– Apostulli – Veprat e Apostujve 6:8-7:5, 47-60.

 

Edhe Stefani plot me besim e me fuqi, bënte çudira e shenja të mëdha në popull. Po u ngritën disa nga sinagoga që quhet e Libertinëve, edhe e Kireneasve, edhe e Aleksandrinëve, edhe të atyre nga Kilikia e nga Azia, e diskutonin me Stefanin. Edhe nuk mundnin të dilnin kundër urtësisë edhe Frymës, me të cilin fliste. Atëherë vunë njerëz të thonë se e dëgjuam duke folur fjalë blasfemie kundër Moisiut dhe Perëndisë. Edhe ngritën në këmbë popullin e pleqtë e shkruesit, edhe duke u hedhur mbi atë e mbërthyen, edhe e prunë në kuvend.

Edhe nxorën përpara dëshmitarë të rremë, që thoshin: Ky njeri nuk pushon së foluri fjalë blasfemie kundër këtij vendi të shenjtë, edhe kundër ligjit. Sepse e dëgjuam atë duke thënë se Jisu Nazaretasi do ta prishë këtë vend, edhe do të ndërrojë zakonet që na ka lënë Moisiu. Edhe gjithë ata që rrinin në kuvend, kur hodhën sytë tek ai, panë fytyrën e tij si fytyrë engjëlli.

Atëherë kryeprifti tha: Vallë, a janë këto kështu? Edhe ai tha: O burra vëllezër dhe etër, pa dëgjoni. Perëndia i lavdisë iu shfaq atit tonë Abrahamit, kur ishte në Mesopotami, para se të banonte në Haran, edhe i tha: “Dil prej dheut tënd e prej farefisit tënd, edhe eja në atë dhe që do të të tregoj ty”. Atëherë ai doli nga dheu i Kaldenjve dhe shkoi e banoi në Haran. Edhe që andej, pas vdekjes së të atit, e pruri të banojë në këtë dhe, në të cilin banoni ju tani. Edhe nuk i dha atij trashëgim në të as një këmbë dhe; po i premtoi se do t’ia japë për zotërim atij, edhe farës së tij pas atij, ndonëse s’kishte ende fëmijë.

Edhe Solomoni i ndërtoi atij shtëpi. Po i Larti nuk rri në tempuj që bëhen me dorë, siç thotë profeti: “Qielli është froni im, edhe dheu nënkëmbëse e këmbëve të mia; çfarë shtëpie do të ndërtoni për mua? thotë Zoti; ose cili është vendi i prehjes sime? A nuk i ka bërë dora ime këto të gjitha?”

O zverkashpër dhe të parrethprerë në zemër e në veshë, ju gjithnjë i rrini kundër Frymës së Shenjtë; si etërit tuaj, kështu edhe ju. Cilin nga profetët nuk përndoqën etërit tuaj? Po edhe i vranë ata që paralajmëruan për ardhjen e të Drejtit, të cilit ju tani iu bëtë tradhtarë e vrasës, ju që morët ligjin prej porosive të engjëjve dhe nuk e ruajtët.

Edhe ata kur dëgjonin këto, u tërbuan në zemrat e tyre, edhe kërcëllonin dhëmbët kundër tij. Po ai, që ishte plot me Frymë të Shenjtë, hodhi sytë në qiell, e pa lavdinë e Perëndisë, edhe Jisuin duke ndenjur nga e djathta e Perëndisë, edhe tha: Ja tek po shoh qiejt të hapur dhe të Birin e njeriut duke ndenjur nga e djathta e Perëndisë. Atëherë ata bërtitën me zë të madh, e zunë veshët e tyre, edhe me një mendje u vërsulën mbi të.

Edhe pasi e nxorën jashtë qytetit, e qëllonin me gurë. Dhe dëshmitarët lanë rrobat e tyre pranë këmbëve të një djaloshi që quhej Saul. Edhe qëllonin Stefanin me gurë tek lutej e thoshte: O Zoti Jisu, prano shpirtin tim. Edhe si u ul në gjunjë, thirri me zë të madh: O Zot, mos ua zër atyre këtë mëkat; edhe duke thënë këtë fjeti.