Dëshmor i madh Pandeleimoni.
U ushtrua rreth vitit 305 në vendlindjen e tij, Nikomedia, në bregdetin aziatik të Propondidës. Pandeleimon, siç quhej, ishte një mjek i dalluar, fryt i idhujtarit Efstorgi dhe e shën Evulës (30 mars), që ishte e krishterë nga paraardhësit e saj, por që vdiq herët. Duke “eksperimentuar” ai ngjalli, duke thirrur Zotin, një fëmijë që e kishte pickuar një nepërkë, kështu që u pagëzua nga shën Ermolau (26 korrik), siç është shkruar edhe atje. Prifti, d.m.th. shën Ermolau, e bëri të përsosur në besim dhe e bindi atë se Jisui shëron më me efikasitet se sa mjekësia që studionte atëherë. Ndaj Pandeleimoni u lut dhe vërtet ngjalli fëmijën.
Më vonë Pandeleimoni u bë shkak që të martirizohej Ermolau dhe të fitonte kështu kurorën, që nuk vyshket, të shenjtërisë. (Ngjarjet u treguan më qartë në jetën e shën Ermolaut). Pandeleimoni shëroi në mënyrë mrekullibërëse edhe një të verbër të pashërueshëm (kremtohet sot). Pra, u ndriçuan dhe u pagëzuan ish-i verbri dhe Efstorgi, (i cili tashmë ishte ndikuar nga i biri), por kolegët e tij bashkëkombas treguan smirë ndaj shkencëtarit shpresëtar.
Shëruesi, pas vdekjes së të atit, ndau pasurinë e vet dhe shëronte falas prandaj quhet edhe “anargjend” (pa argjend, pa pará) duke kërkuar vetëm besimin te Jisui. Mjekët e denoncuan te perandor Maksimiani (286-305). Në gjyq sollën edhe të verbrin, që tashmë ishte i krishterë entuziast, i cili u tall me mbretin, kështu që i prenë kokën. Pandeleimoni kërkoi e shëroi para tyre një të paralizuar, gjë që nuk kishin mundur ta bënin kundërshtarët e tij dhe shumë njerëz besuan.
Maksimiani më kot u përpoq ta frikësonte shenjtin, të cilin e donte pa masë. Dhe e urreu. Urdhëroi dhe e torturuan, por Perëndinjeriu (Krishti), që shfaqej si Ermolau, bënte shpesh që të mos vepronin xhelatët dhe të mos funksiononin mjetet e torturës, e shëronte dhe shpëtonte.
Por, tirani i zemëruar nuk tërhiqej. Martirin e madh e gërvishtën me thonj hekuri; e dogjën me llambadhe; e hodhën në plumb që ziente, e hodhën në det të lidhur me gur në trup; e hodhën tek egërsirat; e lidhën në një rrotë të rëndë dhe e lëshuan tatëpjetë. Shpata që do t’i priste më pas kokën, u përkul si qiri dhe ushtarët u tronditën.
Por Pandeleimoni (greqisht do të thotë: përdëllimtar i të gjithëve), kështu e quajti atëherë zëri hyjnor, u thoshte të zbatonin urdhrin, që ai të fitonte kurorën e të ushtruarit. Nga prerja që bëri shpata doli qumësht, ndërsa ulliri i thatë, në të cilin ishte i lidhur, lulëzoi menjëherë dhe lidhi fryte. Në ikonë paraqitet duke mbajtur një kuti me ilaçe.
* * * * *
Klementi (Klimi) i Ohrit, Naumi, Gorazdi, Sava dhe Angjelari.
Ati ynë i shenjtë Klementi lindi më 840 dhe ka mundësi të ketë qenë me origjinë sllave. Shumë shpejt u bë nxënës i shën Metodit (11 maj). U përpoq që gjatë gjithë jetës të imitonte mësuesin e tij.
Kur shën Metodi fjeti, armiku i tij i betuar episkopi Uiking, mori tërbim kundër dishepujve të tij, sepse mësimi i tyre po depërtonte në popull dhe e detyronte atë të largohej nga ndikimi frank. Ai i denoncoi tek Svatopluku, duke i akuzuar si magjistarë. Klementi dhe Gorazdi i shpjeguan princit se nuk dëshironin të revoltoheshin kundër autoritetit të tij por të mbrojnë dogmën orthodhokse të Trinisë së Shenjtë. Princi nuk donte t’ia dinte për argumentet e tyre, ndaj i dha në duart e gjermanëve, të cilët i tërhoqën zvarr nëpër ferra dhe i shitën si skllevër. Kryetarët e misionit bizantin: Gorazdi, Klementi, Naumi (Laurent), Sava dhe Angjelari u burgosën. U liruan nga një tërmet që e shkundi vendin. Por Svatopluku i keqtrajtoi përsëri. Pas tri ditësh, ra një tjetër tërmet, por tirani i pandjeshëm i ndëshkoi shenjtorët, i la në qeli, mbuluar me plagë dhe pa ushqim. Më vonë i dëbuan për në mbretërinë e Moravisë.
Klementi, Naumi, Angjelari dhe Sava u drejtuan nga Danubi me shpresën se do të arrinin në Bullgari. Arritën në një fshat dhe u pritën bujarisht nga një njeri, djali i të cilit sapo kishte vdekur. Me lutjet e shenjtorëve fëmija u ngrit. Pasi përshkuan Danubin, arritën në Beograd, ku qeveritari, i informuar se cilët ishin, i çoi pa vonuar shumë në oborrin e carit Boris, i cili i donte njerëzit e Perëndisë. Pas pak kohësh, cari ia besoi Klementit ungjillëzimin e krahinës së Kutmiçevicës, të Ohrit dhe të Gllavenicës (885). Falë mbështetjes së autoriteteve lokale, shenjti e përhapi fjalën e Perëndisë në popull dhe mblodhi 3500 dishepuj. I mësoi me alfabetin e zbuluar të shën Kirilit, të cilin e kishte modifikuar vetë ai dhe në të cilin përktheu shumë libra të Bizantit që Kisha të ndërtohej mbi themele të forta.
Kur cari Boris fjeti, biri i tij Simeoni (893-927) pasoi vendin e të atit dhe tregoi të njëjtin zell për ungjillëzimin e popullit të tij. E vlerësonte shën Klementin dhe e caktoi si episkop të Velicës me juridiksion Maqedoninë perëndimore. Shën Klementi, i pari hierark me origjinë sllave, u tregua një pasues i denjë i apostujve. Gjatë kësaj periudhe u mor me vazhdimin e përkthimit të librave të shën Kirilit dhe Metodit . Hartoi në gjuhën sllave një seri fjalimesh për festat kryesore të vitit, me qëllim që priftërinjtë t’i lexonin. Përktheu dhe kompozoi Shërbesa të Kishës. Themeloi në Ohër një manastir kushtuar shën Pandelimonit.
Pas 20 vjet punë apostolike, shën Klementi, në moshë të madhe, i kërkoi carit Simeon t’i jepte leje që ditët e fundit të jetës t’i kalonte në manastirin e Ohrit. Cari u hidhërua për këtë dhe nuk donte ta linte shenjtin të tërhiqej në manastir. Që atëherë, i lumuri u bind dhe nuk foli më për dorëheqje.
Në momentin që u kthye në manastir ai u sëmur dhe shën Kirili dhe Metodi i paralajmëruan largimin e tij të ardhshëm nga kjo botë. Fjeti në paqe më 27 korrik 916. Shumë shpejt u nderua si apostull i Bullgarisë, të cilën e ungjillëzoi dhe bëri organizimin e parë kishtar të saj.