Dëshmore e madhe Efimia.

 

Që nga Sinodi IV Ekumenik, mbledhur nga perandorët Marsian e Pulkeria në Kalqedoni, në Bazilikën e shën Efimisë, 630 Etër u mblodhën për të hedhur poshtë mendimet heretike të arkimandrit Eftiqi, i cili mbështetej nga kryepeshkopi i Aleksandrisë, Dioskori.

Që të kuptonin me një vendim nga Perëndia se kush ishte doktrina e vërtetë, patriku shën Anatoli sugjeroi që të dyja palët të hartonin nga një vëllim mbi doktrinën që mbronin dhe t’i vendosnin mbi lipsanet e shën Efimisë.

Të dy librat, që kishin në përmbajtjen e tyre personin e Krishtit, u vendosën mbi kraharorin e shenjtores dhe, pasi mbyllën varrin, etërit filluan të luteshin. Pas 8 ditësh u hap varri i së lumurës dhe zbuluan të mrekulluar se shenjtorja shtrëngonte në krahët e saj doktrinën e vërtetë, sikur të dëshironte ta fuste brenda në zemër, ndërsa vëllimi tjetër heretik gjendej në këmbët e saj. Para kësaj mrekullie të krishterët e besimit të vërtetë lavdëruan Perëndinë, ndërsa heretikët u nxorën jashtë nga turma dhe u mbuluan me turp.

Tregohen shumë mrekulli që ka kryer shën Efimia. Gjatë një invazioni pers, barbarët pushtuan Kalqedoninë dhe u përpoqën të shkatërronin me zjarr lipsanet e shenjta të saj. Por ato qëndruan të paprekura dhe gjak i freskët doli nga vrima që ata i kishin bërë varrit. Në vazhdim, kjo mrekulli vazhdoi të përsëritej herë pas here, duke bërë mjaft shërime te besimtarët që merrnin nga gjaku i saj.

Shumë shpesh nga varri del një parfum erëmirë, si dëshmi e pëlqimit te Perëndia. Për t’i mbrojtur këto lipsane të çmuara, i transferuan në Konstandinopojë dhe i vendosën në kishën që mban emrin e saj, pranë Hipodromit. Gjatë persekutimeve të Konstandin Kopronimit, lipsanet e shën Efimisë u hodhën në det, ndërsa kisha u transformua në një magazinë armësh, por u ndalën në breg të ishullit Lemnos dhe u morën nga peshkatarët.

Pasi u gjetën gjatë mbretërimit të perandoreshës Irini, u transferuan solemnisht në kryeqytet (796) ku vazhduan të bënin mrekulli. Pas shumë peripecish të tjera, ato sot nderohen në kishën e Patriarkanës Ekumenike, në Fanar.

 

* * * * *

Mbretëresha Ollga.

 

Princesha Ollga rridhte nga një familje e Pskovit. Ishte shumë e bukur dhe mjaft inteligjente. Një ditë, ndërsa po kalonte lumin Pskov, takoi princin e ri Igor, i cili menjëherë u dashurua me të. Pak më vonë, mësuesi i Igorit, princi Oleg, erdhi ta kërkonte princeshën dhe ta merrte me vete në Kiev që të martohej me Igorin. Më 945, ky i fundit u vra nga sllavët e Volhinisë, dhe regjenca e principatës së Kievit i kaloi Ollgës deri sa iu rrit i biri, Sviatoslavi (945-960).

Duke qeverisur me mençuri dhe përdëllim, princesha arriti të përqendronte pushtetin, që deri më atë kohë kishte dalë nga duart, dhe u dha fund invazioneve të fiseve sllave. Organizoi tregtinë dhe mbështeti shkëmbimet me Bizantin, me qëllim që t’i sillte popullit të saj farat e qytetërimit. Rreth 955 u nis për në Konstandinopojë, ku u prit me madhështi nga perandori Konstandin VII Porfirogjeniti, i cili e vendosi në radhët e zonjave më të nderuara të oborrit (957). Atje ajo mund të jetë pagëzuar nga patriarku Poliefki, me emrin Elena.

Kur u kthye në Rusi, përshkoi mbarë vendin duke predikuar Krishtin dhe themeloi qytetin e Pskovit pasi iu shfaq një rreze e trefishtë drite, që zbriste nga qielli. Në mungesë të të birit, Sviatoslav, i cili merrte pjesë në fushatat ushtarake, shën Ollga u mor me edukimin e nipërve të saj: Jaropolk, Oleg dhe Vladimir; por nuk arriti t’i pagëzonte për shkak të kundërshtimit të të atit, i cili kishte mbetur ende pagan i bindur.

Më 969, ajo u sëmur dhe tentoi edhe një herë të kthente princin e madh, por ky e kundërshtoi me krenari. Shenjtorja paratha kthimin e ardhshëm të Rusisë në Krishterim, dhe fundin e trishtueshëm të të birit, i cili u vra tre vjet më vonë nga Peçenegët. Fjeti në paqe më 11 korrik 969. Lipsanet e saj u transferuan në Kiev nga shën Vladimiri, dhe u fshehën kur qyteti u grabit disa herë, dhe nuk dihet ku janë.

Me gjithë përpjekjet e princeshës, e barabartë me apostujt, kthimi i saj nuk pati jehonë të menjëhershme në popullin e saj; të paktën ndikoi te i nipi, shën Vladimiri (15 korrik) dhe shërbeu për lulëzimin e jetës së krishterë në Rusi “si agimi që paraprin ditën e ndritshme”.