– Ungjilli – Mattheu 19:16-26

Edhe ja tek i erdhi pranë njëri, e i tha: Mësues i mirë, ç’të mirë të bëj që të kem jetë të pasosur? Edhe ai i tha: Pse më thua i mirë? Asnjë s’është i mirë, veç një, Perëndia. Po nëse do të hysh në jetë, ruaj urdhërimet. I thotë: Cilat? Edhe Jisui i tha: “Mos vrit; mos shkel kurorën; mos vidh; mos jep dëshmi të rreme; ndero atin dhe nënën”; edhe “Të duash të afërmin tënd si veten tënde”.Djaloshi i thotë: Të gjitha këto i kam ruajtur që në rininë time, çfarë më mungon tjetër?

Jisui i tha: Në do të bëhesh i përsosur, shko e shit pasurinë tënde, edhe jepua të varfërve; edhe do të kesh thesar në qiell, edhe eja e ndiqmë pas. Por djaloshi kur dëgjoi këtë fjalë, iku me keqardhje, sepse kishte shumë prona.

Edhe Jisui u tha nxënësve të tij: Me të vërtetë po ju them juve, se një i pasur mezi do të hyjë në mbretërinë e qiejve. Edhe përsëri po ju them juve: Më lehtë është të shkojë gamilja nëpër vrimën e gjilpërës, se të hyjë i pasuri në mbretërinë e Perëndisë.

Edhe nxënësit e tij, kur dëgjuan, habiteshin fort e thoshin: Vallë, cili mund të shpëtojë? Po Jisui hodhi sytë mbi ta edhe u tha: Për njerëzit kjo është e pamundur, ndërsa për Perëndinë të gjitha janë të mundshme.