Mesha e Dhuratave të Parashenjtëruara.

 

    Siç kemi thënë më parë, Mesha Hyjnore eukaristike nuk kremtohet në Kishën Orthodhokse gjatë ditëve të Kreshmës së Madhe. (Përveç të Shtunave dhe të Dielave, që nuk janë ditë kreshmore). Por, me qëllim që besnikët të ndihmohen nga Kungata e Shenjtë në përpjekjen e tyre kreshmore, Kisha ka caktuar Meshën e Dhuratave të Parashenjtëruara. Kjo është një shërbesë e vjetër në Kishën Orthodhokse. Zyrtarisht për të flitet në kanonet e shekullit 7-të, gjë që tregon qartë se ajo është akoma më e hershme. Gjatë gjithë ditëve të agjërimit të shenjtë në Kreshmë, përveç Sabatit, Ditës së Zotit dhe ditës së shenjtë të Ungjillizimit, duhet të shërbehet Mesha e Dhuratave të Parashenjtëruara (Kanoni 52, Sinodi Kuinisekst, 692).

    Mesha e Dhuratave të Parashenjtëruara është një shërbesë mbrëmësore. Ajo është një Mbrëmësore kreshmore solemne, në të cilën është shtuar dhënia e Kungatës së Shenjtë. Nuk ka shenjtërim të dhuratave eukaristike në Meshën e Parashenjtëruar. Kungimi i Shenjtë jepet prej dhuratës eukaristike, të shenjtëruar gjatë së Dielës së mëparshme, nga ku vjen edhe emri i “parashenjtëruar”. Mesha e Dhuratave të Parashenjtëruara kryhet çdo të Mërkurë dhe të Premte në mbrëmje*. Ajo kryhet mbas një dite përgatitje shpirtërore dhe agjërimi të plotë. Besnikët që nuk munden të mbajnë një agjërim të plotë, për shkak të punës së rëndë, normalisht hanë herët një mëngjes të lehtë.

    Gjatë psalmeve të Mbrëmësores, përgatiten për Kungim Dhuratat e Parashenjtëruara. Ato merren prej Tryezës së Shenjtë dhe vendosen në Tryezën e Blatimit (Proskomidhi). Mbas himnit mbrëmësor lexohen pjesë nga librat e Dhiatës së Vjetër (Gjenezës dhe Fjalëve të Urta). Ndërmjet dy leximeve prifti bekon popullin e gjunjëzuar me një qiri të ndezur, duke thënë: “Drita e Krishtit u ndrit të gjithëve”, duke treguar me këtë, se e gjithë dituria i është dhënë Kishës nga Krishti, nëpërmjet Shkrimit dhe Mistereve. Fillimisht ky bekim i drejtohej katekumenëve, atyre që përgatiteshin të pagëzoheshin në Pashkë, të cilët qëndronin në shërbesë deri në kohën e Kungimit të besnikëve (Shih më poshtë). Mbas leximeve këndohet solemnisht psalmi mbrëmësor 140, i shoqëruar me temjanisjen. Pastaj, mbas Lutjes së Gjerë dhe lutjeve për katekumenët (pas të cilave dikur katekumenët përlëshoheshin), dhuratat e parashenjtëruara sillen në Tryezën e Shenjtë me një procesion solemn dhe me një heshtje të thellë. Kënga e Hyrjes i thërret besnikët për Kungim. Tani fuqitë qiellore (d.m.th. engjëjt), bashkë me ne padukurisht meshojnë. Se ja tek hyn Mbreti i Lavdisë. Ja therore mistike e kryer po vjen rreth. Me besë e me dashuri le të afrohemi, që të bëhemi pjesëtarë të jetës së përjetshme. Aliluia. Aliluia. Aliluia.

    Mbas Litanisë dhe lutjeve, thuhet Ati ynë dhe besnikët marrin Kungatën e Shenjtë, ndërsa psaltët këndojnë në mënyrë recitative një herë apo më shumë, sipas numrit të atyre që kungohen, troparin “Në darkën tënde mistike…” ose vargun e Psalmit 33 “Shijoni dhe shihni se Zoti është i mirë. Aliluia.” Pastaj këndohen himnet mbas-Kungimorë dhe besnikët shkojnë me lutjen drejtuar Perëndisë, “që na ka sjellë në këto ditë të shenjta për pastrimin e pasioneve mishore” dhe që do të na bekojë “për të luftuar luftën e mirë, për të mbaruar kreshmën dhe për të arritur adhurimin e Ngjalljes së Shenjtë” të Krishtit. Tradicionalisht, Mesha e Dhuratave të Parashenjtëruara është parë si vepër e Shën Grigorit, papë i Romës, në shekullin e 6-të. Por shërbesa e tanishme, është padyshim krijimi i frymëzuar liturgjik i Bizantit të krishterë.
_____________________
* Në disa kisha kjo bëhet në mëngjes. Gjithashtu, kjo Meshë kryhet të enjten e Javës së 5-të të Kreshmëve, për arsye të Kanonit të Madh, të Hënën e Madhe, të Martën e Madhe dhe të Mërkurën e Madhe si edhe në të kremtet e gjetjes së parë dhe të dytë të kokës së Pararendësit të Nderuar (24 Shkurt), të 40 Dëshmorëve të Shenjtë (9 Mars) edhe çdo të kremte lokale, kur ato bien të hënën, të martën, të mërkurën, të enjten dhe të premten e Kreshmëve të Mëdha. Por, në të kremten e Ungjillizimit, në çfarëdo dite të bjerë, kryhet Mesha Hyjnore e Shën Joan Gojartit.