– Apostulli – 1 Korinthianëve 7:35-8:8

 

Dhe këtë po jua them për të mirën tuaj; jo që t’ju vë lak, po që të jeni siç ka hije dhe të dhënë pas Zotit pa shqetësime. Po nëse kujton ndonjëri se sillet keq me virgjëreshën e tij, në i shkoftë asaj lulja e rinisë, edhe duhet të bëhet kështu, le të bëjë ç’të dojë; nuk mëkaton; le të martohen. Por ai që mbetet i qëndrueshëm në zemër pa pasur nevojë, po ka pushtet mbi dëshirën e vet, dhe e vendosi në zemrën e tij të ruajë virgjëreshën e tij, mirë bën. Prandaj edhe ai që e marton virgjëreshën, mirë bën; edhe ai që s’e marton, bën më mirë.

Gruaja është e lidhur nga ligji për sa kohë rron burri i saj; po në i vdektë burri, është e lirë të martohet me cilin të dojë, veçse në Zotin. Por sipas mendimit tim, më e lumur është, sikur të mbetet kështu; edhe më duket se edhe unë kam Frymë Perëndie.

Edhe sa për theroret e idhujve, dimë se të gjithë kemi dituri. Dituria krekos, por dashuria ndërton. Në i duket ndonjërit se di ndonjë gjë, ky ende asgjë nuk ka mësuar siç duhet të mësonte. Po nëse do dikush Perëndinë, ky është i njohur prej tij. Pra për ngrënien e theroreve që u bëhen idhujve, e dimë se idhulli s’është asgjë në botë, dhe nuk ka tjetër Perëndi veç një. Sepse ndonëse ka të ashtuquajtur perëndira, ose në qiell, ose mbi dhé, – siç ka shumë perëndira, edhe shumë zotër, – po për ne është një Perëndi, Ati, prej të cilit janë të gjitha, edhe ne në të; dhe një Zot, Jisu Krishti, me anë të të cilit janë të gjitha, edhe ne me anë të atij.

Por jo tek të gjithë është kjo dituri; sepse disa veta me ndërgjegjen e idhullit deri sot e hanë si therore idhulli, edhe ndërgjegjja e tyre duke qenë e dobët ndotet. Po të ngrënët nuk na afron te Perëndia; sepse edhe sikur të hamë, nuk do të kemi gjë më shumë; as sikur të mos hamë, nuk do të kemi gjë më pak.