– Apostulli – Romakëve 2:14-28.

 

Sepse kur kombet që s’kanë ligj, prej natyre bëjnë punët e ligjit, këta, ndonëse s’kanë ligj, janë vetë ligj në veten e tyre, të cilët tregojnë punën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre, sepse kanë ndërgjegjen e tyre duke dëshmuar bashkë me ta, edhe mendimet duke akuzuar ose edhe duke drejtësuar njëri-tjetrin, në atë ditë, kur do të gjykojë Perëndia të fshehtat e njerëzve, sipas ungjillit tim, me anë të Jisu Krishtit.

Ja ti quhesh Jude, edhe prehesh në ligj, edhe mburresh në Perëndinë, edhe njeh vullnetin e tij, edhe dallon ndryshimet, sepse mësohesh prej ligjit, edhe ke besim në veten tënde se je udhëheqës i të verbërve, dritë e atyre që janë në errësirë, ndreqës i të marrëve, mësues i foshnjave, dhe se ke shembullin e diturisë e të së vërtetës në ligj. Ti pra që mëson tjetrin, veten tënde nuk e mëson? Ti, që predikon të mos vjedhin, vjedh? Ti që thua të mos shkelin kurorën, shkel kurorën? Ti që ke neveri idhujt, vjedh tempujt? Ti që mburresh në ligjin, çnderon Perëndinë duke shkelur ligjin? Sepse “emri i Perëndisë për shkakun tuaj blasfemohet në kombet”, siç është shkruar.

Sepse rrethprerja bën dobi nëse zbaton ligjin; po nëse shkel ligjin, rrethprerja jote u bë parrethprerje. Ai pra që nuk është i rrethprerë nëse ruan porositë e ligjit, parrethprerja e tij a nuk do të llogaritet rrethprerje? Edhe ai që është i parrethprerë në trup dhe zbaton ligjin do të të gjykojë ty që ke shkronjën e ligjit dhe rrethprerjen, edhe shkel ligjin. Sepse nuk është jude ai që është nga jashtë jude, as rrethprerje ajo që duket në mish.