Transferimi i Lipsanit të Stefanit, Dëshmori i Parë.
Pas vrasjes me gurë të Stefanit, Gamalieli, mësuesi i shën Pavlit për sa i takonte studimit të Ligjit, por që u kthye në besimin e vërtetë nga apostujt, nxiti edhe disa të krishterë të tjerë ta shoqëronin për të varrosur trupin e Stefanit në Kafargamala, pronë që i përkiste atij, 20 milje larg Qytetit të Shenjtë.
Pas 40 ditësh, Nikodhimi, dishepulli i natës, i cili i kishte shpëtuar persekutimit që shpërtheu në Jerusalem, arriti në qytetin e Gamalielit, xhaxhait të tij, për ta strehuar. Ai vdiq disa ditë më vonë nga plagët që kishte marrë dhe u varros pranë Stefanit. Kështu edhe Gamalieli bashkë me djalin e tij 20-vjeçar vdiqën.
Shumë vite më vonë, kur varret e tyre u harruan, Lukiani, një prift shpresëtar i fshatit të Kafargamalës, e pa shën Stefanin t’i shfaqej tri herë i veshur me rroba dhjaku, mbi të cilat ishte qëndisur emri i tij me shkronja të kuqe e të arta. Kishte flokë të bardhë, veshur me sandale dhe mbante në dorë një shkop ari, me anë të të cilit godiste lehtësisht Lukianin, duke e thirrur me emrin e tij. Ai e urdhëroi të lajmëronte episkopin e Jerusalemit, Joanin, të ndihmonte për gjetjen e lipsaneve të shenjtit, sepse me anën e tyre do të kryheshin shumë mrekulli. Lukiani e lajmëroi episkopin dhe ai e urdhëroi të gërmonte në vendin ku i tregoi shenjti dhe ai gjeti një grumbull gurësh.
Shën Stefani iu shfaq përsëri Lukianit e i tha se këta gurë ishin një memorial i ngritur gjatë varrimit të tij dhe se ai duhej të kërkonte varrin e tij pak më në veri. Pasi kërkuan shpejt, zbuluan një pllakë guri, mbi të cilën ishin shkruar në hebraisht emri i Stefanit, i Nikodhimit dhe i Habibit. Në atë moment toka u drodh dhe një parfum erëmirë u përhap përreth, duke u kryer edhe 73 mrekulli.
Gjithashtu thuhet se u dëgjuan edhe zëra engjëllorë që psalnin: “Lavdi Perëndisë që është në më të lartat dhe mbi dhenë paqe dhe mbi njerëzit mirëdashje!”. Në vendin e gjetjes së lipsaneve erdhi edhe episkop Joani bashkë me dy episkopë të tjerë dhe trupin e shenjtit e transferuan në kishën e Sionit të shenjtë në Jerusalem, në 26 dhjetor të vitit 415. Një shi i bollshëm i dha fund thatësirës që kishte prekur prej kohësh Palestinën.
Tregohet se, pak më vonë, vejusha e themeluesit të kishës në të cilën janë vendosur lipsanet e shën Stefanit, dëshironte të transferonte në Konstandinopojë trupin e bashkëshortit të saj, por, për shkak të ngjashmërisë që kishin kutitë që mbanin kockat, ajo transferoi lipsanet e shenjtit.
Gjatë gjithë rrugës ndodhën mrekulli të ndryshme dhe, kur anija mbërriti në portin e Kalqedonisë, demonët, që ishin fshehur në anije, u larguan nga një zjarr që i digjte. Kur anija u ankorua, kutia me lipsanet e shenjta u vendos mbi një karrocë që e tërhiqnin disa mushka.