– Apostulli – Romakëve 4:13-25.

 

Sepse premtimi Abrahamit ose farës së tij se do të jetë trashëgimtari i botës, nuk iu bë me anë të ligjit, po me anë të drejtësisë që është prej besimit. Sepse nëse janë trashëgimtarë ata që janë prej ligjit, besimi është i zbrazët, edhe premtimi u shfuqizua. Sepse ligji sjell zemërim; sepse ku s’ka ligj, s’ka as shkelje.

Prandaj trashëgimi është prej besimit, që të jetë dhuratë, dhe premtimi të jetë i siguruar për gjithë farën, jo vetëm për atë që është prej ligjit, por edhe për atë që është prej besimit të Abrahamit, i cili është atë i ne të gjithëve, siç është shkruar: “Se të bëra atë të shumë kombeve”, përpara Perëndisë, të cilit i besoi, edhe i cili u jep jetë të vdekurve dhe quan të paqenat si të qena.

Ai pa pasur shpresë, me shpresë besoi se do të bëhej atë i shumë kombeve, siç qe folur: “Kështu do të jetë fara jote”. Edhe pasi nuk ishte i dobët në besim, nuk mendoi se tanimë trupi i tij ishte i vdekur, sepse ishte rreth njëqind vjeç, as vdekjen e barkut të Sarës. As në premtimin e Perëndisë nuk pati dyshim duke mos besuar, po u forcua në besim, duke i dhënë lavdi Perëndisë, e duke qenë i bindur se atë që i premtoi Zoti është i fuqishëm edhe ta bëjë. Prandaj edhe iu llogarit atij për drejtësi. Edhe nuk u shkrua vetëm për të se iu llogarit atij, po edhe për ne, të cilëve do të na llogaritet, që i besojmë atij që ngjalli prej së vdekurish Jisuin, Zotin tonë; i cili u dorëzua për fajet tona dhe u ngjall për drejtësimin tonë.