UNGJILLI – Joani 16:23-33.

Edhe ju pra tani keni hidhërim; po përsëri do t’ju shoh, edhe zemra juaj do të gëzohet, edhe asnjë nuk e ngre gëzimin tuaj prej jush. Edhe në atë ditë nuk do të më pyetni për asgjë. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se sa t’i kërkoni Atit në emrin tim, do t’jua japë juve. Deri tani nuk kërkuat asgjë në emrin tim; kërkoni, edhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë.

Jua thashë juve këto me përngjasime; por vjen një orë, kur nuk do t’ju flas më juve me përngjasime, po hapur do t’ju tregoj juve për Atin. Në atë ditë do të kërkoni në emrin tim; edhe nuk ju them juve se do t’i lutem Atit për ju. Se vetë Ati ju do, sepse ju më keni dashur, edhe keni besuar se unë dola prej Perëndisë. Dola prej Atit dhe erdha në botë; përsëri lë botën dhe shkoj tek Ati.

Nxënësit e tij i thonë: Ja tani tek flet hapur dhe nuk thua asnjë përngjasim. Tani e morëm vesh se i di të gjitha, edhe s’ke nevojë të të pyesë ndonjë. Prandaj besojmë se dole nga Perëndia.

Jisui iu përgjigj atyre: Tani besoni? Ja tek vjen një orë, edhe tani erdhi, që të shpërndaheni gjithësecili në të tijat dhe të më lini vetëm; po s’jam vetëm, sepse Ati është bashkë me mua. Jua thashë juve këto, që të keni paqe në mua. Në botë do të keni shtrëngim; po kini guxim, unë e kam mundur botën.