– Ungjilli – Llukai 9:51-57, 10:22-24, 13:22.
Edhe ndodhi që kur po mbusheshin ditët e ngjitjes së tij në qiejt atëherë ai vuri syrin për të shkuar në Jerusalem. Edhe dërgoi lajmëtarë përpara tij, të cilët si shkuan, hynë në një fshat të samaritanëve, për të bërë gati vend për të. Edhe nuk e pritën atë, sepse ai ishte duke shkuar në Jerusalem. Edhe nxënësit e tij Jakovi e Joani kur panë, thanë: Zot, a do që të themi të zbresë zjarr nga qielli dhe t’i shfarosë, siç bëri edhe Ilia? Po ai u kthye e i qortoi dhe tha: Ju nuk e dini të çfarë fryme jeni. Biri i njeriut nuk erdhi të humbë shpirtra njerëzish, por të shpëtojë. Edhe shkuan në tjetër fshat.
Edhe ndodhi që kur ata po ecnin udhës, dikush i tha: Zot, do të të vij pas kudo që të shkosh.
Edhe si u kthye nga nxënësit tha: Të gjitha m’u dhanë në dorë prej Atit tim; edhe asnjë nuk di cili është Biri, veç Ati; edhe cili është Ati, veç Biri, edhe ai, të cilit të dojë Biri t’ia zbulojë.
Edhe u kthye tek nxënësit, e u tha veçan: Lum sytë që shohin këto që shihni ju. Sepse po ju them juve, se shumë profetë e mbretër deshën të shihnin ato që shihni ju, po nuk i panë; edhe të dëgjonin ato që dëgjoni ju, po nuk i dëgjuan.
Edhe shkonte nëpër qytete e nëpër fshatra duke mësuar dhe udhëtuar për në Jerusalem.