– Ungjilli – Mattheu 18:1-11

 

Në atë orë erdhën nxënësit tek Jisui e i thanë: Vallë, cili është më i madh në mbretërinë e qiejve? Edhe Jisui thirri pranë vetes së tij një fëmijë të vogël, edhe e vendosi atë në mes të tyre, e tha: Me të vërtetë po ju them juve, në mos u kthefshi e të bëheni si fëmijët e vegjël, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve. Ai që të përulë pra veten e tij si ky fëmijë i vogël, ky është më i madh në mbretërinë e qiejve. Dhe ai që të presë një të këtillë fëmijë të vogël në emrin tim, më pret mua. Po kush të shtyjë në mëkat një nga këta të vegjlit që beson tek unë, është më mirë për të t’i varet një gur mulliri i madh rreth qafës, edhe të hidhet në fund të detit.

Mjerë bota nga skandalet! Sepse është e nevojshme të vijnë skandalet, po mjerë ai njeri, prej të cilit vjen skandali. Edhe në të skandalizoftë dora jote a këmba jote, preje, dhe hidhe prej teje; është më mirë për ty të hysh në jetë me një këmbë a me një dorë, se të kesh dy duar a dy këmbë e të hidhesh në zjarr të pasosur. Edhe në të skandalizoftë syri yt, nxirre dhe hidhe prej teje; më mirë është për ty të hysh në jetë me një sy vetëm, se të kesh dy sy e të hidhesh në gjehenën e zjarrit.

Shikoni, mos shpërfillni një nga këta të vegjlit; sepse po ju them juve, se engjëjt e tyre në qiejt shohin gjithnjë faqen e Atit tim që është në qiejt. Sepse i Biri i njeriut erdhi të shpëtojë të humburin.