– Apostulli – Veprat e Apostujve 13:25-32.

Edhe Joani, kur po mbaronte udhën e tij, thoshte: Cili pandehni se jam unë? Unë nuk jam ai; po ja tek vjen pas meje ai, të cilit nuk jam i denjë t’i zgjidh sandalet e këmbëve.

O burra vëllezër, bijtë e farës së Abrahamit, edhe sa janë ndër ju që kanë frikë Perëndinë, te ju u dërgua fjala e këtij shpëtimi. Sepse ata që rrinë në Jerusalem dhe të parët e tyre, pasi nuk e njohën këtë, as fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë, i përmbushën ato, kur e gjykuan, edhe ndonëse s’gjetën asnjë faj për vdekje, kërkuan prej Pilatit që të vritet. Edhe pasi mbaruan gjithë ato që ishin shkruar për të, e zbritën prej drurit dhe e vunë në varr. Po Perëndia e ngjalli prej së vdekurish. Edhe ai u duk për shumë ditë tek ata që u ngjitën bashkë me të prej Galilesë në Jerusalem, të cilët janë dëshmitarë të tij tek populli. Edhe ne po ju japim juve lajmin e mirë për premtimin që u qe bërë etërve, se këtë Perëndia e përmbushi te ne bijtë e tyre, duke ngjallur Jisuin.