Dëshmor Mironi
Shën Mironi u martirizua rreth vitit 250, kur perandor ishte Deci. Duke qenë se rridhte nga një familje e pasur, Mironi mund të jetonte me të gjitha të mirat që dëshironte. Veçse dashuria e tij e madhe për Krishtin e nxiti që të bëhej prift. Iu përkushtua kështu plotësisht detyrës së tij baritore, duke ndihmuar dhe mësuar çdo pjesëtar të grigjës së tij. Por kujdes të veçantë dhe të përditshëm i kushtonte të varfërve, të vejave dhe jetimëve.
Kryetari i Akaisë, Antipatri, shkoi në kishën ku meshonte shenjti ditën e Krishtlindjeve me qëllim që të arrestonte dhe të dënonte shumë të krishterë. Më pas i solli ata përpara Mironit dhe i tha se do t’i lironte me kusht që ai të mohonte besimin te Krishti. “Në qoftë se do të ishte për shpëtimin e fëmijëve të mi shpirtërorë, tha shenjti, do të isha i gatshëm të jepja jetën time, por tani nuk bëhet fjalë për këtë, pasi ata vetë duhet të përgjigjen”.
Atëherë të gjithë të krishterët së bashku thanë me zë të lartë: “Shpirti i njeriut është pafundësisht herë më i çmuar se mijëra trupa dhe se e gjithë bota. Askush nuk do të dëshironte që të humbiste shpirtin e tij ati ynë shpirtëror, në mënyrë që ne të jetojmë pak më shumë në këtë botë të përkohshme”. Atëherë Antipatri, i egërsuar nga përgjigjja, pasi e torturoi në mënyrë çnjerëzore shenjtin, urdhëroi që t’i pritej koka.
* * * * *
Dëshmorët Stratoni, Filipi, Eftihiani Dhe Qipriani
Këta martirë jetonin në Nikomedi, kryeqytetin e Perandorisë së Lindjes. Ata e kishin si zakon të shkonin në hyrje të amfiteatrit për të predikuar besimin e vërtetë tek paganët dhe për t’i nxitur të largoheshin nga idhujtaria e zbavitjet e tyre të egra.
Një ditë guvernatori i Nikomedisë shkoi në amfiteatër për të marrë pjesë në lojërat dhe u habit kur pa se populli, që ishte mësuar në besimin e krishterë nga shenjtorët, nuk kishte ardhur për t’u zbavitur me dëfrimet e kota të cirkut dhe kishte hequr dorë nga supersticionet e kota pagane, duke përqafuar një mënyrë të re jete.
Ai i thirri pa humbur kohë shenjtorët, të cilët para tij pohuan besimin e tyre dhe e pranuan se e kishin mësuar popullin në doktrinën e Krishtit. Ua dhanë si ushqim kafshëve të egra në cirk, por ato nuk i cenuan shenjtorët. Pas shumë torturave të ndryshme, në fund i hodhën në një furrë të ndezur, ku ia dorëzuan me gëzim Perëndisë shpirtrat e tyre, duke korrur në qiell kurorën e fitores.