– Ungjilli – Mattheu 23:29-39.
Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse ndërtoni varret e profetëve edhe stolisni përmendoret e të drejtëve. Edhe thoni: Po të ishim ne në ditët e etërve tanë, nuk do të ishim pjesëtarë me ata në gjakun e profetëve. Kështu pra dëshmoni për veten tuaj se jeni të bijtë e atyre që vranë profetët. Mbushni edhe ju masën e etërve tuaj. Gjarpërinj, pjellë nepërkash, si do të ikni nga dënimi i gjehenës?
Prandaj, ja unë tek do të dërgoj tek ju profetë, edhe të ditur, edhe shkrues; edhe disa nga ata do t’i vrisni e do t’i kryqëzoni, edhe disa nga ata do t’i fshikulloni nëpër sinagogat tuaja edhe do t’i ndiqni nga qyteti në qytet, që të vijë mbi ju çdo gjak i drejtë që derdhet mbi dhe, që nga gjaku i Abelit të drejtë e deri në gjakun e Zaharisë, birit të Barahiut, të cilin e vratë ndërmjet tempullit dhe therores. Me të vërtetë po ju them juve: Të gjitha këto do të vijnë mbi këtë brez.
Jerusalem, Jerusalem, që vret profetët, edhe vret me gurë ata që janë dërguar tek ti, sa herë desha të mbledh bijtë e tu, sikundër i mbledh klloçka zogjtë e saj nën krahë, po nuk deshët? Ja shtëpia juaj tek po ju lihet e shkretë. Sepse po ju them juve: Nuk do të më shihni më, deri sa të thoni: I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit.