri u ngjita në Jerusalem bashkë me Barnabën, si mora me vete edhe Titon. Edhe u ngjita sipas zbulesës së Perëndisë, edhe u parashtrova atyre ungjillin që predikoj tek kombet, e veçanërisht më të shquarve, nga frika se mos bredh a brodha më kot. Por as Titoja që qe bashkë me mua, ndonëse ishte Grek, nuk u detyrua të rrethpritet; edhe kjo për shkak të vëllezërve të rremë që ishin futur fshehurazi, të cilët hynë fshehurazi për të përgjuar lirinë tonë që kemi në Krishtin Jisu, që të na robërojnë. Këtyre nuk iu nënshtruam as për një çast, që e vërteta e ungjillit të qëndrojë tek ju.