– Ungjilli – Mattheu 10:16-22

Ja tek po ju dërgoj unë juve si dhen në mes të ujqve; bëhuni pra të mençur si gjarpërinjtë, dhe të pastër si pëllumbat. Edhe ruhuni nga njerëzit; sepse do t’ju dorëzojnë ju nëpër kuvende, edhe do t’ju fshikullojnë nëpër sinagogat e tyre; Edhe do të silleni për shkakun tim përpara prijësve edhe përpara mbretërve, për dëshmi në ta dhe në kombet.

Po kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se si apo ç’do të flisni, sepse do t’ju jepet juve në atë orë se ç’do të flisni. Sepse nuk jeni ju ata që flisni, po Fryma e Atit tuaj që flet ndër ju. Edhe vëllai do të dorëzojë të vëllanë në vdekje, edhe i ati të birin; edhe bijtë do të ngrenë krye kundër prindërve e do t’i vrasin.

Edhe do të urreheni nga të gjithë për emrin tim; por ai që të durojë deri në fund, ky do të shpëtojë.