– Apostulli – 2 Timotheut 2:1-10.

 

Ti pra, biri im, forcohu në hirin që është në Krishtin Jisu; edhe sa dëgjove prej meje me shumë dëshmitarë, jepua njerëzve besimtarë, të cilët do të jenë të zotë të mësojnë edhe të tjerë. Ti pra vuaj si ushtar i mirë i Jisu Krishtit.

Sepse asnjë që shkon ushtar nuk ngatërrohet me punët e jetës, që t’i pëlqejë atij që e mori ushtar. Po edhe nëse dikush ndeshet, nuk kurorëzohet, nëse nuk ndeshet sipas ligjit. Bujku që mundohet, duhet i pari të marrë pjesë nga frytet. Kupto ato që them; edhe Zoti të dhëntë mend për të gjitha.

Ki ndër mend Jisu Krishtin nga fara e Davidit që është ngjallur prej së vdekurish, sipas ungjillit tim, për të cilin vuaj deri në vargonj si keqbërës; por fjala e Perëndisë nuk lidhet. Prandaj të gjitha i duroj për të zgjedhurit, që të gjejnë edhe ata shpëtimin që është në Krishtin Jisu bashkë me lavdi të përjetshme.