Fillimi i Vitit Kishtar
Në këtë ditë, Kisha e Krishtit ruan Indiktin ose shpalljen e Vitit të Ri Kishtar. Termi e ka prejardhjen nga praktika e perandorëve romakë, të cilët kishin zakon të vinin në këtë kohë një taksë vjetore për mbajtjen e ushtrisë së tyre. Interesi i kësaj takse të përvitshme ishte caktuar me anë të shpalljeve çdo pesëmbëdhjetë vjet. Kjo është arsyeja përse çdo cikël pesëmbëdhjetëvjeçar, duke filluar nga mbretërimi i Cezar Augustit, tre vjet para lindjes së Krishtit, është quajtur indikt.
Përveç kësaj, shtatori është koha për vjeljen e frutave të dheut dhe për ta bërë gati për një tjetër cikël prodhimi, kështu që është e drejtë të nderohet fillimi i ciklit agrokulturor, duke i ofruar falënderime Perëndisë për mirësinë e Tij të madhe ndaj krijesës së Tij. Kjo kryhej edhe nga judenjtë nën Ligjin e Vjetër. Në ditën e parë të muajit të shtatë (që korrespondon me fillimin e shtatorit) ata kremtonin Festën e Trumbetave, duke u çlodhur nga çdo lloj pune dhe duke ia përkushtuar veten krejtësisht ofertës së sakrificave të një shije të ëmbël dhe lavdërimit të Perëndisë (Lev. 23.24-25).
Krishti, Biri dhe Fjala e Perëndisë, Krijuesi i kohës dhe i hapësirës, Mbreti i parajetshëm i të gjitha kohëve, që mori trup për të restauruar të gjitha gjërat në unitet dhe të pajtojë mbarë njerëzimin, judenjtë dhe kombet, në një Kishë të vetme, ka dashur gjithashtu të mbledhë tek Ai gjërat që janë subjekte të ligjeve të natyrës dhe të asaj që urdhëroi në Ligjin e shkruar. Për këtë arsye, në këtë ditë, kur natyra bëhet gati të shpalosë një tjetër cikël të stinëve, ne kujtojmë ndodhinë kur Zoti Jisu Krisht hyri në sinagogë dhe hapi librin e Isaias e lexoi vargun kur profeti thotë në emrin e Tij: “Shpirti i Zotit është mbi mua, sepse ai më ka lyer të ungjillëzoj të varfrit… të shpall vitin e pëlqyeshëm të Zotit” (Lluk. 4.18-19).
Dhe në këtë mënyrë, sot mbarë Kishat, të mbledhura në një mendje, lavdërojnë me një zë Atë që është unik në natyrën e Tij dhe i trefishtë në Persona, që banon në një shkëlqim të përjetshëm, që i mban të gjitha gjërat në jetë dhe derdh bekime mbi veprat e duarve të Tij në të gjitha kohët. Është vetë Krishti që na çel dyert e vitit dhe që na fton ta pasojmë Atë, për të marrë pjesë gjithashtu në përjetësinë e Tij.
* * * *
40 Oshënaret Dëshmore: Efterpi, Thalia, Theanoja, Theonimfi, Kaliroi, Kalisti, Klioja, Kleoniki, Kleopatra, Koralia, Ralia, Margarita, Marianthi, Melpomeni, Mosko, Urania, Pandora, Penelopi, Polimnia, Sapfoja, Terpsihori, Haidheftoja, Hariklea, Meletina, Mandoja, Athina, Akrivia, Antigoni, Aspasia, Afrodhiti, Diona, Elpiniki, Epasmia, Eratoja, Simona, Izmini, Politimi, Adhamantia, Αnda, Rumbina.
Këto gra të shenjta kishin ardhur në Adrianopojë, në Thrakë. Të udhëhequra nga dhjaku Amun, ato ndiqnin Krishtin në rrugën që të çon në Mbretërinë e Qiejve, në atë të virgjërisë dhe të largimit nga bota. Ato u arrestuan nga Baudus, guvernatori i provincës dhe u torturuan mizorisht, sepse mohuan t’u sakrifikojnë idhujve, por qëndruan të palëkundura në lutje të pandërprerë sikur torturat të ishin të huaja për trupat e tyre. Shën Amunit ia çanë ijët ndërsa e mbanin të varur në shtyllë dhe në kokë i vunë një helmetë të skuqur.
Prifti idhujtar, që kishte qëndruar përballë tij në vendin e ekzekutimit, papritur u ngrit lart në ajër si shenjë e dukshme e zemërimit hyjnor dhe qëndroi kështu për shumë kohë, derisa ra përtokë e dha shpirt.
Martiret u çuan në Veria dhe më pas në Iraklia, që t’i nxirrnin përpara tiranit Licinius (321-323). Dhjetë nga gratë e shenjta u dogjën; tetë vdiqën me prerje koke; dhjetë të tjera dhanë shpirt pasi u goditën në gojë e në kraharor me pjesën e sheshtë të shpatës. Nga dymbëdhjetë që mbetën, gjashtë vdiqën nga shpata dhe gjashtë të tjerat u vranë duke u futur sasi metali të shkrirë në gojë.
* * * * *
– Jisui i Naviut –
Jisui, biri i Naviut, nga fisi i Efremit, ishte shërbëtori besnik dhe pasuesi i Ligjvënësit Moisi (4 shtator). Emri i tij ishte Osea, por Moisiu ia ndryshoi, duke e quajtur Jisu, kur e dërgoi si zbulues në vendin e Kanaanit (Num. 13:16). Gjatë Eksodit, kur populli i Perëndisë luftonte Amalekitët, Jisui ishte në krye të një kompanie luftëtarësh të zgjedhur kundër tyre, kurse Moisiu lutej në majë të malit, me krahët e lartësuar në lutje (Eks. 17:9).
Kur Moisiu fjeti, Jisui i Naviut u zgjodh nga Perëndia të udhëhiqte popullin, i cili do të ecte më këmbë, përtej Jordanit. Lumi gurgullues u tërhoq, duke u ngritur në një digë, për sa kohë këmba e priftërinjve që mbanin Arkën e Besëlidhjes prekte ujin, kështu izraelitët mundën të hynin të gjithë në Tokën e Premtuar, ashtu siç kaluan nëpër Detin e Kuq kur lanë Egjiptin. Priftërinjtë që mbanin arkën, qëndronin në dhé të fortë, në mes të lumit, derisa njerëzit Kaluan përtej dhe pas kësaj ujërat u kthyen në vendin e tyre (Jis. Nav. 3:4).
Kur mbërritën në vendin ku rrjedh qumësht e mjaltë, Jisui i rrethpreu të gjithë izraelitët dhe ata ruajtën pashkën si shenjë e Besëlidhjes së përjetshme me Perëndinë e tyre. Kur Jisui ishte gati të rrethonte Jerikonë, Kryeengjëlli Mihail iu shfaq me një shpatë në dorë. I kujdesshëm, pasi Tunduesi mund të shfaqet si një engjëll drite (II Kor. 11.24), Jisui e pyeti dhe i tha: “Ti je me ne apo me kundërshtarët?”. “Kam ardhur tani si komandant i ushtrisë së Zotit”, ishte përgjigjja që mori. Jisui ra përpara tij me fytyrë përtokë, duke pasur besim në ndihmën e Zotit e duke qenë i ndërgjegjshëm për padenjësinë e tij thellë në shpirt. Ai hoqi këpucët meqë e urdhëroi Kryeengjëlli, ngaqë vendi ishte i shenjtë (Jis. Nav. 5:13).
Kështu populli mori Jerikonë me anë të fuqisë së Perëndisë, vetëm duke i rënë trumbetave dhe duke i ardhur vërdallë qytetit me Arkën e Besëlidhjes. Asnjë nga qytetet e tjera apo popujt që ndodheshin aty nuk ishin të aftë të kuptonin fuqinë e besnikëve të Perëndisë, që i drejtonte Jisui. Një ditë kur Izraelitët luftonin kundër amoritëve në Gibeon, Jisui i Naviut kërkoi një shenjë që Perëndia do të luftonte kundër armiqve të tyre. Me porosi të Zotit, ai thirri me zë të lartë përpara tërë Izraelit: “Diell, qëndro mbi Gibeonin, dhe ti, o hënë, në luginën e Ajalonit!”
Dhe me të vërtetë, dielli ndaloi lëvizjen e tij në mes të qiellit për gjatë tërë ditës, ndërsa izraelitët i mposhtën të gjithë armiqtë. “Dhe një ditë të tillë nuk pati as më parë dhe as më vonë, që Zoti të dëgjonte zërin e njeriut, sepse Zoti luftoi për Izraelin” (Jis. Nav. 10.13-14).
Emri Jisu do të thotë “shpëtimtar” njësoj si ai i Shpëtimtarit të vërtetë, Zotit tonë Jisu Krisht. Veprat e Jisuit të Naviut janë një kumtim paraprak i shpëtimit tonë në Jisu Krishtin, i Cili na denjëson të kapërcejmë, pa u mbytur, ujërat e vdekjes dhe na fut në gëzimin e kënaqësive të përjetshme të Parajsës, duke korrur fitore bashkë me ne mbi armiqtë tanë, djajtë dhe mbi pasionet. Pasi Jisui e kishte gjykuar popullin në drejtësi të plotë për 27 vjet në Kanaan, fjeti në paqe në moshën 110-vjeçare.
* * * * *
– Oshënar Simeon Stiliti. –