Dëshmore e madhe Marina.
Fëmijë i vetëm i priftit të idhujve, Edhesit, lulëzoi në kohë të Klaudit II (268-270) në Pisidi, në mes të Azisë së Vogël. Kur ishte 12 vjeçe mbeti jetime dhe i ati ia dha një gruaje që të kujdesej për të. Vajza e mençur, ose nga ajo, ose nga fqinjët, u tërhoq në Krishterim kjo e hidhëroi shumë dhe e inatosi egërsisht Edhesin dhe dëshiroi shumë martirizimin.
Dikur, duke vajtur në kopenë e të atit, u takua me qeveritarin, të cilit i bëri shumë përshtypje freskia e vajzës 15-vjeçare. E dëshiroi për grua, por ajo i zbuloi besimin e saj. U burgos dhe ditën tjetër trimëresha nuk flijoi, megjithë komplimentet, kërcënimet dhe propozimin për martesë me të. E shtrinë përdhe dhe e rrahën me shkop sa toka u skuq nga gjaku i saj. E varën dhe e shqyen, pastaj e burgosën duke e lënë pa ushqim e mjekim, kështu, ajo ish e bukura, u kthye në një grumbull mishrash pa formë.
Djalli i shndërruar në një gjarpër të madh bëri sikur e gëlltiti, por e zhduku me lutje. Erdhi përsëri si arap dhe më vonë si qen, por ajo e eliminoi duke e rrëmbyer dhe goditur me një çekan që u gjend atje. Një herë tjetër e rrahu me kamxhik dhe menjëherë u shfaq një kryq shumë i ndritshëm dhe një pëllumb, i cili i paralajmëroi çmimin, ndërkohë iu shëruan plagët. Të çuditur, e varën përsëri, e dogjën me pishtarë dhe e zhytën në ujë që të mbytej diçka si pagëzimi që aspironte. Pëllumbi u paraqit me kurorë në gojë dhe u ul mbi kokën e së resë, që doli nga uji e liruar nga prangat.
Atëherë u ndriçuan shumë njerëz, dhe për këtë u prenë kokën të gjithëve, si dhe më pas atletes (martires). Më përpara u lut dhe kuptoi që i qëndronte afër Zoti.
Lipsani më vonë u transferua në Konstandinopojë, kurse më 1230 u rrëmbye në Venecia gjatë kryqëzatave.
Shenjtorja, që disa herë quhet Margarita, nderohet si mbrojtëse dhe shëruese e fëmijëve.