E Diela XI Mateut, Shërbëtori i pamëshirshëm, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 28.08.2022 (Tekst)

“Sepse në Zotin, vula e apostolisë sime jeni ju” (v. 2)

Apostull Pavli kishte shumë vërtetime të shkëlqyera dhe të rëndësishme të detyrës së tij apostolike. Shumë qytete të Azisë së Vogël, madje dhe Qipro, Filipi (Kavalla e sotme), Veria, Selaniku, Athina, Korinthi, dëshmonin dhe shpallnin Apostullin e tyre të madh. Por, në Kishën e Korinthit, disa pseudomësues, kryelartë e shpifnin dhe kërkonin të ulnin dhe të poshtëronin personalitetin dhe punën e tij, që të mos i kushtojnë rëndësi të krishterët. Shën Pavli, duke pasur detyrën të anulojë këtë përpjekjen e tyre keqdashëse dhe keqbërëse, i la vërtetimet e tjera të misionit të tij apostolik, që i jepnin kaq Kisha, të cilat i themeloi apo i mbështeti, dhe u kufizua në vërtetimin, të cilin e jepnin vetë korinthianët, kisha e tyre.

I

 

“Sepse në Zotin, vula e apostolisë sime jeni ju”.

Vulë këtu do të thotë vërtetim dhe provë. Ashtu si në një dokument vula vërteton autoritetin e tij, kështu dhe ekzistenca e komunitetit fetar në Korinth, tregonte origjinalitetin e misionit të shën Pavlit. Ju, u thotë, që besoni tani te Krishti, ndërsa më parë ishit idhujtarë apo judenjë, Kisha juaj, të cilën unë e mbolla, me themel Krishtin, a nuk jeni vepra ime, me ndihmën e hirit? Nëse nuk e dini të gjithë, se unë qeshë apostull dhe në të tjerë, por që isha edhe tek ju, e di Korinthi i tërë. Ju, dhe kisha juaj, jeni vërtetim shumë i rëndësishëm ngjarjesh dhe gjërash, personash të gjallë, për dhiakonatën time në Korinth. “Sepse në Zotin vula e apostolisë sime jeni ju”.

Në Kishë, “ofiqi i lart”, është dhuntia e njeriut nga Perëndia t’u shërbejë, me dashuri në Krishtin, njerëzve të tjerë. “Pushteti”, është dalja e njeriut nga vetja e tij egoiste dhe përdorimi i saktë i tij, ndodhet në ofrimin e dashurisë tek të gjithë. Prandaj dhe shembulli i këtyre të vërtetave gjendet në personin e Zotit. Jisu Krishti, është Zoti, sepse zotërimin e tij e ofron me dashurinë, mirësinë dhe përdëllimin e tij ndaj njerëzve.

Korinthianët u tërhoqën nga dashuria e Krishtit, që e shfaqte apostull Pavli nga vetja e tij, që e ofronte pa pushim me veprën e tij apostolike. Dashuria e apostull Pavlit buron nga Krishti, prandaj “dhe nuk kërkon të mirën e tij, por të tjetrit”

(1 Kor. 10: 24), që të lartësojë gjithmonë të afërmin dhe të përulë veten e tij.

* * *

Kultura bashkëkohore kultivon “përparimin” e njeriut në themelin egocentrik. Kështu shpjegohet përse gjithë këto shpikje teknologjike, që ofrojnë rehat dhe dëfrim në jetë, nuk ndihmojnë në kultivimin shpirtëror të njeriut. Apostull Pavli na ndihmon në letrat e tij, si të kapërcejmë rrugët parrugëdalje, me jetën e tij personale. “Kush është i dobët, e unë s’jam i dobët? Kush skandalizohet, e unë s’digjem?” (2 Kor. 11: 29). Qashtërsia e apostull Pavlit shfaqet në kapërcimin e të drejtave të tij. Megjithëse i lejohej të ushqehej nga puna e përhapjes së Ungjillit dhe të marrë shpenzimet e udhëtimeve të tij nga Kisha, ai nuk e bënte këtë, që të mos jap shkak të mendojnë se e shfrytëzon misionin e tij. Me gjithë këto, Apostulli nuk rekomandon mbizotërimin e padrejtësisë apo lirinë e pakontrolluar të veprimit, por shikon kapërcimin e të drejtave të tij me pjesëmarrjen në dashurinë e kryqëzuar të Zotit, që përqafon të gjithë njerëzit me gjithë sjelljen e tyre të papranueshme. Ne, zakonisht, tregohemi të padurueshëm dhe mohojmë këtë shndërrim më Krishtin të njerëzve të tjerë. Apostulli na thotë “i durojmë të gjitha, që të mos sjellim ndonjë pengesë në përhapjen e Ungjillit të Krishtit” (v. 12). Ungjilli është vetë ofresa e dashurisë së Krishtit.

II

“Sepse në Zotin vula e apostolisë sime jeni ju”.

Si do ta arrijmë që puna, detyra, misioni, veprimi i secilitdo prej nesh të mbajë vulën e Krishtit? Ja disa shembuj që do të na tregojnë punën tonë. Një punëtor i thjesht, një grua e zakonshme, mund të jenë të parëndësishëm, të panjohur, të padukshëm. Por kanë një vepër të madhe, që janë fëmijët e tyre. Këta i edukojnë shpirtërisht dhe arrijnë t’i vadisin zemrat e fëmijëve me frymën e Perëndisë dhe t’i tregojnë qytetarë të ndershëm në shoqëri. Kjo është vula e tyre.

Tregtari, tekniku, nënpunësi mund të ndikojnë pozitivisht në ambientin e tyre, nëse puna e tyre bëhet me frikë Perëndie, me dashuri, besim dhe ndershmëri; me entuziazëm, me sinqeritet. Mbi punën e tyre do të vendosin, në mënyrë të dukshme, vulën e personalitetit të tyre. Arsimtarët, u përkasin drejtuesve shpirtëror. Në duart e tyre, familja dhe atdheu, besojnë thesarin e vetë më të çmuar; fëmijët. Nëse karakteri i drejtuesve është kopsht i mirosur virtytesh, atëherë dhe fëmijët do të bëhen lule të gjalla me aroma. Atëherë do të mund të tregojnë nga fëmijët dhe të thonë: ja vula e punës sonë!…

Vallë dikush është klerik? U ftua nga Perëndia të jetë “kripa e dheut” dhe “drita e botës”? Të jetë engjëll ngushëllimi i të vuajturve? Udhëheqës i të mashtruarve? Ushqyes i të uriturve? Hallka e artë e atyre që distancohen? Mishëruesi i dashurisë, i mirësisë, i virtytit? Nëse është i tillë, atëherë gjithë jeta e tij do të jetë një ofrim i shenjtë për hir të të tjerëve. Gjithë veprimet e tij do mbartin vulën e personalitetit të tj. E një personaliteti të ndriçuar dhe të fortë.

* * *

Por ekzistojnë edhe disa që pretendojnë, se janë të vegjël; nuk dinë shumë shkronja. Nuk mbajnë pozita të larta, nuk kanë influencë; nuk disponojnë aftësi dhe pasuri, dhe kështu mendojnë se nuk mund të bëjnë asgjë. “Unë do ta ndreq botën? thotë.” “Ç’mund të bëj unë, që jam i parëndësishëm dhe i vogël?”

Jo, vëlla, nuk janë të sakta këto mendime. Ndoshta, nuk je i rëndësishëm. Por, aty ku je, në shtëpinë tënde, në punën tënde, në lagjen tënde, në rrethin tënd shoqëror, nuk mund të vendosësh vulën e zemrës tënde të mirë? Nuk mund t’u thuash dy fjalë të dëshpëruarve, dy këshilla të humburit, t’i shtrish dorën të rënit, t’i buzëqeshësh jetimit, të shuash shkëndijën, që rrezikon të djeg lumturinë e fqinjit tënd, i cili i drejtohet divorcit, të ndriçosh fëmijë e tu, të këshillosh secilin prej tyre?

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin. Kaq gjëra të vështira janë këto? Nuk kërkohet prej tyre as arsim i madh, as pozitë, as para dhe as aftësi të veçanta. Ke zëmër? Dashuri të mbjellë në zemrën tënde? Beson me të vërtetë te Zoti? Këto arrijnë. Mrekulli mund të bësh dhe ti, dhe unë. Kudo që shkojmë dhe çfarë do që themi të lëmë kudo vulën e shpirtit tonë. U bëftë!