E Diela X e Mateut, Etërit tanë Shpirtëror, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 21.08.2022 (Tekst)

 

“Edhe sikur të keni mijëra mësues më Krishtin, nuk keni shumë etër; sepse unë ju linda më Krishtin Jisu me anë të ungjillit” (v. 15)

Në pjesën e sotme të apostullit, shën Pavli, themeluesi i aq kishave vendore, duke iu drejtuar korinthianëve, u kujton me sa mundime arriti t’i sjellë në besën e Krishtit. E gjithë puna e tij apostolike ishte edhe një mundim, një sakrificë, një përulësi. I sakrifikoi të gjitha, u privua edhe nga të domosdoshmet. Pati uri, pati etje, mbeti i zhveshur. Kaloi, madje, edhe rreziqe, herë nga njerëz të këqij, që e urrenin, herë nga vëllezër të rremë, që e kishin smirë, dhe herë të tjera nga faktorët natyrorë përgjatë udhëtimeve të tij. Si përfundim, për këtë qëllim, pranoi përbuzje, fyerje, sharje dhe shpifje. Mbi të gjitha, nuk deshi të shfrytëzojë detyrën e tij, as t’i bëhet barrë dikujt për mirëqenien e tij. Deri në atë moment që shkruan letrën, punon me duart e tij për të siguruar ushqimin e tij. Por, lind pyetja: Përse i thotë gjithë këto?

I

Ishte i pari që predikoi në Korinth (Vep. 18:1), atje ku duroi shumë pësime nga judenjtë dhe idhujtarët. Pas shën Pavlit edhe Apolloi dhe predikues të tjerë të besimit erdhën në Korinth (Vep. 18:1) dhe predikuan; dhe ata i quan “mësues”, sepse edhe ata i mbështetën korinthianët në shprestari; por veten e tij e quan atë, sepse ai ishte i pari që predikoi Ungjillin dhe i ktheu, nga mashtrimi i idhujve, në të vërtetën e besës së krishterë; i rilindi ata dhe, nga trupor, i tregoi shpirtëror; nga tokësor, i tregoi qiellor. “Jua shkruaj këto” -thotë- “o korinthianë, jo që t’ju turpëroj, por që t’ju këshilloj, si bijtë e mi të shtrenjtë; sepse edhe sikur të keni mijëra mësues më Krishtin, nuk keni shumë etër”, të cilët munden dhe kanë të drejtën t’ju këshillojnë pa ndrojtje, dhe me aq guxim dhe dashuri, t’ju qortojnë për mëkatet tuaja, ashtu si unë që jam ati juaj shpirtëror, që ju rilinda shpirtërisht, duke ju mësuar të vërtetën e Ungjillit.

Zemra apostolike e shën Pavlit digjej nga dashuria për bijtë e tij shpirtëror. Dhe, ajo dashuri më Krishtin përbënte forcën lëvizëse të përkujdesjeve të tij apostolike. Donte t’u transmetonte, jo vetëm Ungjillin, por edhe shpirtin e tij (I Thes. 2:8). Mundohej me dhimbje për të formuar brenda tyre Krishtin (Gal. 4:19). Nuk pushonte së këshilluari secilin prej tyre, me shumë lot, duke synuar ndërtimin e tyre shpirtëror dhe qëndrueshmërinë e tyre në jetën më Krishtin (Vep. 20:31, Efe. 4:12-16).

* * *

Të drejtën për të shkruar, siç shkruante, Apostulli e merrte nga lidhja që ekzistonte midis tij dhe korinthianëve. Shën Pavli ishte atë shpirtëror dhe korinthianët ishin bijtë e tij shpirtëror. Predikuesit e tjerë ishin mësues më Krishtin. Sado që duket se është e njëjta gjë, ka ndryshim midis tyre. Ati lind, mësuesi formon. Ati lind diçka nga qenia e tij, diçka që deri atëherë nuk ekzistonte; mësuesi, thjesht, ftohet të formojë atë që një atë e solli në ekzistencë dhe në jetë. Nëse shën Pavli e thekson kaq shumë veçantinë e tij, si atë i korinthianëve, nuk e bën që të mburret dhe as që të mbrojë detyrën e tij, por që të tregojë dashurinë e paanë që ushqente ndaj korinthianëve, si atë i tyre shpirtëror.

II

Prindërit natyral, bashkimi i gjakut të të cilëve janë fëmijët e tyre, nuk veprojnë instinktivisht, si kafshët, vetëm për të siguruar të nevojshmet e jetesës. Dhe megjithëse nuk i anashkalojnë këto, si një veprim i rëndësishëm mbrojtjeje në jetën e natyrshme të personit të fëmijës së vogël, që në fazën embrionale dhe gjatë lindjes dhe gjatë zhvillimit, ëndërrojnë edhe lartësimin e fëmijës së tyre në një personalitet moral shumë të bukur, me autoritet projektues dhe imponues në shoqëri, dhe përparim në jetën personale. Kështu që edhe prindërit të shijojnë lëvdatat e emrit të mirë të fëmijës së tyre, që do të pasqyrohen edhe tek ata.

Atje, brenda ciklit të përkujdesjeve të tyre fizike dhe materiale, mbizotëron ai element që ka përjetësi dhe vlerë të paprishëshme, edukimi i fëmijëve sipas nxitjes së apostull Pavlit: “Ju etër, mos i zemëroni bijtë tuaj, por rritini ata me mësim e me këshillë të Zotit” (Efes. 6:4). Rilindjen shpirtërore të fëmijëve, prindi e merr si detyrë, nëse ai vetë është i rilindur shpirtërisht, përndryshe ata fëmijë do të mbeten, thjesht, një trup i gjallë dhe do të rriten pa u arritur qëllimi i martesës, përderisa hyjnë në shoqëri si qenie të gjalla, duke vepruar sipas mishit dhe jo sipas frymës së Krishtit.

Fëmijët, atëherë, katandisen, jo thjesht në njësi të padobishme të shoqërisë ku jetojmë, por shumë herë edhe në plagë dhe thëngjij të ndezur për prindërit e tyre, prej të cilëve trashëguan një copë mishi, që u gatua natyrisht në formë njeriu, brenda organizmit të tyre, dhe asgjë më tepër, përveç indiferentizmit fetar dhe të metave të tyre.

* * *

Apostujt dhe etërit e Kishës, ndër shekuj, por edhe vetë Kisha, me mjetet e saj të veçanta, u përpoq, bashkë me hirin e Pagëzimit të shenjtë, dhe shkollat e katekizmit, të japë tek fëmijët atë që prindërit, si faktor edukues të shpirtit të tyre, nuk ua dhanë. Nëse prindërit dhanë trupin e gjallë tek fëmijët, Kisha, nëpërmjet Pagëzimit të shenjtë, ungjillëzimit të së vërtetës hyjnore shpëtuese dhe fjalës hyjnore, i rilind shpirtërisht, në mënyrë që të dallohen nga organizmat e tjerë të gjallë.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin. Kisha jonë quhet apostolike, sepse u themelua mbi predikimin e Apostujve. Shën Pavli, qoftë duke qortuar, apo qoftë duke lavdëruar; qoftë duke ngushëlluar, apo qoftë duke këshilluar, tregohet kështu atë shpirtëror i shpirtrave të rilindur nëpërmjet Ungjillit. Këtë vepër të rilindjes së shpirtrave vazhdon sot Kisha, në mënyrë që, me brumin e saj shpirtëror, të brumoset shoqëria, që kështu, tek secili që beson, “të formohet Krishti”. U bëftë!