– Apostulli – 1 Petros 1:1-2:10.

 

Pjetri, apostull i Jisu Krishtit, atyre që banojnë në dhe të huaj, të shpërndarë nëpër Pont, Galati, Kapadoqi, Azi e Bitini, të zgjedhur sipas paranjohjes së Perëndisë, Atit, me anë të shenjtërimit të Frymës, për bindje e spërkatje të gjakut të Jisu Krishtit; hir dhe paqe u shumofshin mbi ju.

Qoftë i bekuar Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jisu Krisht, i cili sipas përdëllimit të tij të shumtë na lindi përsëri në shpresë të gjallë me anë të ngjalljes së Jisu Krishtit prej së vdekurish, për një trashëgim të paprishur e të papërlyer e të pavyshkur, që është ruajtur ndër qiejt për ne të cilët me fuqinë e Perëndisë ruhemi me anë të besimit, për shpëtimin që është gati për t’u zbuluar në kohët e fundit.

Për këtë gëzohuni, ndonëse tani pakëz, po në u dashtë, hidhërohuni në çdo lloj ngasjesh, që provimi i besimit tuaj që është shumë më i çmueshëm se ari që prishet, ndonëse provohet me anë zjarri, të gjendet për lëvdim dhe për nder e lavdi, kur të zbulohet Jisu Krishti, të cilin, ndonëse s’e keni parë, e doni; tek i cili, ndonëse tani nuk e shihni, besoni dhe ngazëlloheni me gëzim të parrëfyeshëm e të lavdërueshëm, duke marrë të pastajmen e besimit tuaj, shpëtimin e shpirtrave; shpëtim për të cilin kërkuan dhe vëzhguan profetët që profetizuan për hirin që do të jepej mbi ju; duke vëzhguar në cilën apo në çfarë kohe shfaqej Fryma e Krishtit që ishte mbi ata, kur dëshmonte që më përpara për pësimet e Krishtit dhe për lavditë pas tyre; të cilëve iu zbulua jo për veten e tyre, po për ne i bënin ato, të cilat tani ju janë lajmëruar juve me anë të atyre që ju ungjillëzuan me anë të Frymës së Shenjtë, që u dërgua nga qielli, gjëra për të cilat engjëjt dëshirojnë të zgjaten për t’i parë.

Prandaj si të ngjishni meset e mendjes suaj, përmbani veten nga të ligat, edhe kini shpresë të plotë në hirin që do të vijë mbi ju, kur të zbulohet Jisu Krishti. Si bij të dëgjueshëm, mos u bëni si në të njëjtën formë me dëshirimet e mëparshme që kishit në padijen tuaj. Por siç është shenjt ai që ju thirri, kështu edhe ju bëhuni shenjtorë në gjithë sjelljen tuaj.

Sepse është shkruar: “Bëhuni shenjtorë, sepse unë jam shenjt” .

Edhe në quani Atë atë që gjykon pa mbajtur anë sipas punës së gjithësecilit, shkoni me frikë kohën e qëndrimit tuaj në këtë dhe të huaj; duke ditur se nuk u çliruat nga jeta juaj e kotë që ju kanë lënë etërit me gjëra që prishen, me argjend ose me ar, por me gjakun e çmuar të Krishtit, si të një qengji patëmetë e të panjollë; i cili qe paracaktuar përpara se të ngrihet bota, por u shfaq në kohët e fundit për ju, që me anë të atij i besoni Perëndisë që e ngjalli atë prej së vdekurish, e i dha atij lavdi, që besimi dhe shpresa juaj të jetë në Perëndinë.

Si të pastroni pra shpirtrat tuaj me bindjen në të vërtetën me anë të Frymës, për një dashuri vëllazërore e pa dy faqe, të doni fort njëri-tjetrin me zemër të kthjellët; sepse jeni lindur përsëri jo prej fare që prishet, po prej fare që s’prishet, me anë të fjalës së Perëndisë që rron e që mbetet për gjithë jetën. Sepse “çdo mish është si bar, edhe çdo lavdi njeriu si lule bari; u tha bari, edhe lulja e tij ra. Po fjala e Zotit mbetet për gjithë jetën”. Edhe kjo është fjala që u ungjillëzua tek ju.

Si të hidhni tej pra çdo ligësi e çdo mashtrim, edhe hipokrizira, edhe smira e çdo përfolje, si foshnja të sapolindura, të dëshironi qumështin e thjeshtë të shpirtit, që të rriteni me anë të tij për shpëtim, sepse e keni ngjëruar “se Zoti është i mirë”.

Duke u afruar pranë tij, gurit të gjallë, të hedhur tej nga njerëzit, por për Perëndinë i zgjedhur, i çmuar, edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtohuni në shtëpi shpirtërore, priftëri të shenjtë, që të blatoni therorë shpirtërorë, të pranuar tek Perëndia me anë të Jisu Krishtit. Prandaj dhe thuhet në Shkrim: “Ja tek vë në Sion një gur kryeqosheje, të zgjedhur, të çmuar; edhe ai që i beson atij nuk do të turpërohet”.

Për ju pra që besoni, është i çmuar; po për të pabindurit “guri që hodhën tej ndërtuesit, ky u bë i qoshes dhe gur pengese e gur skandali”; të cilët pengohen në fjalën, sepse nuk binden, gjë për të cilën edhe ishin caktuar. Po ju jeni “brez i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë”, popull që fitoi Perëndia, që të tregoni vitytet e atij që ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme; ju, të cilët dikur nuk ishit popull, por tani jeni popull i Perëndisë; ju që dikur nuk ishit të përdëllyer, po tani u përdëllyet.