E Diela IV e Mateut, Besimi i Kryeqindësit, nga Mitropoliti i Apollonisë & Fierit, H. Nikolla , 10.07.2022 (Tekst)
“Nuk jam i denjë, o Zot, të hysh në strehën e shtëpisë së shpirtit tim”
Nuk jam i denjë o Zot i madh, që të hysh në mbulesën e shpirtit tim, po meqënëse ti si njeridashës, dënjove të banosh te unë, po marr guximin e po të afrohem! Urdhëro të çel dyert të cilat ti i ndërtove dhe hyr me njeridashjen tënde siç ke thënë. Hyr që të ndriçosh mëndjen e errësuar, dhe besoj se këtë do ta bësh.
Sepse as laviren që të erdhi me lot nuk e largove! As kusarin që njohu mbretërinë tënde nuk e le! As doganierin që u pendua nuk e dëbove,dhe as nga përndjekësit që u kthyen tek Ti, nuk hoqe dorë.
Por të gjithë sa kanë ardhur të penduar tek Ti, i rendite në shoqërinë e miqve të tu, Ti që je i vetmi i bekuar përgjithmonë tani e përherë e në jetë të jetëve, Amin!
Kjo që lexuam tani të dashur besimtarë, është një pjesë nga shërbesa e përgatitjes për kungim të cilën ne duhet ta bëjmë sa herë shkojmë në Kishë për tu kunguar me trupin dhe gjakun e Krishtit! Dhe pikërisht në këtë shërbesë ne lexuam Uratën e katërt të Shën Joan Gojartit.
Dhe çfarë thotë shenjtori në këtë rast?!
Shenjtori na thotë që unë nuk jam i denjë të marë trupin dhe gjakun e Krishtit brenda zemrës time. Unë ndiej që jam një mëkatar, unë ndiej që jam si lavirja, unë ndiej që jam si kusari, unë ndiej që jam si doganieri, unë ndiej që jam si Apostull Pavli kur ishte përndjekës. Por thotë: “Kam besim tek Ty o Krisht”, se të gjithë ata që përmendëm pak më parë lavirja, kusari, doganieri, të gjithë ata që u kthyen me pendim tek ty, i i rendite në shoqërinë e miqve të tu. Kështu, besoj që do të bësh edhe për mua.
Këtë gjë na thotë edhe ai centurioni që dëgjuam në pjesën e Ungjillit të ditës së sotme.
Ai kishte një shërbëtor të tij të sëmurë shumë rëndë, ishte gati duke vdekur dhe i thotë Krishtit që të vij ta shërojë shërbëtorin e tij.
Dhe Krishti i thotë që do të vij në shtëpinë tënde të shërojë shërbëtorin tënd! Por, ai i thotë Krishtit nuk jam i denjë që të hysh në strehën time, në shtëpinë time, nuk jam i denjë! Jam njeri mëkatar, por, ti thuaj një fjalë edhe unë kam besim që vetëm një fjalë Ti të thuash edhe shërbëtori im mund të shërohet! Dhe me të vërtetë kur Zoti pa pendim e tij, pa përulësin e Tij, pa besimin e Tij, e shëroj shërbëtorin e tij.
Dhe ne shpesh herë ndodh në jetën tonë të themi që nuk jam i denjë o Zot të më dëgjosh lutjen! Jam njeri mëkatar. Nuk jam i denjë të vish në strehën time, në shtëpinë time, nuk jam i denjë, jam njeri mëkatar.
Edhe me të tilla momente ne, nuk duhet të heqim dorë nga besimi ynë tek Perëndia. Edhe në të tilla momente kur ne ndiejmë që jemi të rënë, ndiejmë që jemi mëkatar, nuk duhet ta humbasim besimin tonë.
Edhe në momente të tilla të vështira të mëkatit akoma, duhet ti thërrasim Zotit dhe Krishtit ti themi ” O Zot, më ndihmo, më shpëto” edhe kur ne do të bëjmë diçka të tillë, Zoti do të na dëgjojë lutjen!
Sigurisht, ne besojmë që lutja e të drejtit është e fuqishme dhe e pranueshme vazhdimisht përpara Zotit, por edhe lutjen e ne mëkatarëve Zoti e dëgjon.
E dimë që shembullin më të mirë na e jep pikërisht me kusarin, i cili në kryq pranoj që ishte njeri mëkatar. Ai i thotë kusarit tjetër: “Ne me të drejtë jemi në këtë dënim në kryq, kurse Ai, Krishti, është i pafajshëm. Pastaj thotë: Kujtomë o Zot kur të vish në mbretërinë Tënde!” Për këtë fjalë, Krishti i tha: “Sonte do të jesh në parajsë bashkë me mua”!
Pranoi, e përuli veten e tij kusari, pranoi që ishte mëkatar, pranoi që Krishti është Mesia dhe shpëtimtari edhe Zoti vetëm për këtë e vendosi në parajsë. E bëri njeriun e parë që e vendosi në parajsë.
Po të shikojmë pak më tutje në lutjen e shëbesës për përgatitjen për kungim, është një uratë tjetër që thuhet është nga Shën Simeon Teologu i ri. Po lexojë disa nga vargjet e para të kësaj lutjeje. Ai thotë:” Prej buzësh të ndyra, prej zemre të fëlliqur, prej gjuhe të papastër dhe shpirti të njollosur, prano lutjen o Krishti im. Dhe duke mos i vënë re as fjalët, as sjelljet, as paturpësitë, jepmë ti o Krisht kurajo të them sa unë mendoj, madje mësomë ç’të veproj e ç’të them. Mëkatova më shumë se lavira ..”
“Mëkatova më shumë se lavira ” – thotë Shën Simeon Teologu. Dhe shenjtorët kur thonë diçka të tillë, nuk e thonë për tu dukur por sepse e ndiejnë me të vërtetë që janë njerëz mëkatar. Dhe ashtu si e ndiejnë që janë mëkatar, ashtu e ndiejnë që Hiri i Zotit ,mëshira dhe dashuria e Zotit e mundin mëkatin e tyre.
Kështu edhe ne të dashur besimtarë, nuk duhet të dorëzohemi asnjëherë. Nuk do të themi që unë jam mëkatar dhe pushoj së luturi, së besuari! Jo! Nuk duhet të ndalojmë asnjëherë së luturi dhe nuk do të pushojmë sërisht së besuari që edhe në ato momente Zoti na dëgjon lutjen!
Çfarëdo që të ndodh në jetën tonë të dashur besimtarë, çfarëdo mëkati që të bëjmë në jetën tonë asnjëherë nuk do të largohemi nga besimi në Krishtin. Çfarëdo që të ndodh në jetën tonë, çfarëdo mëkati që të bëjmë nuk duhet të largohemi nga Kisha e Krishtit. Çfarëdo që të ndodh në jetën tonë, çfarëdo mëkati që të bëjmë, nuk duhet të pushojmë së reshturi ti’ themi Zotit: “O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh në strehën e shtëpisë së shpirtit tim, jepma dorën, ngremë, shpëtomë! Dhe Zoti do të na japë dorën e Tij, do të na ngrejë e të na japë gëzimin e Tij! Amin!
Nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, +Nikolla, e Diela e IV e Mattheut, dt. 10/07/2022