– 7 Makabejtë, Solomona dhe Eleazari –

 

Sipas traditës emrat e të shtatëve janë: Avim (ose Aviv) Anton (ose Antonini), Guria, Eleazar, Efsevoni, Ahim, (ose Samona ose Evlal ose Marku) dhe Markel. Për ta rrëfehet në Makab.II (6:18-7.42) dhe më gjerë në Makab. IV (kap. 5:18). Makab. IV është jashtë listës kanonike të Librave të Dhiatës së Vjetër.

Pra, mbreti i Sirisë, Antioki IV (175-164 para Kr.), i detyronte skllevërit e tij hebrenj të bëheshin idhujtarë. Njëherë i sollën një prift plak, mësues i ligjit, që quhej Eleazar (hebraisht do të thotë: Perëndia është ndihmës), Solomonën (hebraisht: paqësore) dhe shtatë fëmijët e saj. Për më saktë, këta shenjtorë nuk morën pjesë të drejtpërdrejtë në lëvizjen e Makabejve (hebraisht do të thotë: farkëtarë) që ishte një lëvizje politiko-ushtarake dhe nacional-fetare. Ka shumë mundësi të bënin pjesë te Asidejtë (hebraisht do të thotë: shpresëtarë) arketipat e Farisejve që ishin një grupim ekskluzivisht fetar, paralel dhe ndihmës i Makabejve.

Pra, “këshillat” e tiranit nuk e bindën Eleazarin të shijonte mishin e derrit i cili, sipas Dhiatës së Vjetër, ishte i papastër. As që u shtir për diçka të tillë, siç e sugjeruan të tjerë. E fshikulluan atëherë jashtë mase dhe i vunë flakën, duke i hedhur në hundë lëngje me erë të keqe. Kjo gjë vazhdoi derisa ata e karbonizuan.

Gjithashtu të rinjtë përballuan lajka dhe premtime. Por ata, të palëkundur, u torturuan në mënyrë të frikshme me “rrota”, me vegla për nxjerrjen e kyçeve, kazanë, tiganë, doreza hekuri që rripnin madje edhe fytyrën, u dogjën me zjarr. Shpallnin pa frikë besimin e tyre dhe shpërblimin e tij pas vdekjes, nxisnin njëri-tjetrin për të duruar. Por burrërinë më të mahnitshme e tregoi gruaja. Nëna e ve nxiste bijtë e saj, madje edhe atë më të voglin, të qëndronin besnikë, d.m.th. të duronin vdekjen më të frikshme! Më pas u hodh edhe vetë në zjarr.

Këta martirë burrërinë e të cilëve e theksoi si shembull vetë Antioki dhe e ngritën lart Etër të mëdhenj të Kishës u bënë pararendës të martirëve të krishterë. Refreni i historisë së tyre: “Pa dyshim mbizotërues i pasioneve është arsyetimi shpresëtar”. Lipsani i heroinës ruhet në Patriarkanën Ekumenike ndoshta është lipsani më i vjetër që është ruajtur.

 

* * * *

– Oshënare Dëshmore Elesa –

 

Shën Elesa ishte bija e një fisniku pagan të Peloponezit. U rrit në besimin e drejtë nga e ëma. Kur ajo vdiq, Elesa ishte 14 vjeç. I ati donte ta martonte; por ajo nuk pranoi, ngaqë ia kishte kushtuar jetën Krishtit.

Duke përfituar nga mungesa e të atit, shpërndau shumë lëmosha dhe hipi në një anije, në shoqërinë e dy shërbëtoreve të saj. Ato zbritën në ishullin e Kithirës, që ishte i shkretë dhe banohej vetëm nga kafshë të egra. Kur mbërritën aty, shenjtorja ngjalli me lutjet e saj një prej marinarëve, që kishte vdekur nga kafshimi i një gjarpri.

Kur i ati u kthye në shtëpi dhe zbuloi për ikjen e Elesës, u nis ta kërkonte, i tërbuar, me qëllimin për ta vrarë. Gjeti kapitenin e anijes dhe e detyroi ta çonte atje ku ndodhej e bija.

Pas kërkimesh të ethshme, më në fund e gjeti pranë një mali të lartë, në jug të Kithirës. Në fillim u përpoq ta bindte me anë të lotëve e përgjërimeve. Kur pa se nuk pranonte të kthehej, duke preferuar më mirë të jetonte me kafshët e egra se sa në një vend me idhujtarët, i tërbuar nga inati ai e kapi për flokësh, e tërhoqi përtokë dhe e goditi fort, ndërsa ajo thoshte: “Perëndi, ki mëshirë për mua!”. Pastaj ai e vari për flokësh në një pemë dhe e torturoi deri sa vdiq. Sapo ai e uli trupin përtokë, shenjtorja u ngjall përsëri dhe u largua së andejmi. Një shkëmb u hap nën këmbët e saj dhe e lejoi të kalonte në shpatin tjetër të malit. Xhelati arriti ta kapë përsëri, i theu nofullën me një gur dhe pastaj i preu kokën (375).

Një prej shërbëtoreve të shën Elesës, që ishte tërhequr në një vend të shkretë për t’u lutur, erdhi atje pas largimit të atit vrasës. Ajo e varrosi trupin me devotshmëri dhe gjatë dyzet ditëve që pasuan, u dëgjuan aty melodi engjëllore. Në vazhdim, të krishterët që kishin dëgjuar me admirim të madh tregimin e martirizimit të saj, shkuan në Kithira dhe mbi varrin e shenjtores ndërtuan një kishë të vogël, që u kthye në një burim mrekullish. Shën Elesa u nderua në vazhdim si mbrojtësja e ishullit.