– Hierodëshmor Autonomi –
Autonomi ishte episkop në Itali kur filloi persekutimi i dhunshëm i perandorit Dioklecian në vitin 303. Ai iku nga Italia dhe gjeti strehë në një fshat të Bethanisë, në Soreus, në cepin më lindor të gjirit të Nikomedisë, ku u mikprit nga një i krishterë që quhej Kornel. Autonomi qëndroi aty për një kohë të gjatë dhe vendosi të ndërtojë një kishë të vogël dedikuar Kryeengjëllit Mihail dhe e dorëzoi Kornelin dhjak. Korneli u përkujdes për kishën dhe për besimtarët aty, ndërsa Autonomi shkoi të përhapë fjalën e Perëndisë në Likaoni dhe në Isavri dhe kur u kthye në Soreus, e dorëzoi Kornelin prift. Gjatë kësaj kohe, perandori Dioklecian mbërriti në Nikomedi i zemëruar, sepse persekutimi nuk i kishte dekurajuar të krishterët dhe me një ndjenjë të fortë armiqësie ndaj Autonomit që ishte një predikues shumë i njohur i Ungjillit. Episkopi i shenjtë u largua përsëri nga ai vend. Ai ungjillëzoi gjithashtu banorët e qyteteve bregdetare të Detit të Zi.
Kohë më vonë, ai u kthye në Soreus. Këtë herë e dorëzoi Kornelin episkop dhe, si gjithmonë i palodhur, u nis drejt Azisë së Vogël, në pjesën perëndimore të saj, për të çrrënjosur idhujtarinë dhe për të inkurajuar rritjen e besimit. Pas kthimit në Soreus, ai vendosi të qëndrojë në një fshat aty pranë, kur përhapi besimin dhe pagëzoi banorët.
Një ditë, njëri nga këta besimtarë të zellshëm të sapondriçuar, shkoi në tempullin e idhujve dhe i rrëzoi përtokë të gjitha statujat. Paganët e tërbuar pritën për të marrë shpagim derisa të vinte koha që episkopi të kryente Liturgjinë Hyjnore në kishën e vogël në Soreus. Atëherë ata u sulën aty me shkopinj, gurë e armë të tjera dhe vranë sa mundën.
Autonomi i bekuar u vra teksa qëndronte përpara Tryezës së Shenjtë. Kështu ai ia ofroi jetën e tij Shpëtimtarit, duke e imituar me pësimin e tij deri në dhënien e jetës. Ata pak besimtarë që shpëtuan nga vdekja, e varrosën trupin e tij, i cili mbeti i paprishur. Lipsanet e tij të shenjta qëndruan në një kishë të ndërtuar në vendin e martirizimit.
* * * * *
– Hierodëshmor Konorati-
Shën Koronati lindi në Ikonium të Azisë së Vogël dhe ka mundësi të jetë bërë aty episkop. Një ditë, duke predikuar fjalën e së vërtetës në fshatin e quajtur Sursalos, u kap nga paganët dhe u çua përpara guvernatorit Perenius. Shenjtori i duroi me shumë trimëri të gjitha torturat. Atij i prenë kokën. Kështu përfundoi martirizimi i tij.
* * * * *
– Hierodëshmor Theodhori i Aleksandrisë –
Ndërsa predikonte pa frikë para të gjithëve Krishtin e ngjallur, u kap nga paganët dhe ia mbuluan kokën me një kurorë gjembash, i pështynë në fytyrë, e qëlluan me shkopinj dhe e shëtitën në rrugë duke u tallur me të. Donin ta hidhnin në det, por shpëtoi i gjallë dhe doli mbi një shkëmb akulli. Me urdhër të perandorit ia prenë kokën.
Që të mos ngatërrohet me hieromartirin e shenjtë Theodhori, kryepiskop i Aleksandrisë kremtuar më 3 dhjetor, Shën Nikodhimi dhe Sinaksari i shkruar i jep këtij shenjti titullin e episkopit. Sipas disa dorëshkrimeve më të mira, ai ishte një laik i thjeshtë.