– Ungjilli – Marku 6:14-30.

Edhe dëgjoi mbreti Herod, se emri i tij (i Jisuit) ishte bërë i njohur, edhe thoshte se Joani që pagëzonte është ngjallur prej së vdekurish, edhe prandaj fuqitë punojnë me anë të tij. Të tjerë thoshin se është Ilia. Por të tjerë thoshin se është profet ose si një nga profetët. Po Herodi, kur dëgjoi, tha se ky është Joani, të cilit unë i preva kryet; ai është ngjallur prej së vdekurish.

Sepse vetë Herodi dërgoi e zuri Joanin, edhe e lidhi në burg për Herodiadën, gruan e Filipit, vëllait të tij, sepse e kishte marrë për grua. Sepse Joani i thoshte Herodit se s’është e udhës të kesh ti gruan e vëllait tënd. Edhe Herodiada i mbante mëri, edhe donte ta vriste, po nuk mundej.

Sepse Herodi kishte frikë nga Joani, duke e ditur atë për njeri të drejtë dhe të shenjtë; edhe e ruante, edhe duke e dëgjuar atë bënte shumë gjëra, edhe e dëgjonte me kënaqësi. Edhe kur erdhi një ditë e volitshme në të cilën Herodi u bëri darkë për ditëlindjen e tij të mëdhenjve të tij e kryemijësve e të parëve të Galilesë, edhe si hyri e bija e Herodiadës dhe kërceu, edhe i pëlqeu Herodit e atyre që ishin ndenjur bashkë në tryezë, mbreti i tha vajzës: Kërkomë ç’të duash dhe do të ta jap.

Edhe i bëri be asaj, se çfarëdo që të më kërkosh do të ta jap, deri në gjysmën e mbretërisë sime. Edhe ajo doli e i tha së ëmës: Ç’të kërkoj? Edhe ajo tha: Kryet e Joan Pagëzorit. Edhe përnjëherë hyri me nxitim te mbreti, e kërkoi duke thënë: Dua të më japësh tani në pjatë kryet e Joan Pagëzorit. Edhe mbreti u hidhërua fort, po për betimet që kishte bërë, edhe për ata që ishin ulur bashkë me të në tryezë, nuk deshi të shkelte premtimin.

Edhe menjëherë mbreti dërgoi një roje dhe urdhëroi të sillet kryet e atij. Edhe ai shkoi e i preu kryet në burg; edhe e pruri kryet e tij mbi pjatë dhe ia dha vajzës; dhe vajza ia dha së ëmës. Dhe nxënësit e tij, kur dëgjuan, erdhën dhe ngritën trupin e tij, edhe e vunë në varr.

Edhe apostujt mblidhen tek Jisui dhe i rrëfyen të gjitha, edhe sa bënë, edhe sa mësuan.