– Apostulli – Titi 1:1-5, 2:15-3:2, 12-15.

 

Pavli, shërbëtor i Perëndisë, edhe apostull i Jisu Krishtit, sipas besimit të të zgjedhurve të Perëndisë, edhe sipas njohjes së të vërtetës që është sipas besëtarisë, me shpresë për jetën e përjetshme, të cilën e premtoi Perëndia që s’gënjen, përpara kohëve të përjetshme, edhe shfaqi në kohë të caktuara fjalën e tij me anë të predikimit që m’u besua mua sipas urdhrit të Shpëtimtarit tonë Perëndi; Titos, birit të vërtetë sipas besimit tonë të përbashkët, i qoftë hir, përdëllim, paqe prej Perëndisë Atë, edhe prej Zotit tonë Jisu Krisht, Shpëtimtarit tonë.

Prandaj të lashë në Kretë, që të ndreqësh të metat, edhe të vendosësh në çdo qytet pleq siç të urdhërova unë.

Këto fol dhe porosit dhe qorto me çdo pushtet; asnjëri le mos të të përçmojë.

Kujtoju atyre t’u nënshtrohen kryesive e pushteteve, t’u binden atyre, të jenë gati për çdo punë të mirë. Asnjërin të mos shajnë, të mos zihen, të jenë të butë, duke treguar çdo embëlsi për gjithë njerëzit.

Kur të dërgoj Artemain ose Tihikun tek ti, shpejto të vish tek unë në Nikopojë, sepse atje vendosa të dimëroj. Ligjtarin Zina dhe Apolloin përcilli me kujdes, që të mos u mungojë atyre asgjë.

Edhe le të mësojnë edhe tanët të jenë të parë për punë të mira për nevojat e domosdoshme, që të mos jenë të pafrytshëm.

Të përshëndesin të gjithë ata që janë bashkë me mua. Përshëndeti ata që na duan në besim.