– Apostulli – Jakovi 5:10-20.

 

Merrni shembull, o vëllezër të mi, nga vuajtjet dhe durimi i profetëve, që folën në emrin e Zotit. Ja tek lumurojmë ata që durojnë. Keni dëgjuar për durimin e Jovit, edhe patë fundin prej Zotit, se Zoti është fort përdëllimtar dhe i dhembshur.

Edhe para së gjithash, o vëllezër të mi, mos u betoni, as për qiellin, as për dhenë, as ndonjë tjetër betim; po le të jetë po-ja juaj, po, dhe jo-ja, jo; që të mos bini në dënim.

Vuan ndonjë nga ju? Le të lutet. Gëzohet ndonjë? Le të psalë. Eshtë i sëmurë ndonjë ndër ju? Le të thërresë pleqtë e kishës, edhe le të luten për atë, e le ta lyejnë me vaj në emrin e Zotit. Edhe urata me besim do ta shpëtojë atë që lëngon, edhe Zoti do ta ngrerë atë; edhe në pastë bërë mëkate, do t’i falen. Rrëfejani fajet njëri-tjetrit, edhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni. Shumë fuqi ka lutja e të drejtit, kur bëhet me zjarr. Ilia ishte një njeri që pësonte si ne, edhe u lut duke u falur që të mos bjerë shi; edhe nuk ra shi mbi dhe tre vjet e gjashtë muaj. Edhe përsëri u lut, edhe qielli dha shi, edhe dheu dha frytin e tij.

O vëllezër, në daltë ndonjë nga ju jashtë udhës së të vërtetës, edhe ta kthejë ndonjë atë, le ta dijë se ai që kthen një mëkatar prej udhës së tij të gabuar, do të shpëtojë një shpirt nga vdekja, edhe do të mbulojë një shumicë mëkatesh.