Saloma Miroprurëse

 

Grua e Zevedheut dhe nëna e apostujve Jakov dhe Joan, Salomeja (emri i të cilës do të thotë paqe), ishte e afërme e së Tërëshenjtës Mari, Nënës së Perëndisë. Ajo ndoqi Krishtin gjatë gjithë veprës së Tij tokësore. Një ditë, ende pa njohje për kuptimin e vërtetë të misionit të Zotit tonë dhe duke besuar se Ai kishte ardhur për të vendosur një mbretëri tokësore, i kërkoi t’u caktonte të bijve një vend nderi. Krishti e korrigjoi, duke i kujtuar se ata që duan të kenë pjesë në lavdinë e Tij duhet që përpara të kungojnë në kupën e Pësimit të Tij (shih Mt. 20:20).

Salomeja tregoi një guxim më të madh se nxënësit që braktisën Zotin. Ajo ishte e pranishme gjatë kryqëzimit, në shoqërinë e Hyjlindëses dhe të një Marie tjetër (Mk. 15:40; Jn.19:25) dhe kur kaloi e shtuna, shkoi dhe bleu miro për të lyer trupin e Tij (Mk. 16:1) dhe, së bashkë me gratë e tjera, u bënë dëshmitaret e para të Ngjalljes së Tij.

 

 

* * * *

Oshënarët Isaaku, Dalmati, Fausti

 

Oshënar Dalmati ishte ushtar, por shpirti i tij i perëndishëm u pushtua nga dëshira për t’iu përkushtuar Perëndisë dhe Krijuesit të tij. Kështu, bashkë me të birin, Faustin, filloi të vizitonte vazhdimisht murgun Isaak (30 maj), fama e të cilit kishte mbledhur pranë tij shumë djem të përkushtuar, për t’u bërë murgj. Ai u dallua edhe për qëndrimin e guximshëm që tregoi ndaj perandorit heretik Oulis, kur u takua me besimtarët gjatë fushatës së tij kundër skithëve.

Dalmati u shqua mes vëllezërve të tjerë për virtytet e tij të rralla, aq sa e zgjodhën për ta bërë igumen pas fjetjes së Isaakut të urtë. Virtyti dhe jeta e tij engjëllore u vlerësuan edhe nga Etërit e Sinodit III Ekumenik, që u mblodh në vitin 431 në Efes, ku shenjtorin e ngritën në gradën e arkimandritit.

Shembullin dhe rrugëtimin e shën Dalmatit, i cili fjeti në paqe, e ndoqi edhe i biri, Fausti, duke e dëshmuar veten pasardhës i denjë i të atit.

 

* * * * *

Oshënarja Theoklitoja

 

Lindi në veriperëndim të Azisë së Vogël dhe shkëlqeu në kohën e sundimit të Theofilit (829-842). Prindërit e saj shpresëtarë, Kostandini dhe Anastasia, e frymëzuan me besimin, por edhe i bënë presion për ta martuar me një burrë gjithashtu të virtytshëm, Zaharinë, me të cilin jetuan bashkë në harmoni.

Studionte sistematikisht Shkrimin e Shenjtë, lutej nxehtësisht dhe jepte lëmoshë me dorë të lëshuar, derisa parandjeu dhe paratha ditën e fjetjes së saj. Lipsani i saj i shenjtë bënte mrekulli. Përmendet më tej se mbeti i paprishur dhe çdo vit, kur i ndërronin rrobat, i prisnin thonjtë që i rriteshin, si të ishte e gjallë.

Përderisa shenjtorja nëpër Sinaksarë cilësohet oshënare, me sa duket, pas vdekjes së burrit të saj, mbase ajo përqafoi jetën murgjërore. Një gjë të tillë e dëshironte kurdoherë, meqenëse virtytet i kishte kultivuar që në kohën kur ishte e martuar. Theoklitoja, greqisht do të thotë: e ftuar nga Perëndia.