Dëshmor i ri Nikodhimi në Berat.

 

Lindi nga prindër shqiptarë dhe shpresëtarë në Vithkuq të Korçës dhe u bë rrobaqepës në Berat. Mbeti i ve për herë të tretë dhe u martua me një skllave të bukur pasi ndërroi besimin. Bëri synet me dhunë edhe fëmijët e tij, përveç njërit, të cilin të krishterët e çuan fshehurazi në Malin e Shenjtë. I inatosur, shkoi ta gjente dhe t’i ndëshkonte etërit. Ndërkaq atje erdhi në pendim, madje u qeth murg me emrin Nikodhim. Sipas të tjerëve shkoi në Malin e Shenjtë (Athos) sepse u pendua.

Mbas tre vjetësh vajtimesh dhe kreshmësh dëgjoi se kushdo që mohon Krishtin përpara njerëzve duhet që ta pohojë Atë përsëri para tyre (Mt.10:32-33). Aspiroi atëherë martirizimin dhe shkoi në Kafsokalivi tek oshënar Akaki (12 prill). Ai e thirri me emrin e tij, megjithëse nuk e njihte, dhe e ngushëlloi. Duke u lutur për të, iu ndriçua fytyra, ndërsa diçka si yll zbriti mbi të. Më pas i dha leje për t’u martirizuar dhe i dha një shkop për rrugës. Ai, i dobësuar prej kreshmës, iu lut që ta ndërpriste kreshmën për shkak të udhëtimit. Iu përgjigj se sidomos tani i nevojitej kreshma dhe se “njeriu nuk do të jetojë vetëm me bukë” (Mt.4:4). Nikodhimi shtoi se i trembej demonit, jerondi e këshilloi që t’i trembej Perëndisë. I pari mori uratën dhe shkopin e të dytit dhe u nis. Ndodhej akoma në Athos, kur iu shfaq Jisui, i dha zemër dhe i parashikoi martirizimet e tij.

Përshkoi pa u lodhur rrugën deri në Berat, ku e njohën, e rrëmbyen dhe e çuan te pashai. Meqenëse nuk u thye, e hodhën nga pallati i lartë i tij. Por nuk pësoi gjë dhe u ngjit përsëri duke vrapuar te pashai, i cili u tmerrua dhe do ta linte nëse nuk do t’i trembej turmës. Iu dorëzoi, pra, martirin e ri. Pasi e torturuan tri ditë, duke e çuar drejt ekzekutimit bënin në mënyrë të përsëritur sikur do ta thernin, për ta trembur. Ia prenë kokën më 11.7.1722 (ndoshta më 1709, ose më 1714), ndërsa lipsani i shenjtë lëshonte erë të mirë dhe shëronte sëmundje.

Gjatë martirizimeve të tij rastisi që banorët e zonës së Shpiragut të zbrisnin në Berat. Të gjitha fshatrat e saj, kishin vendosur të islamizoheshin për të shpëtuar nga mundimet e turqve. Por, duke parë heroizmin e oshënarit martir, fshatarët u çuditën dhe, kur u kthyen në vendin e tyre, i rrëfyen gjërat. Si rrjedhim, u penduan të gjithë, kështu që krahina mbeti e krishterë.

Nikodhim, greqisht do të thotë: fitorja e komunitetit. Disa e festojnë më 11 korrik (sepse në këtë datë shkruhet në Sinaksarin e dëshmorëve të rinj të hartuar nga oshënar Nikodhimi i Malit të shenjtë).

 

 

* * * * *

– 45 Dëshmorët në Armeni –

Nën sundimin e mizorit Licinius (rreth 316), i cili e ndezi më tepër persekutimin në Perandorinë e Lindjes, prefekti Lisias arriti në Nikopojë të Armenisë, i etur për të derdhur gjakun e kujtdo që s’do pranonte dekretet perandorake.

Fisnikët e parë të qytetit: Leonti, Mavriku dhe Danieli, dhe dyzet të krishterë të tjerë dolën me dëshirë para tyre dhe rrëfyen me burrëri se ishin dishepuj të Krishtit. Ata e ftuan të kryenin misionin e tij. Lisias i nxori para gjyqit, ku Leonti deklaroi se nuk pranonin të adhuronin idhujt sepse i bindeshin porosive të Krishtit, i cili u kryqëzua dhe u ngjall për shpëtimin e gjithë njerëzve. Plot mllef nga guximi i shenjtit, prefekti urdhëroi t’ua thyenin nofullat me gurë. Meqë shokët e tyre mallkonin magjistratin, shërbëtorin e djallit, Leonti u tha këto fjalë: “Vëllezër, mos mallkoni ata që sjellin mallkim, por bekoni ata që ju persekutojnë” (Matth. 5.44).

Lisia u përpoq t’i joshte me premtime, por shenjtorët u tallën me të. I burgosën dhe urdhëruan rojet të mos u jepnin as ushqim dhe as ujë, edhe pse vapa përvëlonte. Në burg lavdëronin Perëndinë që i kishte bërë të denjë të vuanin për emrin e tij, dhe Leonti i nxiti të ngulmonin deri në fund duke kujtuar betejat e martirëve të mëparshëm.

Një grua me emrin Vasila, u shpëtoi nga sytë rojeve dhe u çoi martirëve ujë për t’i freskuar. Të nesërmen në mëngjes, ata dolën përsëri para Lisias, i cili i dorëzoi në tortura të frikshme: urdhëroi t’i thernin të gjallë dhe ushtarët i fërkuan plagët e tyre me copa vazosh të thyera. Shenjtorët duruan burrërisht mundime deri në orën e gjashtë, pastaj u çuan prapë në burg, ku Vasila shkonte e i ngushëllonte.

Atë natë, një engjëll i ndritshëm iu shfaq, duke u lajmëruar se fundi i betejës së tyre tashmë ishte afruar dhe emrat e tyre ishin shkruan në qiell. Rojet Mina dhe Biriladi u bënë dëshmitarë të kësaj shfaqjeje dhe ranë në këmbët e shenjtorëve duke rrëfyer Krishtin. Martirët përqafuan punëtorët e orës së njëmbëdhjetë si vëllezër, dhe u premtoi se nuk do të privoheshin nga trofetë që u qenë premtuar.

Lajmi se edhe ushtarët ishin kthyer në besim arriti deri te qeveritari, i cili vrumbulliste si luan dhe i thirri të dyzet e pesë martirët. Urdhëroi t’ua prisnin me sëpatë krahët dhe këmbët, pastaj t’i hidhnin të gjithë së bashku në furrë. Trupat i hodhën në lumin Likos dhe u gjetën nga të krishterë të perëndishëm, të cilët i sollën në Nikopojë, ku nderohen si shenjtorë mbrojtës.