APOSTULLI – 1 Korinthianëve 12:27-13:8.
Edhe ju jeni trupi i Krishtit, edhe gjymtyrë të veçanta. Edhe Perëndia vuri disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues, pastaj mrekulli, pastaj dhunti shërimesh, ndihmëtarë, kujdestarë, larmi gjuhësh. A mos janë të gjithë apostuj? A mos janë të gjithë profetë? A mos janë të gjithë mësues? A mos bëjnë çudira të gjithë? A mos kanë të gjithë dhunti shërimesh? A mos flasin gjuhëra të gjithë? A mos përkthejnë të gjithë?
Por dëshironi me zell dhuntitë më të mira; edhe do t’ ju tregoj juve një udhë shumë më të lartë.
Në folça gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, e të mos kem dashuri, jam si bakër që kumbon, a si cimbal që tringëllon. Edhe në paça profeci, edhe të di gjithë fshehtësitë edhe çdo dituri, edhe në paça gjithë besën sa të tund nga vendi male, e dashuri të mos kem, s’jam asgjë. Edhe në ndafsha gjithë gjënë time për të ushqyer të vobektët, edhe në dhënça trupin tim që të digjet, e dashuri të mos kem, s’më bën as fare dobi.
Dashuria është zemërgjerë edhe bën të mira; dashuria s’ka smirë; dashuria nuk kërkon të duket, nuk mbahet me të madh, nuk sillet vrazhdë, nuk kërkon të sajat, nuk zemërohet, nuk mendon të ligën; nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet për të vërtetën. Të gjitha i mban, të gjitha i beson, të gjitha i shpreson, të gjitha i duron.
Dashuria kurrë nuk bie poshtë. Po të tjerat, qofshin profeci, do të mbarojnë; qofshin gjuhë, do të pushojnë; qoftë dituri, do të humbasë.