– Apostulli – 1 Korinthianëve 13:11-14:5.

 

Kur isha foshnjë, si foshnjë flisja, si foshnjë kuptoja, si foshnjë mendohesha; po kur u bëra burrë, i hodha tej punët e fëmijës, sepse tani shohim në të errët si në pasqyrë, po atëherë do të shohim faqe për faqe; tani njoh pjesërisht, po atëherë do të njoh sikurse edhe u njoha.

Edhe tani mbetet besimi, shpresa, dashuria, këto të tria; po më e madhja nga këto është dashuria.

Ndiqni dashurinë; edhe lypni me zell dhuratat shpirtërore, po më tepër që të profetizoni. Sepse ai që flet gjuhë të panjohur, nuk u flet njerëzve, po Perëndisë; sepse asnjë s’e kupton, po me shpirtin e tij flet fshehtësira.

Kurse ai që profetizon, u flet njerëzve për ndërtim e për mësim e për ngushëllim. Ai që flet gjuhë të huaj ndërton veten e tij; po ai që profetizon, ndërton kishën. Edhe dua që të gjithë ju të flitni gjuhë, po më tepër të profetizoni; sepse ai që profetizon është më i madh se ai që flet gjuhë, përveç në e përktheftë, që të marrë ndërtim kisha.