– Apostulli – Romakëve 11:13-24.

 

Sepse ju kombeve ju them, deri sa jam unë apostull i kombeve, lavdëroj shërbesën time, se mos i shtie në zili ata që janë mishi im, edhe shpëtoj disa nga ata. Sepse nëse është hedhja tej e tyre paqe e botës, ç’tjetër do të jetë pritja e tyre, përveç se jetë prej së vdekurish.

Edhe në është fryti i parë i shenjtë, është edhe tërë brumi; edhe nëse është rrënja e shenjtë, janë edhe degët. Po nëse u këputën ca nga degët, edhe ti që ishe ulli i egër u shartove në to, edhe u bëre pjesëtar i rrënjës dhe i pjellorisë së ullirit, mos iu mburr degëve; edhe nëse mburresh, nuk e mban ti rrënjën, po rrënja ty. Do të thuash pra: U këputën degët, që të shartohem unë. Mirë. Për pabesinë u këputën, po ti qëndron me anë të besimit. Mos u mbaj me të lartë, po ki frikë; sepse nëse Perëndia nuk kurseu degët prej natyre, ndoshta nuk të kursen as ty.

Shiko pra mirësinë dhe ashpërsinë e Perëndisë; mbi ata që u rrëzuan, ashpërsinë; edhe mbi ty, mirësinë, në qëndrofsh në mirësi; sepse ndryshe edhe ti do të këputesh. Kështu edhe ata, në mos qëndrofshin në pabesi, do të shartohen; sepse Perëndia është i fuqishëm t’i shartojë përsëri ata. Sepse nëse u këpute ti nga ulliri i egër prej natyre, edhe kundër natyrës u shartove në ulli të butë, sa më tepër këta që janë prej natyre degë do të shartohen në ullirin e tyre.