Hierodëshmor Kozmai Në Kolkondas (Fier)
Lindi në një fshat të vogël të Etolisë, Mega Dhendron, në dioqezën e Artës (rreth vitit 1714). Prindërit e tij ishin njerëz të thjeshtë dhe besimtarë, që e edukuan në frikën e Perëndisë dhe me dashurinë për Shkrimet e Shenjta. Kur ishte 20 vjeç shkoi në Malin e Shenjtë për të studiuar në Akademinë, që atëherë ndodhej në varësi të manastirit të Vatopedhit. Atje jepte mësim i famshmi Evgjen Vulgaris. Por, nga reagimet ndaj kësaj shkolle për idetë e reja që tansmetonte, e detyruan Vulgarisin dhe mësues të tjerë të njohur të braktisnin Athosin. Për këtë arsye shkolla nisi të humbiste rëndësinë (1759).
Kjo ishte për Kozmain një shenjë nga Përkujdesja Hyjnore: hoqi dorë nga studimet, për t’u bërë murg në manastirin e Filotheut, ku zelli për përpjekjet asketike dhe shpresëtaria e tij e bënë të denjë në një kohë të shkurtër të hirotonisej prift. Që nga rinia, i lumuri kishte një dëshirë të madhe për të përhapur fjalën e Perëndisë, saqë shqetësimi për shpëtimin e vëllezërve e kishte gllabëruar krejtësisht, ashtu krimbi e gërryen drurin nga brenda tij.
Në ato kohë të vështira për popullin e krishterë të shtypur, injoranca rreth bazave të besimit dhe kulturës së krishterë kishte sjellë neglizhencën dhe dekadencën e moralit, prandaj predikimi i Ungjillit ishte nevoja më e ngutshme. Por, duke pasur parasysh mësimin e etërve, shën Kozmai nuk donte të niste jetën apostolike me vullnetin e tij.
Një ditë, duke dashur të mësonte vullnetin e Perëndisë, hapi një ditë Shkrimin e Shenjtë rastësisht dhe lexoi apostullin që thotë: “Askush le të mos kërkojë të mirën e tij, por secili të tjetrit” (1 Kor. 10:24). I ndriçuar në këtë mënyrë nga hiri i Perëndisë dhe pasi mori këshillën e etërve shpirtërorë të Malit të Shenjtë, shkoi në Konstandinopojë të merrte disa mësime retorike pranë vëllait të tij, arkimandrititi Krisanth.
Apostull i ri e nisi veprën predikuese në kishat e krahinës së Konstandinopojës, pastaj shkoi drejt zonave perëndimore të Greqisë: Nafpakto, Brahori, Mesolongji dhe Thesali. Pasi u tërhoq disa kohë në Athos, mori autorizimin nga patriarku Sofroni II (1774-1780), për të predikuar në arkipelagun e Cikladeve, që të ngushëllonte popullatën e dekurajuar për shkak të disfatës së tentativës për kryengritje të nxitur nga Rusia (1775). Së andejmi, u tërhoq në manastir, e qëndroi 17 vjet në Malin e Shenjtë. Por zemra i digjej nga dashuria për vëllezërit dhe nuk e linte të qetë. Shkoi përsëri në Selanik dhe përshkoi tërë Maqedoninë, ku mblidhej popull i shumtë për ta dëgjuar.
Nga Qefalonia shkoi në ishullin e Zakinthos, pastaj në Korfuz dhe zbriti në Epir, ku Krishterimi ndodhej në një gjendje të mjerueshme. Atje predikoi Besimin Orthodhoks dhe fuqizoi të krishterët, duke i nxitur të mos ndryshonin fenë. Në këto krahina bëri edhe shumë mrekulli dhe arriti të korrigjojë zakonet e këqija tek besimtarët.
Fjala e tij ishte e thjeshtë dhe e kuptueshme për të gjithë. Përdorte shprehje të jetës së përditshme, fliste ëmbël, me paqen dhe gëzimin e Shpirtit të Shenjtë. Meqë kishat nuk mund të mbanin dot numrin e madh të besimtarëve që grumbulloheshin pranë këtij apostulli të ri, predikonte në natyrë, i ngjitur mbi një stol, që e merrte kudo me vete, pranë një kryqi të madh, që e ngulte në tokë. Ky kryq shndërrohej më pas në burim shërimesh të sëmundjeve shpirtërore dhe trupore. Ai i mësonte të krishterët të jetonin sipas mësimeve të Perëndisë dhe të respektonin të dielën, ditën e Zotit, duke shkuar në kishë dhe duke ruajtur pushimin e shenjtë për të dëgjuar Fjalën e Perëndisë. Kudo ku kalonte, themelonte shkolla- diçka që e quante thelbësore- ku mësohej shkrim e këndim dhe Shkrimet e Shenjta. Ai i bindte të pasurit të dhuronin më tepër, për të shpërndarë tek më të varfrit, libra fetarë, kryqe dhe komboskinë, si dhe i nxiste të ofronin pagëzimore nëpër kisha për pagëzimin e fëmijve.
Një turmë prej dy mijë deri në tre mijë besimtarësh e ndiqte ngado, aq sa ata i ngjasonin një ushtrie të Krishtit, që e ndiqte shenjtorin kudo në mbarë Shqipërinë. Ata e shikonin shën Kozmain si Enokun ose Profetin Ilia, që kishte ardhur për të lajmëruar agimin e një epoke të re. Para se niste predikimin, shën Kozmai kryente shërbesën e mbrëmësores ose një paraklis tek Nëna e Zotit, pastaj, pasi fliste, linte 50 priftërinjtë që e shoqëronin të vazhdonin veprën më tej, me anë të rrëfimit, kryerjes së Shërbesës së Efqelisë, të Kungimit të Shenjtë dhe vizitave tek çdo njeri.
Mësimi i shenjtorit nuk kishte asnjë tendencë polemike, por ishte i kufizuar në mësimdhënien e virtyteve engjëllore, duke u respektuar madje edhe nga Ali Pashai i Janinës, i cili i bëri dhurata dhe nderime. Pavarësisht këtyre fakteve, disa judenj, të nxitur nga smira dhe të xhindosur për faktin që shenjtori e kishte zhvendosur pazarin e të së dielës, ditën e shtunë, e bindën pashain e Beratit ta vriste shenjtorin.
Kozmai e kishte zakon, që para se të niste predikimin, të shkonte dhe të kërkonte bekimin e episkopit të vendit. Pastaj dërgonte disa nga nxënësit e tij të kërkonin edhe autorizimin e pushtetarëve civilë turq. Ai mbërriti një ditë në një fshat të Shqipërisë të quajtur Kolkondas dhe mësoi se pashai i krahinës, Kurt Pashai, nuk ndodhej larg së andejmi, por ishte në Berat. Shenjtori vendosi të shkojë personalisht për t’i kërkuar lejë dhe kur shkoi tek ai, mësoi se ky i fundit kishte marrë urdhër nga Kurt Pashai për ta çuar tek ai. Kur dëgjoi këto fjalë, shën Kozmai e kuptoi se kishte mbërritur çasti për ta kurorëzuar veprën e tij me anë të martirizimit. Ai lavdëroi Perëndinë, që e kishte gjykuar të denjë për një nder kaq të madh dhe ditën e nesërme, më 24 gusht 1779, shtatë ushtarë e shoqëruan me pretekstin se do ta çonin tek pashai në Berat. Por pas dy orësh, ata ndaluan pranë lumit Seman dhe i bënë të ditur lajmin për ekzekutimin e tij. Shenjtori, plot me gëzim dhe duke falënderuar Perëndinë, bekoi me shenjën e Kryqit të katër anët e horizontit dhe u lut për shpëtimin e të krishterëve. Nuk pranoi t’i lidhnin duart, sepse donte të mbante një kryq dhe pa bërë kundërshtimin më të vogël, u var në një pemë, duke ia dorëzuar shpirtin e tij Perëndisë me lavdi. Ishte 65 vjeç.
Të krishterët nisën ta kërkojnë trupin e tij, që ushtarët e flakën në lumë, me rrjetat e tyre të peshkimit, por nuk ia dolën dot. Tri ditë më vonë, një prift i quajtur Marko, që kishte bërë lutje, zbuloi lipsanin e nderuar të shenjtorit që po pluskonte mbi ujë, në këmbë, njësoj sikur shenjtori të ishte i gjallë. E nxorën nga uji dhe pasi i veshën rrobat e tij murgërore, e varrosën me nderime. Mrekulli të shumta ndodhën pranë varrit dhe nëpërmjet lipsaneve të tij të shenjta. Në vitin 1813, Ali Pasha i Janinës, të cilit shën Komzai i kishte parathënë të ardhmen, ndërtoi një kishë dhe një manastir pranë vendit të varrit dhe ia ofroi kryet e tij në një kuti argjendi, gruas së tij, Vasilikisë.
Predikimi i shën Kozmait ndihmoi në mënyrë vendimtare për zgjimin e besimit dhe të ndjenjës patriotike të të krishterëve. Shenjtori u nderua menjëherë nga populli si një apostull i ri dhe princi i neomartirëve. Nderimi i tij u pranua zyrtarisht nga Patriarkana Ekumenike në vitin 1967.