E Diela e Etërve të Sinodit I Ekumenik, Të Shenjtë Përkujdes Baritor, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 05.06.2022 (Tekst)

“Kini pra kujdes për veten tuaj dhe për gjithë tufën” (v. 28)

Përkujdesin baritor dhe përsosmërinë e virtytit të apostull Pavlit, tregon pjesa apostolike që u lexua sot. Dhe Kisha caktoi të lexohet sot, ky tregim historik, sepse këtë të diel kremtojmë festën e Etërve të shenjtë dhe hyjmbajtës, që u mblodhën në Sinodin e Parë Ekumenik. Në nderim të tyre, sepse i ruajtën me përpikmëri urdhërimet apostolike të shën Pavlit, si pasues dhe imitues të qashtër të tij.

* * *

Apostull Pavli, udhëtonte me anije për në Jerusalem. Nxitonte të ishte atje, mundësisht, ditën e Pendikostisë, e cila afrohej. Prandaj mendoi më mirë të anashkalojë Efesin, në mënyrë që të mos humbasë kohë në Azinë e Vogël. Megjithatë, nuk u shkujdes krejtësisht për besimtarët e atjeshëm. Nga Milita, ku u ankorua anija, dërgoi lajmëtarë në Efes dhe ftoi priftërinjtë e Kishës. Dhe kur ata mbërritën afër tij, u tha: “Qëndroni gjithmonë vigjilent, së pari, në veten tuaj dhe, më pas, për gjithë të krishterët. Atje ku Shpirti i Shenjtë ju ka vënë mbikëqyrës, që të kujdeseni për kishën e Perëndisë, të cilën ai e bleu me gjakun e vet. Po ju ritheksoj të qëndroni zgjuar, sepse pas largimit tim do të hyjnë midis jush, ujqër grabitqarë, mësues të rremë dhe heretikë. Njerëz, të cilët do të përpiqen t’i bëjnë keq grigjës së Krishtit. Madje edhe nga vetë ju do të dalin disa, që do ta shtrembërojnë të vërtetën, me qëllim që t’i shkëpusin të krishterët nga Kisha dhe t’i shndërrojnë në ndjekësit e tyre fanatikë”.

Sjell ndërmend dikush habinë, ndoshta edhe frikën, me të cilën priftërinjtë e Efesit i dëgjonin ato fjalë të apostull Pavlit. Pas aq shumë bekimesh dhe ngritjesh shpirtërore, flitej të shijonin hidhërimin e herezisë dhe humbjes së shpirtrave. Përndjekjeve të jashtme nuk u kishin aq frikë. Dhimbje të tilla i kishin provuar tashmë dhe kishin pasur më shumë dobi prej tyre, ishin treguar akoma më të zjarrtë në besë. Por ky rrezik, që afrohej, ishte në mënyrë të paimagjinueshme më serioz dhe më shqetësues.

Vigjilenca dhe interesimi i pakursyer, që u sugjeronte Apostulli klerikëve të Efesit, është së pari detyrë e klerikëve tanë dhe veçanërisht e Episkopëve, të cilët do të japin llogari për grigjën. Por, është njëkohësisht edhe detyra e të gjithëve ne, të cilët kemi një dije fetare dhe ndiejmë dhimbje, si për nënën tonë, për Kishën tonë.

Shumë të krishterë, për shkak të naivitetit dhe pakujdesisë së tyre, ndikohen dhe mashtrohen nga lëkura e deles -që me aq mjeshtëri adaptojnë profetët e rremë heretikë- dhe i admirojnë për fisnikërinë e shtirë dhe fjalët e bukura. Dhe nuk kuptojnë se rrezikohen nga ata dhe duhet t’u shmangen me çdo mënyrë heretikëve.

Kundër heretikëve të tillë, luftuan me trimëri të paarrirë dhe besë, Etërit e shenjtë të Kishës sonë, ashtu si 318 Etërit hyjmbajtës, që kremtojmë sot, e që u mblodhën në Sinodin e Parë Ekumenik, në Nike. Dhe, për hir të urtësisë, shenjtërisë dhe vigjilencës së tyre, por edhe për hir të mundimeve dhe sakrificave të tyre, zotërojmë edhe ne sot të vërtetën, duke ndjekur hapat e Etërve të Shenjtë dhe të Apostujve, sipas këshillimeve të urta të Apostullit të kombeve, Pavlit të hirshëm. Flaka e besimit dhe e dashurisë ndaj Krishtit, që aq fort u ndez në zemrën e tij, rrugës për në Damask (Vep. 9), nuk ishte thjesht pastruese, ndriçuese dhe rilindëse për personalitetin e tij, por edhe hyjnore, që e çliroi plotësisht nga kujdesi stresues për gjëra materiale, duke u mjaftuar me një veshje dhe me një copë bukë, që edhe atë e nxirrte duke punuar me duart e tij (Vep. 20:35).

Ai gjigant i besimit dhe i virtytit, që u denjësua -megjithëse jo nxënës i drejtpërdrejtë i ditëve të Zotit, si dymbëdhjetë të tjerët- të bashkëbisedojë drejtpërdrejtë me Krishtin dhe të marrë zbulesa hyjnore (II Kor. 12:4), flet me shumë mallëngjim gjatë ndarjes nga kleri dhe populli, midis qarjeve dhe lotëve, por edhe me kthjelltësinë morale të një ati shpirtëror, të guximshëm dhe të paakuzueshëm, që thekson me shembullin e tij të lartë, shmangien e argjendashjes, vetëmohimin, thjeshtësinë e krishterë, ato virtyte që stolisin një klerik të Perëndisë: “Argjend ose ar ose rrobë, as prej ndonjërit prej jush nuk dëshirova”. Dhe thërret në ndihmë, publikisht, dëshminë e grigjës të tij dhe vëllezërve më Krishtin (Vep. 10:34-38). Prandaj na inkurajon, qëndroni zgjuar, duke kujtuar shembullin tim, “sepse tre vjet, natë e ditë, s’pushova duke mësuar me lot gjithsecilin”, përfundon shën Pavli.

Ja, detyra e barinjve dhe mësuesve të Kishës. Të jenë punëtorët e mirë të vreshtit të Krishtit. Të kenë kujdes grigjën e Tij logjike. Të besojnë tek duart e Perëndisë, përparimin më Krishtin të të krishterëve të tyre. Të luten për shpëtimin e shpirtrave të tyre dhe të punojnë në veprën e tyre baritore dhe mësimdhënëse, pa interes dhe me ndershmëri. Dhe të kujtojnë fjalët e Jisuit: “Është më i lumur të japë dikush sesa të marrë”.

Këshillat dhe drejtimet që jep apostull Pavli tek kryepriftërinjtë dhe priftërinjtë e Efesit, kanë autoritet të përjetshëm dhe janë gjithmonë bashkëkohore. Prandaj edhe duhet të kenë kujdes, të kenë shumë kujdes për veten e tyre. Domethënë jetën dhe gjendjen e jashtëme, pastërtinë dhe shenjtërinë e zemrës. Ata, më shumë se çdo kush tjetër, duhet të përpiqen për të dëbuar nga brendësia e tyre çdo prirje drejtë së keqes, çdo dobësi dhe mangësi, çdo lavdi të zbrazët dhe çdo grindje; të vrasin, siç thotë përsëri apostull Pavli, njeriun e vjetër. Dhe ta stolisin veten e tyre me besë të nxehtë dhe përkushtim me gjithë shpirt ndaj Perëndisë dhe veprës së tij, me dashurinë dhe përulësinë, me zemërgjerësinë dhe durimin, përmbajtjen dhe thjeshtësinë, dhe me virtytet e tjera, të cilat vetë ai i quan “fryte të Shpirtit të Shenjtë” (Gal. 5:22). Dhe për më tepër, të studiojnë dhe të thellohen në fjalën e Perëndisë. Të jetojnë më Krishtin dhe Krishti të jetojë në mes tyre. Dhe kështu të stolisur dhe të armatosur do të munden të përgjigjen në detyrat e tyre të larta. Kështu do të imponohen me shembullin e tyre, do të ndriçojnë me fjalët e hirit. Do të shkojnë ata përpara dhe grigja do t’i ndjekë, sepse do të kenë fituar vlerësim të madh dhe respekt të thellë nga ana e të krishterëve. Atëherë asnjë ujk, asnjë heretik, asnjë i pabesë, nuk do të guxojë të afrohet dhe të kërcënojë delet e Krishtit.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin. Duhet të lutemi për barinjtë e Kishës sonë. T’i ndriçojë Perëndia. T’i mbrojë nga kurthet e të ligut. T’i mbështesë në përmbushjen e misionin të tyre të shenjtë, që është të ruajnë Kishën e Perëndisë, në të cilën, Shpirti i Shenjtë, i vendosi meshtarë dhe barinj, me shumë kujdes. Kujdes në jetën e tyre personale. Kujdes edhe në drejtimin e grigjës. Amin.