E Diela e Gjithë Shenjtorëve, Drejtësia një kuptim shumë i gjerë, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 19.05.2022 (Tekst)

“Gjithë Shenjtorët me anë të besimit punuan drejtësi” (v. 33)

Një botë e bukur shtrohet sot para nesh. Është bota e heronjve të shenjtë të besës! Një shumicë e panumërt shpirtrash të zgjedhur, të cilët, me jetën e tyre të qashtër, me luftërat e tyre të mrekullueshme dhe heroike, shkëlqejnë si yje të ndritshëm në qiellin shpirtëror të gjithësisë. Kronikën e jetës së tyre të çuditshme e dëgjuam në pjesën e sotme të apostullit. Të gjithë luftuan për virtytin, iu bindën vullnetit të Zotit. Të gjithë konkretizuan dhe vulosën, me jetën e tyre, besën tek Perëndia. Të gjithëve atyre u përket fjala e apostull Pavlit: “Gjithë shenjtorët, me anë të besimit, punuan drejtësi”

* * *

Padrejtësia është një situatë e pasrënies së të parëgatuarve, që u themelua si një sistem jete dhe administrimi në gjininë njerëzore. Dhe, nga thellësia e shekujve, deri në ditët tona, dëgjohet zëri vajtues i të padrejtësuarve, duke kërkuar drejtësi. Sipas frymës së Shkrimit të Shenjtë dhe lumurimit përkatës të Zotit, në predikimin mbi mal, “Të lumur janë ata që kanë uri e etje për drejtësinë, sepse ata do të ngopen” Mat. 5:6, drejtësia është virtyt. Dhe si virtyt që është, nuk imponohet me ligje dhe institucione disiplinuese. Imponimi i drejtësisë me ligje, nga njëra anë, është i dobishëm për bashkësinë shoqërore por, nga ana tjetër, nuk mund ta bindë tjetrin se ata që zbatojnë këto ligje, janë të drejtë. Kuptimi i drejtësisë në Shkrimin e Shenjtë nuk kufizohet vetëm në dhënien e drejtësisë, por përqafon gjithë virtytin dhe njësohet me dëshirën e Perëndisë së drejtë e të shenjtë. Kështu, i krishteri duhet të jetë personifikimi i virtytit, një personalitet i përsosur.

* * *

Gjithë shenjtorët, profetët, të drejtët, apostujt, dëshmorët, oshënarët, burra dhe gra, të vegjël e të mëdhenj, ishin luftëtarë me konsekuencë. Jetuan brenda botës, por nuk u pajtuan me të. E mbajtën besën e tyre pa pajtime dhe sprapsje. Parulla e tyre e përhershme ishte: besnik me çdo kusht. Prandaj parapëlqyen të përndiqen e të torturohen, sesa të vijnë në marrëveshje me botën mëkatare. Kështu, thotë apostull Pavli, disa nga shenjtorët u lidhën në mjete torturuese, disa u përqeshën, u fshikulluan, u futën në burg, u vranë me gurë, u sharruan, u provuan me shumë ngasje dhe, përfundimisht, vdiqën nën sëpatën e xhelatit. Dhe vazhdon, Apostulli i shenjtë, luftërat e ashpra që bënë shenjtorët për të mbajtur besimin e tyre.

* * *

Besojmë edhe ne. Por, si? Zakonisht vijmë në marrëveshje, që në përplasjen e parë, me mentalitetin mëkatar të botës. Nuk e mbajmë linjën tonë. Sprapsemi lehtë. Pajtohemi. Por, nëse duam t’i përkasim edhe ne botës së bukur të shenjtorëve, duhet të bëhemi luftëtarë me konsekuencë të besës.

Ja disa shembuj nga jeta e përditshme. Luftëtar me konsekuencë i besës do të jesh kur nuk do të përdorësh rrugë të paligjshme për të siguruar fitime të mëdha. Do të parapëlqesh të mjaftohesh me të paktat, sesa të pajtohesh me pasionin e lakmisë. Konsekuenca në besën e krishterë, do të të detyrojë të thuash jo. Jeta e qashtërsisë, moralit të lartë dhe ndjeshmërisë që bën, shkakton, ndoshta, komente dhe ironi nga kolegët dhe eprorët e tu. Por ti duhet të vazhdosh, çfarëdo që të thonë të tjerët. Madje edhe në qoftë se kjo do të të kushtojë pozitën dhe punën tënde. Kjo do të thotë konsekuencë. Dhe, në këto raste, do të mendosh shenjtorët -bura dhe gra- të cilët, në rrethana të ngjashme, nuk u sprapsën, nuk u përkulën, nuk u dorëzuan. Dhe kjo, është fitore. Kurse sprapsja dhe pajtimi, kurrë nuk mund të jetë fitore, çfarëdo lloj gjëje që mund të të sigurojnë.

* * *

Shenjtorët janë “të rrezikshëm” në të gjitha epokat. Madje edhe qytetarët e virtytshëm dhe të ndershëm, siç ishte Sokrati i urtë, me shembullin e tyre të ndritshëm, hedhin dritë tek hipokrizia, tek rrëmbimi, tek mburrja, tek moskonsekuenca, tek çorientimi. Dhe kjo nuk u intereson dinakëve dhe të shthururve, që synojnë, sa të munden, të sundojnë njerëzit e tjerë. Pak apo shumë, ndoshta edhe të gjithë botën, sipas kushteve dhe mundësive të tyre.

Gjithmonë, ankesa mbetet e theksuar. Çfarë bëhet me gjithë torturuesit e mëdhenj apo të vegjël, vrasësit, xhelatët? Krishti është i qartë. Vërteton se të gjitha falen, mjafton që njeriu të jetë, me dëshirën e tij, pranues i hirit të Tij shenjtërues.

Por çfarë mund të bëhet, kur njerëzit i kundërvihen çdo veprimi shpëtues të Perëndisë? Dhe, në vend që të ndërrojnë mendje, dëshirë, mbeten të papenduar? Këmbëngulin, domethënë, në inatin e tyre, hakmarrjen, zilinë, kompleksitetin, papërgjegjshmërinë, rrëmbimin dhe maninë e shkatërrimit?

Të papenduarit dhe ata rreth tyre, i drejtojnë njerëzit në shkatërrim, por edhe vetë ata mbyten në vetminë e tyre, egon e tyre dhe mburrjen e tyre të kotë. Njerëz pa dashuri, pa falje, pa mëshirë, pa një pikë loti, xhelatë të ftohtë e të vrazhdë!

* * *

Por, Kisha jonë kurrë nuk dëshpërohet. Gjithmonë shpreson. Lutet vazhdimisht, të ndriçohet fytyra e çdo njeriu me dritën e së vërtetës së Krishtit dhe të drejtohen njerëzit në pendim. Që të bëhen pak më njerëzore shoqëritë tona dhe më të paktë njerëzit që rrotullohen rreth gënjeshtrës dhe mashtrimeve të djallit. Të pakësohen ata, të cilët, në dehjen e mburrjes së tyre, shfryhen tek shenjtorët e Perëndisë dhe dëshmorët e besës.

Krishti u bë njeri për ne, predikoi, u kryqëzua dhe u ngjall, për të na hapur rrugën e përsosmërisë dhe shenjtërimit që arritën shenjtorët e Perëndisë dhe dëshmorët e besës. Ai kërkon, edhe nga ne, një vegël, që është njëkohësisht levë dhe daltë, për të ngritur dhe për të hedhur tej barrën e vështirësive dhe të skalitim veten tonë, duke shikuar me kujdes modelin hyjnor, për ta bërë kopje të arrirë. Këtë levë dhe këtë daltë përdorën shenjtorët, për tu bërë të ngjashëm me Krishtin. Me besimin, mënjanuan gjithë pengesat, rrëzuan ngasjet, kundërshtuan me rezultat sulmet e të ligut.

* * *

Sigurisht, gjëra të vështira këto, vëllezërit e mi të dashur më Krishtin. Kurse nga ana tjetër, “mëkati është i lehtë”, siç shënon Apostulli. Ekziston gjithashtu edhe mënyra për të mos u rrëmbyer nga jeta e lehtë e mëkatit, por të parapëlqejmë luftën e vështirë të besës. Është e vetmja luftë. Të shikojmë botën e bukur të shenjtorëve të besës dhe, për më tepër, “Jisuin që është kreu dhe fundi i besimit”. Të shikojmë armatën dhe Udhëheqësin e luftëtarëve dhe fitimtarëve të jetës. Dhe, me durim, le të sulemi në luftën që është përpara nesh. U bëftë.