Dëshmore e madhe Kristina.

 

Fëmijë e vetme e gjeneralit idhujtar Urban, lindi dhe jetoi në qytetin bregdetar të Tirës, në veri të Palestinës, në kohën e Sevirit (193-211). Për shkak të bukurisë së saj, u mbyll nga i ati në një kullë luksoze, nga ku, duke vështruar qiellin me yje, filozofonte për krijesën dhe Krijuesin e saj. Atëherë, me anën e zbulesës hyjnore, besoi te Krishti dhe nuk u falej më idhujve të saj prej ari, siç e këshillonin prindërit. Për më tepër, një natë ajo i copëtoi ato dhe ua shpërndau të varfërve.

Pas kësaj Urbani dha urdhër dhe e torturuan. E goditën pa mëshirë; e vendosën në një rrotë, ku poshtë kishte zjarr, i cili dogji shumë njerëz, por jo vajzën; e burgosën, duke e lënë pa ushqim dhe ujë, por ndërkohë, e ushqeu dhe e shëroi një engjëll; e hodhën në det, duke i varur gur në trup, por ajo pa Shpëtimtarin që e pagëzoi. Pastaj u ndodh në stere shëndoshë e mirë. I ati e burgosi përsëri për ta ekzekutuar si magjistare, por po atë natë ai dha shpirt me dhimbje.

Pasardhësi i tij, pasi nuk ia ktheu besimin me lajka, dha urdhër ta rrihnin dhe ta hidhnin në zift të përvëluar, t’i rruanin kokën dhe ta shëtisnin rrugëve të zhveshur. Virgjëresha, në vend që t’i falej idhullit të Apolonit, urdhëroi dhe u vetëshkatërrua dhe, si rezultat, sundimtari vdiq nga hidhërimi. Në saje të mrekullive të saj u kthyen 3.000 idhujtarë. Sovrani i ri e hodhi në furrë, por ajo brenda furrës, e paprekur, psalte së bashku me engjëjt; e hodhi te zvarranikët helmues, por nuk u prek. Madje ngjalli zbutësin e egërsirave, të cilin e kishin kafshuar gjarpërinjtë kur i ndërsente kundër saj.

Pastaj xhelatët i prenë gjinjtë, por në vend të gjakut rrodhi qumësht. I prenë edhe gjuhën që pohonte Krishtin, të cilën ajo vetë ia hodhi tiranit në sy, i cili u verbua si dënim, siç ia sqaroi ajo, duke i folur qartë edhe pse nuk kishte gjuhë. Së fundi, e shpuan me shtizë në brinjë e në zemër dhe kështu fitoi (24 korrik) kurorën që i kishte parathënë një zë qiellor.

 

* * * * *

Omologjet Athinagora.

 

Athinagora ishte filozof i krishterë dhe omologjet i shek. II. Origjina e tij mendohet se ishte nga Athina, ku edhe studioi Platonizmin dhe Stoicizmin.

Të dhënat kryesore për personin dhe veprën e tij i marrim nga shkrimet e vetë shenjtorit “Ndërmjetim për të krishterët” dhe “Mbi ngjalljen e të vdekurve”, të ruajtura në një kodik të vitit 914.

Shën Athinagora dallon nga apologjistët e tjerë të kohës së tij nga mënyra e përsosur e të shkruarit dhe stili i qartë e elokuent. Në fushën e teologjisë, në shkrimet e tij shenjtori afirmon besimin e drejtë mbi Trininë e Shenjtë, Shkrimin e Shenjtë të hyjfrymëzuar dhe paraqet mendime dhe pozicionim asketik në lidhje me jetën dhe moralin e çdo të krishteri. Këto shkrime luajtën rrol mjaft të rëndësishëm dhe didaktik në mësimet e Kishës së 2 shekujve të parë të erës sonë.

 

* * * * *

Dëshmort Borisi, Gljebi.

Borisi e Glebi ishin bijtë e princit të shenjtë Vladimir, dhe që në fëmijëri u dalluan për butësi dhe devotshmëri. Menjëherë pas vdekjes së të atit, vëllai i tyre i madh, Sviatopolku, i cili i kishte zili privilegjet e dy vëllezërve, vendosi t’i vriste dhe të bëhej trashëgimtar.

Kur u kthyen pas një ekspedite të lavdishme, Borisi mori vesh për vdekjen e të atit dhe ngushëllohej që Sviatopolku do të ishte për ta një atë. Nëpërmjet një spiuni, Sviatopolku mësoi se i vëllai, Borisi, nuk ushqente asnjë ndjenjë të keqe kundër tij dhe se nuk kishte qëllim të grindeshin për çështjen e pasimit të pushtetit, megjithatë ishte i vendosur t’i vriste. Zgjodhi shërbëtorët e tij më të egër dhe i dërgoi të takonin të vëllain, dhe u dha urdhër ta kapnin në gjumë. Borisi i mori vesh qëllimet e këqija të të vëllait, nuk i besoi por vazhdoi rrugën me pafajësinë e shqerrës. Dy ditë më vonë, i konfirmuan planin e të vëllait dhe e informuan se vëllait tjetër, Glebi, do të linte Kievin e do merrte anijen që të vinte pranë tij. Borisi thirri: “Qoftë i bekuar Perëndia! Nuk do të iki që këtej dhe nuk do t’i kundërvihem tim vëllai. U bëftë vullneti i Perëndisë!”

Bojarët dhe ushtarët që ishin nën shërbimin e tij i propozuan të rrethonin qytetin dhe të dëbonin Sviatopolkun; por Borisi nuk donte dhe madje vendosi të dërgonte një lutje për falje të vëllait duke i kërkuar mëshirë dhe të lironte trupat e tij. Pak më vonë, ai mësoi se shërbëtorët e të vëllait po vinin për pak orë me kuajt e ushtrisë, pranë lumit Alta. I pushtuar nga frika, ai filloi t’i lutej Zotit: “O Mbret, Zot Jisu Krisht, mos më lër të humbas, por shtri dorën Tënde të fuqishme mbi mua mëkatarin e të mjerin: më çliro nga tërbimi i atyre që ecin kundër meje; më çliro nga kjo orë, përderisa Ti vetëm je streha e të dëshpëruarve!” Si mbeti vetëm me shërbëtorin e tij hungarez, Gjergjin, për të pritur ardhjen e vrasësve, shkoi në tendën e tij dhe natën e fundit e kaloi me lot e lutje (24 korrik) dhe gjeti ngushëllim dhe kurajë duke kujtuar martirët e shenjtë që kishin vrarë paraetërit e tij: Nikita, Vinçenslavi (28 shtator), Varvara (4 dhjetor).

Në mëngjes, mori pjesë në Mëngjesoren që celebroi një prift, dhe duke u kthyer nga ikona e Krishtit, i tha këtë lutje: “Zot, Jisu Krisht, Ti që denjove të shfaqen në tokë me pamje njeriu dhe që e lë veten të të gozhdonin vullnetarisht mbi Kryq, ti që pranove të pësosh për mëkatet tona, jepna të pranojmë edhe vuajtjen tonë. Nuk po e marr nga armiqtë e mi, por nga im vëlla: O Zot, mos ia numëro si mëkat.” Të dërguarit e Sviatopolkut erdhën në vend, por ngaqë nuk guxuan ta ndërprisnin shërbesën, pritën jashtë tendës derisa të mbaronte. Kur shërbesa mbaroi, Borisi përqafoi të afërmit e tij, u shtri në shtrat dhe priti vrasësit që të suleshin në tendë si bisha të egra. Besniku i tij, Gjergji, u përpoq ta mbronte mësuesin e tij duke e mbuluar me trupin e tij, por ra menjëherë nga goditjet që kishin në shënjestër Borisin. Shenjti iu lut të vëllait t’i linte pak çaste për t’u lutur, pastaj duke e lënë veten të shpohej nga heshtat si qengj i pafajshëm, tha duke qarë: “Afrohuni, vëllezër, dhe mbaroni detyrën që keni, dhe paqja qoftë me vëllain tim dhe me ju.” Njerëzit i ngulën heshtat në trup, dhe duke e menduar të vdekur, vendosën ta masakronin më pas. I plagosur për vdekje, Borisi u hoq zvarrë me vështirësi jashtë tendës dhe u lut: “Të falënderoj, o Zot, Perëndia im, që më bëre të denjë mua shërbëtorin tënd të padenjë, të kungohem me Pësimin e Birit tënd. U plagosa nga shërbëtorët e tim eti, falua këtë mëkat, më jep prehje në shoqërinë e shenjtorëve të tu. Se ti je mbrojtësi im, o Zot, në duart e tua e jap shpirtin.” Një nga vrasësit e ndoqi nga pas dhe i dha fund Borisit. Trupi i tij u transportua në kishën e Shën Vasilit në Viçegorod.

Kur Sviatopolku mësoi për arratisjen e Glebit, dërgoi me të shpejtë njerëz që ta ndiqnin dhe i urdhëroi ta vrisnin. Kur anijet e tyre u afruan, Glebi iu lut njerëzve të tij që të mos kundërshtonin por të largoheshin. Mendonte të bindte në duart e tyre i vetëm dhe të dilte para të vëllait, për të cilin shpresonte se do kishte mëshirë. Kur rreziku doli sheshit, princi i ri u frikësua dhe iu lut Zotit ta ndihmonte. Të dërguarit e Sviatopolkut kontrolluan anijen e Glebit dhe kur u ngjitën në breg, urdhëruan kuzhinierin e princit, që rrinte mbrapa shenjtit, që ta therte. Ky kapi kokën e zotërisë së tij, i cili e la veten si qengji në therje dhe duke iu lutur Krishtit, rrëfeu se duke u dorëzuar në shpatën e vrasësve të tij, do të merrte pjesë në pësimin shpëtimtar. E mposhti frikën e vdekjes dhe vuajtjen me kujtimin e Krishtit dhe e la veten në duart e vrasësit, i cili e qëlloi në kokë dhe ia preu fytin. Vrasësit e morën trupin dhe e fshehën në një pemë, pastaj u kthyen në Kiev për t’i dhënë llogari Sviatopolkut. Ky i fundit, i mbiquajtur “i mallkuari” u shkarkua nga një revoltë popullore, dhe i vëllai Jaroslavi i Urtë, mori pushtetin.

Pesë vjet pas vdekjes së vëllezërve, gjuetarët gjetën në pyll një kufomë të padëmtuar, që shkëlqente si vetëtimë. Kuptuan se bëhej fjalë për trupin e shën Glebit, dhe princi Jaroslav kur e mori vesh, dha urdhër që trupi të transportohej në Viçegorod, që të prehej pranë trupit të Borisit. Nderimi i tyre u njoh nga Kisha, dhe varri i shenjtorëve u bë vend pelegrinazhi, duke tërhequr shumë njerëz besimtarë, që gjenin shërim dhe ngushëllim në hidhërimet e tyre.