E Diela IV e Mateut, Një skllavëri e Bekuar, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 10.07.2022 (Tekst)
“Si u çliruat nga mëkati, u bëtë shërbëtorë të drejtësisë” (v. 18)
Shtanget njeriu bashkëkohorë sapo dëgjon këtë tekst apostolik, që flet për çlirimin nga mëkati dhe skllavërimin në drejtësi, domethënë, në virtyt dhe tek Perëndia. Reagon vetëm me mendimin e frazës: “u bëtë shërbëtorë të drejtësisë”.
Akuza e zakonshme e njerëzve kundër fesë dhe justifikimi i jetës së tyre të pafe, është gjoja kufizimi dhe skllavëria e njeriut ndaj simboleve dhe etikës së fesë. Thonë, kështu, se njeriu e humbet lirinë dhe personalitetin e tij. Humbet gëzimin e jetës së tij. Këto thonë njerëzit me frymën e botës. Por shën Pavli, në pjesën e sotme të apostullit, paraqet nënshtrimin e njeriut ndaj Perëndisë dhe ndaj jetës së virtytit, si skllavëri ndaj virtytit. Na thotë qartë: “Vëllezër, si u çliruat nga mëkati, u bëtë shërbëtorë të drejtësisë”. Domethënë, që nga momenti kur hodhët tej prej jush zgjedhën e mëkatit dhe u çliruat nga sundimi i tij tiranik, u robëruat në drejtësi, në virtyt. Por, si është e mundur kjo?
I
Jetën e mëkatit, apostull Pavli, e karakterizon si skllavëri që të drejton në vdekje. Me të vërtetë, sa gjendje tragjike krijon tek njeriu, skllavërimi ndaj mëkatit! E përshkruan pjesa e sotme apostolike. Trupi dhe gjithë gjymtyrët e tij, vihen në shërbim të mëkatit, i cili, transmeton në shpirtin e njeriut, papastërti morale dhe ndotje vdekjeprurëse. Dhe fatkeqësisht, ndërkohë që njeriu ndotjet fizike i neverit dhe i shmang, nuk tregon të njëjtën ndjeshmëri dhe kujdes ndaj ndotjeve dhe papastërtive morale, që helmojnë shpirtin e tij të pavdekshëm. Pasionet e palogjikshme janë tiranizuese; menjëherë pasi e zënë, si me grep, shpirtin, ngjiten atje si demonë dhe nuk duan të dalin. Dhe arrijnë të krijojnë gjendje të qëndrueshme, në të cilat, njeriu i skllavëruar, e bën zakon, me gjithë lodhjen dhe prirjen trupore dhe shpirtërore ta shkëmbejë, gjoja, me një kënaqësi të përkohshme dhe kalimtare.
Të skllavëruarit nga mëkate trupore, të alkoolizuarit, narkomanët, kumarxhinjtë, hajdutët dhe gjithë ata që jetojnë në pabesi, e konsiderojnë veten e tyre se jetojnë si njerëz të logjikshëm dhe të lirë fiziologjikisht, meqenëse kënaqin kërkesat e mishit, i cili, në tërbimin e tij do të prehet për tu bërë përsëri shtypje torturuese.
Dhe janë zënë aq fort në grep, të pandjeshëm moralisht dhe të mjerë logjikisht, saqë edhe habiten kur bota i gjykon dhe nuk u nënshtrohet hoveve të poshtra, që kanë logjikën e tyre, dhe japin kënaqësi të menjëhershme, siç jep edhe jeta e instinkteve të kafshëve. Kjo skllavëri morale, që nuk u përket njerëzve të lirë dhe shpirtërorë, është e rrezikshme për jetën tonë të tanishme, por edhe për atë përtej varrit, sepse i detyron njerëzit të psonisin nga dyqani i djallit, kokrrat e ëmbla të mëkatit, që sjellin vdekjen e dyfishtë, të shpirtit e të turpit Rom. 6:23.
II
Prandaj edhe apostull Pavli i bie ziles për këtë rrezik të frikshëm: Të gjithë ata që u çliruan nga skllavëria morale, të dëgjojnë, duke kujtuar vdekjen mbi kryq të Zotit Krisht, që i çliroi nga tirania e pasioneve. Dhe tani, që fituat lirinë – u përmend Apostulli- dhe u çliruat nga skllavëria e mëkatit, u skllavëruat vullnetarisht ndaj Perëndisë, keni si fryt përparimin në shenjtëri, dhe si fitim përfundimtar dhe të pamohueshëm, jetën e përjetshme Rom. 6:22. Dhe fjalët: “u skllavëruar ndaj Perëndisë”, nuk kanë kuptimin e robërisë, por të arratisjes nga kampi i satanait dhe mobilizimit, me dëshirë dhe vullnet, në ushtrinë e Krishtit, që jep qetësinë dhe gëzimin e parajsës, të cilën ndjenin të parëgatuarit, para se të binin në mëkat. Skllavë të Krishtit do të thotë, liri nga pasionet tona, harmoni, siguri, gëzim i shumëllojshëm dhe real.
* * *
Dhe fryti i parë i kësaj skllavërie vullnetare, është shenjtërimi. Njeriu i Perëndisë lufton që të arrijë shenjtërimin e tij. Shkon drejt përsosmërisë. Dhe kjo, nuk do të thotë se, nga njëri moment në tjetrin, do të çlirohet nga të këqijat dhe pasionet, dhe do të përvetësojë virtytet dhe mirësitë. Për shërbëtorin e Perëndisë, që përpiqet të bëjë detyrën e tij, të zbatojë, në shtëpi, në punë, kudo, vullnetin e Perëndisë, është një hap për në shenjtërim. Çdo herë që, me luftë dhe përpjekje, kërkon të tregohet zemërgjerë ndaj armikut të tij, i drejtë në marrëdhëniet e tij, njeri i dashurisë dhe sakrificës ndaj të munduarit, shkon për në përsosmëri. Në ecurinë e tij shpirtërore do të ketë luhatje, ndoshta edhe lëkundje. Por nuk do ta braktisë përpjekjen, nëse është “shërbëtor i vërtetë i Perëndisë”.
Fryti i dytë, është gëzimi i përjetësisë. Fundi i kësaj ecurie është jeta e përjetshme -një medalje e veçantë, e një vlere të pallogaritshme. Një medalje, që skllavi i mëkatit, e ka mohuar, sepse nuk beson në përjetësi. Vdekja, për të, është fundi i jetës, e cila harxhohet në jetën e kënaqësisë, në jetën e vetëdashjes, në jetën që kërkon të pushtojë vetëm këtë botë. Sakrifikon, për mëkatin, të mirat e çmueshme dhe të përjetshme. Mendon se nënshtrimi ndaj paudhësisë së shumëllojshme do t’i japë vazhdimisht kënaqësi dhe dëfrime. Por të gjitha këto mbarojnë shpejt. Dhe kur jeta e kotë arrin në fundin e saj, gjithë gjoja arritjet e saj, shfaqen si re të dendura tymi, që mbytin zemrën dhe të shpien në vdekjen e përjetshme.
* * *
Por, sa ndryshe janë gjërat për shërbëtorin e Perëndisë. Këtu, vdekja e përjetshme, zëvendësohet nga jeta e pambaruar dhe e gëzueshme. Dëshpërimi dhe ankthi ia le vendin pritjes së përjetësisë, që është lumturi e pasosur. Skllavëria ndaj Krishtit u synua dhe synohet nga “re martirësh, shenjtorësh, konfesorësh, asketësh”, të cilët, me vetëpërmbajtjen dhe fuqinë e vullnetit për të fituar çdo poshtërsi dhe për të stolisur edhe ata kupën qiellore si yje të shndritshëm dhe për të himnuar pa pushim, si engjëjt e patrup, Krijuesin e gjithësisë, Qengjin e therur dhe Ngushëllimtarin, atë hyjni triadike në bashkim. Skllavëria nga pasionet të drejton në gjymtimin dhe skllavërimin shpirtëror e trupor dhe përfundimisht në ferr.
Kurse çlirimi nga pasionet dhe pasojat e frikshme të tyre, të shpien në përjetësinë e lumur, pranë fronit të Perëndisë së shenjtë. Një kryengritje e brendshme ndaj armikut, që ka bërë fole brenda nesh, me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë, do të arrijë daljen dhe largimin e tij.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin. Krahasoni tani turpin dhe përfundimin e neveritshëm të jetës mëkatare, me nderin dhe lavdinë që do të jepet tek ata që do t’i nënshtrohen Perëndisë. “Sa larg është lindja nga perëndimi” aq i madh është ndryshimi i tyre! Përfundimi, pra, është: Skllavëri ndaj Perëndisë do të thotë: liri e përsosur, shenjtërim, lavdi e përjetshme. Sado mundime të kërkojë ky nënshtrim, ne besimtarët e parapëlqejmë dhe e preferojmë. Sigurisht. Skllav ndaj Perëndisë vullnetarisht tani, dhe trashëgimtarë të lavdisë së Tij përgjithmonë.
U bëftë.
ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI
Berat më 10.07.2022