Metamorfoza e Zotit tonë dhe shpëtimtarit Krisht (Sotirit).

 

Në Ungjillin e sotëm, Jisui i udhëheq dishepujt e tij në një mal të lartë dhe u tregon atyre lavdinë e Tij hyjnore. Ashtu si Theofania, edhe Metamorfoza është një e kremte drite. Metamorfoza është zbulim i Trinisë së Shenjtë. Në malin Tabor, ashtu si në pagëzimin e shenjtë në Jordan, Ati flet nga qiejt duke dëshmuar birin hyjnor, Krishtin. Por edhe Shpirti i Shenjtë është i pranishëm në këtë ngjarje, jo si një pëllumb, por në formën e një drite verbuese që rrethon Krishtin dhe hedh dritë mbi gjithë malin.

Kjo dritë verbuese është drita e Shpirtit të Shenjtë. Metamorfoza ndodhi 40 ditë para vuajtjeve të Krishtit. Ai e zgjodhi këtë moment të veçantë që t’u shfaqte dishepujve diçka nga lavdia e Tij hyjnore, me qëllim që të bëhej gati të duronte vuajtjet mbi kryq, veçse kisha jonë e kremton këtë ngjarje në 6 gusht.

Metamorfoza na paraqet potencialin e plotë të natyrës njerëzore dhe lavdinë, e cila do të mbulohet përsëri nga hiri i Perëndisë. Tre dishepujt, Petroja, Jakovi dhe Joani bëhen dëshmitarë të lavdisë së Krishtit. Ata e panë fytyrën e Tij “të ndriçonte si diell”. Krishti iu shfaq dishepujve në Malin Tabor jo si një shërbëtor, por në formën e Perëndisë, si personi i tretë i Trinisë së Shenjtë. Ky trupëzim mbetet i pandashëm nga natyra e tij hyjnore, e cila është e përbashkët me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë. Shfaqja e hyjnisë së Krishtit është njëkohësisht një theofani e trinisë. “Ati me anën e zërit dëshmoi Birin e tij të dashur, ndërsa Shpirti i Shenjtë u ndriçua bashkë me të me anën e resë së shndritshme”.

Apostujt, pasi dëgjuan zërin e Atit dhe panë renë e shndritshme, ranë në gjunjë, ndërsa Krishti, gjatë Metamorfozës, qëndronte në majën e malit duke folur me Moisiun dhe Ilian. Që të dy profetët e kishin nga një vizion prej Perëndisë: Moisiu në malin Sina, ndërsa Ilia në Karmel. Moisiu përfaqëson të vdekurit, ndërsa Ilia, që u mor në qiell nga një karrocë e zjarrtë, përfaqëson të gjallët. Por Krishti në malin Tabor na paraqitet si Zot i të vdekurve dhe i të gjallëve duke na dhënë karakterin eskatologjik të Metamorfozës. Apostujt, në ditën e Metamorfozës, e panë lavdinë e Krishtit dhe shijuan gëzimin e Parajsës.