-Transferimi i lipsanit të Maksim Omologjetit –

 

Në 13 gusht Kisha Orthodhokse feston transferimin e lipsanit të Maksim Omologjetit/Konfesorit që u vendos në manastirin ku shenjti ishte igumen. Theologu Maksim emri i të cilit në latinisht do të thotë: më i madh, lindi në vitin 580, nga një familje aristokrate e Konstandinopojës. Duke qenë dijetar e filozof, hoqi shpejt dorë nga puna si kryesekretar i perandorit Irakli. U bë murg dhe më pas igumen në Manastirin e Hyjlindëses, afër Konstandinopojës.

Por invazionet persiane kundër Konstandinopojës e detyruan të zhvendosej për dy vjet në Kizikë të Proponditës dhe më vonë në Afrikë, ku shkoi nëpërmjet Kretës dhe ndoshta nëpërmjet Qipros. U bë kundërshtari më i fortë i Monothelizmit, degë e Monofizitizmit, si dhe udhëheqës i orthodhoksëve për më tepër se 25 vjet. Veproi në sinode dhe kumtoi në një gamë shumë të gjerë me një mendim mjaft të thellë.

Në vitin 645 shkoi në Romë, në sinodin që e bëri protagonist kryesor. Atje Maksimi dënoi dy dekrete të perandorit Konstandini III, çka bënë që ai të arrestohej dhe të dërgohej së bashku me dy nxënësit e vet, shën Anastasët, në Bizant ku u akuzua si komplotist së bashku me dy vëllezërit e tij shpirtërorë. U internuan tri herë pas gjyqeve respektive në kryeqytet. Iu bënë anatema, i nxorën nëpër rrugë dhe iu prenë gjuhën dhe dorën e djathtë.

Oshënar Maksimi, i burgosur në një kështjellë të Kaukazit, fjeti në gusht të vitit 662.

Shkroi në një stil të dendur shpjegimet e Shkrimit të Shenjtë dhe interpretime të Grigor Theologut dhe të shën Dionis Areopagjitit. Për më tepër la në trashëgim vepra origjinale liturgjike, vepra dogmatike dhe luftarake kundër herezive, si edhe 47 letra.