Pas shumë vitesh përpjekjeje dhe pune të pandërprerë në qytetin e Lezhës përfunduan punimet për ndërtimin e kishës së komunitetit orthodhoks të qytetit. Data 13 nëntor 2005, e diel,  do të shënohet, nga besimtarët e qytetit dhe të zonës përreth, si gëzimi më i madh i tyre komunitar si edhe në historinë e kishës lokale të Lezhës, ditë në të cilën u krye Liturgjia e parë Hyjnore në kishën e re të Metamorfozës së Shpëtimtarit Krisht. Merrnin pjesë besimtarë nga qyteti i Lezhës, i Shkodrës e i Laçit, por edhe të ardhur nga zona të tjera. Në fillim u krye Shërbesa e Hapjes së Dyerve dhe e Ajazmës, e drejtuar nga Kryepiskopi Anastas. Besimtarët ndoqën me lutje e gëzim këtë moment solemn dhe më pas kryepiskopi i ftoi ata të hynin në kishën e re, e cila do t’i mbajë dyert hapur çdo ditë për besimtarët orthodhoksë lezhjanë dhe të zonës përreth.

    Për ndërtimin e kësaj kishe u ble një truall me sipërfaqe prej 820 metra katrorë, nga të cilat 323 metra katrorë i përkasin godinës së kishës. Ndërsa në territorin rreth saj përfshihet edhe një godinë, që do jetë banesa e priftit, që do të shërbejë aty, si dhe zyrat e enorisë. Ndërtimi i kësaj kishe ka nisur në 28 shtator të vitit 2000 dhe përfundoi në tetor 2005. U investuan rreth 51 milionë lekë të rinj përmes fondeve të siguruara nga Kryepiskopi Anastas me ndihmën e donatorëve.

    Ndërtimi i kësaj kishe është me të vërtetë një lavdërim për Perëndinë, për bekimin e madh që fali për një kishë tjetër në Shqipëri. “Ne jetuam një përndjekje të ashpër ku u përpoqën të zhduknin çdo gjurmë të besimit fetar. Por për lavdi të Perëndisë në këto 14 vitet e fundit përsëri jetojmë në gëzimin e ngjalljes së Kishës sonë. Duhet të falënderoj të gjithë ata që u lodhën për të realizuar ngritjen e kësaj kishe kaq të bukur, e cila i përkushtohet Metamorfozës së Shpëtimtarit dhe për më tepër do të jetë një simbol që ka për të ftuar mbarë njerëzit këtu në Shqipëri, që me hirin dhe fuqinë e Zotit tonë të shndërrohemi nga çka jemi tek ajo që Perëndia do që ne të bëhemi” – tha gjatë fjalës së tij, Kryepiskopi Anastas.

    Qëllimi i ndërtimit të kishave nuk është kufizimi vetëm tek këto objekte, por që në zemrat e njerëzve të ndërtohen sa më tepër kisha shpirtërore. Në këtë pikë gjithsecili ka një përgjegjësi të veçantë. “Kisha nuk përbëhet thjesht nga disa ndërtesa të jashtme, por është trupi i Krishtit dhe ku gjithsecili nga ne ka nderin e madh për të qenë gjymtyrë e këtij trupi dhe qelizë e këtij trupi mistik të Krishtit. Kishte tepër rëndësi që kjo kishë të ndërtohej, por duhet sa më shumë të zbukurohet dhe të jetë plot me hirin dhe bukurinë e pranisë së Shpirtit të Shenjtë. Dhe këtë përgjegjësi të madhe e kemi që të gjithë ne. Dhe sa herë hapet një kishë e re orthodhokse është përsëri një shembull për të na rikujtuar, që duhet të bëjmë një rifillim të ri, që të gjithë të përpiqemi të bëhemi realisht tempuj dhe kisha të Shpirtit të Shenjtë. Dhe ky fakt është ai çka do ta mbajë të gjallë Kishën Orthodhokse këtu në Shqipëri” – nënvizoi kryepiskopi. Në predikimin e tij kryepiskopi interpretoi dhe shpjegoi leximin ungjillor të ditës “paravolinë e Samaritanit të mirë” dhe rëndësinë e porosisë për të ndihmuar pa paragjykime dhe sinqerisht të afërmin tonë. 

    Pas Liturgjisë, besimtarë dhe të rinj pjesëmarrës në konferencën rinore të Dioqezës së Tiranës, që u zhvillua në Shëngjin, bënë një fotografi si kujtim të kësaj dite. Më pas përfaqësues të komunitetit orthodhoks të Lezhës e të Shkodrës, organizuan një pritje si dhe koktej për kryepiskopin, në të cilën edhe e falënderuan nga thellësia e zemrës për gjithë ato që ka bërë në këto vite për ta dhe veçanërisht për kishën e re.

Isidor Koti