Apostujt e dhjakonët Prohori, Nikanori, Timoni, Parmenai nga të 70 -t.

 

Prej të shtatëdhjetë apostujve (4 janar). Për arsye anomalie gjatë “agapeve (dashurive)” domethënë darkave të përbashkëta të Kishës së parë, dymbëdhjetë apostujt kërkuan dhe besimtarët zgjodhën 7 burra hyjmbajtës. Të zgjedhurit u hirotonisën prej apostujve dhe morën në ngarkim kujdesin e darkave dhe kështu ata u çliruan për t’iu përkushtuar lutjes dhe predikimit.

Pra, ishin dhjakonë që të katër që festojmë sot dhe gjithashtu dëshmori i parë Stefan (27 dhjetor), Filipi (11 tetor) dhe Nikola (Vep.6:1-6). I fundit nuk nderohet si shenjtor, sepse, sipas mendimit të shumicës së Etërve, ishte krijuesi i herezisë së shëmtuar dhe imorale të Nikolaitëve (shih Apok.2:14-15). Megjithatë ekziston dhe mendimi se ai vetë bëri një jetë të pastër, por pasuesit e tij e keqinterpretuan një frazë të tij dhe devijuan. Dhjakonët më vonë iu përkushtuan gjithashtu misionarizmit.

Tradita na informon për këta të katërt:

Prohori ndihmoi Joan Theologun Ungjillorin (26 shtator), vuajtën së bashku dhe, sipas diktimit të tij, shkroi Apokalipsin (Zbulesën). Pas jetëndërrimit të Theologut, shërbeu si episkop i Nikomedisë në brigjet aziatike të Propondidhës, ku u preh pas një punë baritore rezultative.

Nikanori fjeti në paqe të njëjtën ditë që u martirizua Stefani, megjithëse “Veprat e Apostujve” nuk e përmendin.

Timoni u bë prej apostujve episkop i Vostronëve të Arabisë. Meqë atje u përpoq ashpër dhe bëri shumë të krishterë, u rrah prej idhujtarëve dhe u dogj në zjarr.

Në fund Parmenai, pasi i shërbeu me devocion vëllezërve, u sëmur dhe dha frymë përpara apostujve, të cilët dhe e varrosën.

 

* * * * *

Dëshmor Juliani i Dalmacisë.

Dëshmori i shenjtë Julian jetoi në shek. II, në kohën e sundimit të Perandorit Antoninus Pius (138-161), në provincën italiane të Kampanjës.

Kur guvernatori Flavian dha urdhër që të sillnin të krishterët tek ai për gjykim, Juliani sapo kishte mbërritur në Kampanjë nga Dalmacia. Kur u takua me ushtarët e guvernatorit, i përshëndeti me fjalët: “Paqe, vëllezër!” Të çuditur, ushtarët e pyetën për prejardhjen dhe besimin e tij.

Juliani, i gatshëm të vuante dhe të vdiste për Krishtin, deklaroi me guxim se ishte i krishterë. Ushtarët u mahnitën nga guximi i të riut, por duke iu bindur urdhrave të tyre, e lidhën dhe e çuan te guvernatori. “Do të shohim,” i thanë, “sa të vërteta janë fjalët e tua, nëse je gati të japësh jetën për të Kryqëzuarin”.

Pasi iu ishte nënshtrua torturave, shenjtori u lut që Zoti t’i jepte forcë për të duruar deri në fund. Lutja e tij u dëgjua dhe një zë i dha forcë: “Mos ki frikë, Julian, unë jam me ty dhe do të të jap kurajë dhe guxim”. Të riun e shenjtë e mbyllën në qeli, në të cilën e mbajtën shtatë ditë pa ngrënë e pa pirë. Një engjëll i Perëndisë i solli ushqim dhe i dha zemër apologjetit.

Pas 7 ditësh e nxorën sërish para guvernatorit, i cili e ngacmoi të riun, duke i thënë se ishte e turpshme që një njeri kaq i pashëm të adhuronte të Kryqëzuarin dhe e nxiti që t’u bënte fli idhujve, por shenjtori mbeti i palëkundur në besimin e tij.

I zemëruar, Flaviani urdhëroi ta lidhnin në një pemë dhe ta rrihnin. Martiri filloi të lutej dhe përsëri dëgjoi një zë: “Mos ki frikë, Julian, qëndro trim”. Shën Juliani iu drejtua turmës dhe tha: “Dëgjoni, mos u besoni perëndive tuaja që keni bërë me duart tuaja. Më mirë njihni Perëndinë që nga asgjëja krijoi qiellin dhe tokën”.

Të nxitur nga fjalët dhe shembulli i tij, më shumë se 30 burra u kthyen në besim.

Të nesërmen u mor vendimi për ekzekutimin e Julianit. Para se ta vrisnin, Shën Juliani u gjunjëzua dhe u lut, duke falënderuar Zotin që i dha të duronte vdekje për Emrin e Tij të Shenjtë. Për herë të tretë ai dëgjoi Zërin, duke e thirrur në Mbretërinë e Qiellit. Ia prenë kokën me shpatë dhe ai u nis në të Përmbidheshmet, të cilat i deshi më shumë se jetën tokësore.