– Apostulli – Romakëve 5:10-16.

 

Sepse, në qoftë se kur ishim armiq u pajtuam me Perëndinë me anë të vdekjes së Birit të tij, shumë më tepër pasi u pajtuam do të shpëtojmë me anë të jetës së tij. Edhe jo vetëm këtë, po edhe mburremi në Perëndinë me anë të Zotit tonë Jisu Krisht, me anë të të cilit morëm tani pajtimin.

Prandaj sikurse me anë të një njeriu hyri mëkati në botë, edhe me anë të mëkatit vdekja, edhe kështu shkoi vdekja mbi të gjithë njerëzit, sepse që të gjithë mëkatuan; sepse deri në kohën e ligjit mëkati ishte në botë, po mëkat nuk llogaritet kur s’ka ligj. Por vdekja mbretëroi që prej Adamit deri te Moisiu, edhe mbi ata që nuk mëkatuan sipas shëmbëllimit të mëkatit të Adamit, i cili ishte forma e atij që do të vinte.

Po nuk është si faji, ashtu edhe dhurata; sepse në qoftë se për fajin e njërit vdiqën të shumtët, shumë më tepër hiri i Perëndisë dhe dhurata me anë të hirit të një njeriu, të Jisu Krishtit, teproi në të shumtët. Edhe dhurata nuk është si puna që u bë me anë të njërit që mëkatoi; sepse faji prej njërit u bë për dënim të të gjithëve, por dhurata për shfajësim prej shumë fajesh.