Dëshmor Emiliani.
Kur Julian Apostati mori pushtetin perandorak (361), duke mos i llogaritur aspak mirëbërjet e shën Konstandinit të Madh si dhe edukimin e krishterë, e përmbysi rregullin publik me tiraninë e tij dhe e fyeu Perëndinë duke filluar të restauronte me çdo mjet paganizmin. Dërgoi funksionarë në provinca të ndryshme, për ta detyruar popullin të nënshtrohej.
Kapitolini, vikari i Thrakës, shkoi me këtë qëllim në Durostorum, kryeqytetin e Skithës. Sapo u ngjit në gjykatë, kërcënoi me vdekje jo vetëm të krishterët, por edhe ata që nuk do pranonin t’i denonconin. Të pranishmit thirrën të frikësuar se nuk kishte asnjë të krishterë në qytetin e tyre dhe se të gjithë banorët do t’u sakrifikonin idhujve të perandorit. I kënaqur, Kapitolini mori pjesë në gosti që kishin organizuar për nder të tij.
Ndërkohë që të gjithë gëzonin, një i ri i krishterë, Emiliani, nuk po e duronte dot më këtë fyerje që po i bëhej Perëndisë së vërtetë dhe i etur për trofeun e martirizimit, hyri në tempull i armatosur me një çekan. I theu idhujt, përmbysi shandanët dhe vendet e shenjta ku ishin theroret dhe derdhi përtokë verën, dhe u largua pa u vënë re nga njeri.
Kur disa shërbëtorë shkuan për të lajmëruar Kapitolinin, ky turfulloi nga inati dhe urdhëroi të plaçkitnin kudo që ta gjenin me çdo kusht fajtorin. Meqë ushtarët nuk gjetën asgjë dhe nga frika se mos ktheheshin duarbosh para tiranit, kapën një fshatar që kthehej nga fusha dhe e çuan në pretor duke e qëlluar me shkopinj.
Duke qenë dëshmitar i kësaj shfaqjeje, Emiliani nuk duroi dot të vuante një i pafajshëm në vend të tij, prandaj shkoi dhe thirri me zë të lartë se ai ishte fajtori. Në fillim ushtarët u befasuan dhe hezituan, por pastaj e çuan te Kapitolini. Me pamje të zymtë dhe me sy të etur për gjak, magjistrati e pyeti se kush ishte se çfarë e kishte shtyrë të bënte atë akt. Pasi deklaroi se ishte edhe i lirë edhe skllav: skllav i Perëndisë dhe i lirë ndaj idhujve, Emiliani shtoi: “Dashuria e Perëndisë dhe zelli që kam për Krishtin dhe neveria kur shikoj këta idhuj të ngurtë më bindin dhe më japin fuqi të shkatërroj atë që është një turp për gjininë njerëzore. S’ka gjë më të neveritshme për ne që u krijuam me arsye, sesa të adhurojmë qenie pa arsye dhe të përkulemi para veprës së duarve tona duke shkelur nderin që i detyrohemi Perëndisë tonë të vetëm dhe Krijues.” – “Armëpushim retorike! Pra, ti e ke bërë këtë sakrilegj?” pyeti magjistrati. Emiliani iu përgjigj se ishte krenar për atë veprim, si veprimi më fisnik dhe më i perëndishmi në jetën e tij.
Kapitolini urdhëroi ta zhvishnin dhe ta kamxhikonin dhunshëm; por meqë shenjti vazhdonte të tallej me idhujt paganë, e kthyen nga ana tjetër dhe e goditën në gjoks. Kur mësoi se Emiliani ishte biri i prefektit të qytetit, Sabatit, Kapitolini deklaroi se fisnikëria e tij nuk i jepte asnjë falje dhe nuk e kursente nga ndëshkimi. Shenjti nuk pranoi që ta nxirrnin të pafajshëm ose t’i nxirrnin ndonjë rrethanë lehtësuese për ta mbrojtur, por në të kundërt, kërkoi ta dënonin sa më ashpër që të mos privohej nga kurora e lavdisë. Në kulmin e tërbimit, Kapitolini e dënoi me zjarr dhe të atin e dënoi fajtor për neglizhencë dhe i lëshoi një gjobë të rëndë në ar.
Ushtarët e morën shenjtin dhe e nxorën jashtë qytetit, në brigjet e Danubit, ku ishte ndezur që më përpara zjarri. Sapo e hodhën atje, flakët e shmangën trupin e tij dhe u kthyen te xhelatët, të cilët u dogjën dhe vdiqën. Sa për Emilianin, ai lavdëronte Perëndinë si Djemtë e rinj në furrën e Babilonës. Bëri shenjën e kryqit dhe fjeti në paqe për t’u pranuar në korin e atletëve trima të devotshmërisë (18 korrik 362).
E shoqja e Kapitolinit, e cila ishte e krishterë e fshehur, arriti të merrte nga i shoqi trupin e martirit të shenjtë dhe ua dha disa të krishterëve të perëndishëm, të cilët e varrosën në Gizidina, tri stade nga Durostorumi.
* * * * *
Oshënar Pamvoi.
Oshënar Pamvoi ndriçoi në Nitri, në jug të Aleksandrisë. Të dhëna për të, në mënyrë më të zgjeruar, ekzistojnë në librin e Lavsaikut, Jerondikonit dhe Evergjetinosit. U luftua nga mendime blasfemie, por dëgjoi një zë, i cili e inkurajoi të mos dekurajohej, se ishte një kurth nga i ligu.
Për tre vjet lutej që të mos lavdërohej në tokë, por, sa më shumë lutej, aq më shumë Perëndia bënte që ai të lavdërohej. Oshënari ishte zbukurim i asketëve të malit të Nitrisë dhe gjithashtu bashkëkohës me shën Melaninë dhe shën Isidorin. Ishte i madh në gjithçka: në shpresëtari, në ligjëratë, në heshtje, në këshillë, në butësi, në rreptësi, në përvojë, në njohuri, në urtësi, në thjeshtësi dhe, në përgjithësi, kudo. Nxori nxënës të admirueshëm, si episkop Dioskorin, Amonanë dhe Joanin, nipin e Drakondit.
Njëherë, kur shën Melania (31 dhjetor) i dhuroi argjend të bollshëm atje në Nitri, ai e falënderoi, por ajo nuk arriti ta shihte, ndaj u mërzit e i tha: “Jeront, janë 150 kg!”. “E di Perëndia, bija ime…”, iu përgjigj ai, dhe urdhëroi ikonomin që ta ndante të gjithë argjendin në manastire të varfra, sepse vetë ai ushqehej me punëdoret që bënte.
Sa herë që i bënin pyetje në lidhje me Shkrimin e Shenjtë ose me tekste të tjera, përgjigjej pas shumë kohësh. Në meditim dhe saktësi ia kalonte edhe Andonit të Madh (17 janar), kështu që kurrë nuk pendohej për fjalët që kishte thënë. Këshillonte të ruhej e pastër dhe e pafajshme ndërgjegjja ndaj të afërmit. Theksonte bindjen dhe thjeshtësinë në veshje. I këshillonte laikët të puthnin duart e murgjve, sepse ato janë të shenjtëruara prej lutjeve dhe metanive.
Në Aleksandri, ku e ftoi Athanasi i Madh (18 janar), ai pa rastësisht një grua imorale, e cila ishte zbukuruar shumë nga pamja e jashtme, lotoi e tha: “Po unë a përpiqem t’i pëlqej Zotit kështu si kjo e gjora imoralëve?”.
Demonët, që t’i shkaktonin shpërqendrimin e mendjes, bënë dikur sikur po mundoheshin shumë të ngrinin një pupël. Oshënari qeshi kur i pa, ndërsa ata u gëzuan se menduan që e mundën. Por ai u sqaroi se qeshte me dobësinë e tyre.
Një ditë e vizitoi ava Piori (17 qershor), i cili, “që të mos i bëhej barrë”, kishte marrë ushqim me vete: pak bukë të tharë. Edhe oshënar Pamvoi, kur ia ktheu vizitën, mori me vete bukë të tharë, të cilën e kishte lagur. Edhe pse ishte gjithmonë i përmbajtur dhe ushtrohej ashpër, gëzonte shëndet të plotë dhe nuk u sëmur aspak në jetën e tij. Ishte kaq i përulur, saqë mendonte se nuk ishte as fillestar në virtyt.
Ndërroi jetë në moshën 70-vjeçare (më 417 siç mendohet).Vdekja e tij ishte jo vetëm e qetë dhe pa dhimbje, por edhe e pëlqyeshme prej Atit qiellor. Pak para fjetjes së tij, i dhuroi si kujtim Paladit, shkrimtarit të Lavsaikut, një shportë, të cilën sapo e kishte thurur. E varrosën fëmijët e tij shpirtërorë, duke lavdëruar Perëndinë që i bëri të denjë të mësoheshin prej këtij asketi të madh.